Sot fillon gara Drag Race, “çmenduria” e kësaj vere

Sporti

Sot fillon gara Drag Race, “çmenduria” e kësaj vere

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 08:16

Pas shtatë garave të mbajtura deri më tani (katër malore dhe tri rrethore) radha është për “çmendurinë“ e automobilizmit të Kosovës. Sot dhe nesër, në Sllatinë do të mbahet gara “Drag Race”.

Sot është paraparë regjistrimi garuesve dhe makinave pjesëmarrëse, klasifikimi i kategorive dhe lëshimi i lirë në shteg.

Edhe sivjet do të ketë vetura tëjashtëzakonshme, nga ato më sportive, e deri tek më luksozet. Deri në mëngjesin e së premtes janë paraqitur 130 pjesëmarrës, por me shumë gjasë numri i garuesve do të jetë edhe më i madh. Përveç pjesëmarrësve nga Kosova (përfshirë një numër të madh të tyre nga diaspora), në garë do të ketë edhe shumë garues nga Shqipëria, pastaj nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia.

Janë të gjitha parakushtet që gara të jetë tepër atraktive. Federata e Auto Sportit e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë drejtim ka bashkëpunuar edhe me një grup ekspertësh kroatë (të licencuar ndërkombëtarisht), të cilët do të bëjnë matjen e kohës dhe llogari tjen e rezultateve. Veturat do të ndahen në gjashtë kategori, sipas fuqisë së motorit, ndërsa shpërblime do të ketë për tri pozitat e para në secilën kategori.

Sponsor general i garës është Kompania “Eurogoma”, derisa “Lassa Tyres” do ta japë shpërblimin prej 1000 eurosh për garuesin që do ta ketë kohën më të mirë të shtegut.

FASK-ja ka menduar edhe për sigurinë e shikuesve, ku në bashkëpunim me “Bechtel Enka” ka siguruar mbrojtëse anësore të betonit, e në të njëjtën kohë do të jetë edhe Policia e Kosovës që do të sigurojë rend dhe qetësi.

Duke e marrë parasysh interesimin e jashtëzakonshëm, FASK-ja ka menduar edhe për parkimin e veturave të shikuesve, prandaj janë siguruar parkingje të mjaftueshme, të cilat do të jenë në mbikëqyrjen e Kompanisë së Sigurimeve “Besa Security” gjatë gjithë kohës. Çmimi për parking është 1 euro për tërë ditën, andaj ju lusim mos pranoni të paguani ç mim tjetër që mund t’u kërkojnë persona të panjohur.

Një tjetër e veçantë e garës së kësaj fundjave është edhe fakti se të dielën do të ketë edhe transmetim të drejtpërdrejtë nga Radio Televizioni i Kosovës, i cili njëherësh edhe sponsor medial. Ndërsa, për dy ditë me radhë, garimi, rivaliteti, muzika, argëtimi dhe adrenalina do të jenë në nivelin më të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat