“Bunkeri” Berisha, 222 minuta pa pësuar

Sporti

“Bunkeri” Berisha, 222 minuta pa pësuar

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 12:39

Dy ndeshje e gjysmë që prishtinasi në udhëtim e mban rrjetën të paprekur:

Nga Lazio në Kombëtare, Etrit Berisha shndërrohet, por sepse tek kuqezinjtë ka një mbrojtje solide dhe një grup që luan i bashkuar për një qëllim. Kosovari edhe dje ka rezultuar ndër më të mirët në fushë, me disa pritje magjike, njëra në veçanti, teksa i hoqi festën e golit danezëve, të sigurtë se ajo goditje e Jorgenesenit do të përfundonte në rrjetë… Pas ndeshjes, ja deklarata e portierit për “TVSH”:

“Ishte një mbrëmje e lodhshme për ne, por njëkohësisht jemi të kënaqur nga paraqitja që bëmë sot (dje) dhe rezultati që morëm. Nuk i lejuam Danimarkës të shënonte në portën tonë. Kjo ishte një ndeshje e mirë nga të gjithë dhe një pikë është mjaft e vlefshme për ne”.

“Objektivi kryesor për ne ishte që Danimarka të mos na shënonte dhe tani na mbetet në ndeshjet e ardhshme që të sigurojmë kualifikimin. Do të kemi një ndeshje mjaft të vështirë me Portugalinë, por do të luajmë në fushën tonë dhe kemi një plus që do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë. Do të mundohemi të marrim sërish një rezultat pozitiv”.

“Ishte e vështirë, pasi ata ishin lojtarë shtatlartë dhe në goditjet nga këndi dhe ato standarde ishin të rrezikshëm. U mundova që me ndihmën e të gjithë ekipit të ruajmë portën e paprekur dhe ja arritëm qëllimit. Jam i gëzuar për arritjen e synimit që kishim”, tha Berisha.

Bunker – Portugali, Danimarkë dhe Serbi… E nëse futet edhe miqësorja me Francën, Shqipëria jashtë fushe është një “bunker”. Asnjë gol i pësuar dhe katër pikë (shtatë, nëse quhen edhe 3 të tavolinës në KAS për sfidën e ndërprerë të Beogradit)… Heroi është ai, Etrit Berisha, i cili edhe dje ka treguar se është i pamposhtur, duke pritur shumë topa dhe duke neutralizuar shanset e kundërshtarit për të shënuar. Prishtinasi, që tek Lacio nuk po kalon moment të lumtur, por jo për faj të tij, duket se është garancia e vërtetë kuqezi dhe rrokada e dikurshme për t’i marrë vendin Ujkanit ka qenë një nga lëvizjet më të sakta të trajnerit De Biazi. Sakaq, bëhen 222 minuta pa gol jashtë fushe, në tre ndeshje, edhe pse njëra e luajtur për vetëm 42 minuta, në Beograd, teksa u ndërpre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat