Yjet e sportit çmojnë lartë kontributin e ‘Bota sot’

Sporti

Yjet e sportit çmojnë lartë kontributin e ‘Bota sot’

Nga: Kemajl Goca Më: 26 qershor 2015 Në ora: 09:57

20 vite, dy dekada të shkëlqyeshme të gazetës kombëtare “Bota sot”, e cila gjithmonë me raportime, reportazhe, me tema të ndryshme, me pasqyrimet e saja në çdo sferë ka luajtur rol të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një zë i fuqishëm në përgjithësi. Roli dhe kontributi i saj çmohet lartë nga yjet e sportit shqiptar. Kampionia e dyfishtë e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi (52 kg), e shpallur më e mira e botës për të gjitha kategoritë për vitin 2014 po ashtu edhe e Evropës, kujton edhe hapat e parë të saj kur ka filluar, kur ka nisur me fitoret e para, të cilat u pasqyruan vazhdimisht në gazetën kombëtare ‘Bota sot’.

Majlinda nuk i harron kurrë ditët kur ishte e vogël, në hapin e parë të karrierës, kur ‘Bota sot’ shkruante se po vjen një yll i madh dhe kjo u shndërrua në realitet, e cila sot po sundon botën. “‘Bota sot’ ka luajtur rol të rëndësishëm. Kur isha në ndërtim si sportiste, gazeta juaj me ka dhënë hapësirë, edhe kur kam qenë e vogël me moshë e me suksese. ‘Bota sot’ i uroi 20-vjetorin, gazetë që e lexoi më ëndje”, tha Majlinda. Driton Kuka, trajner i Majlindës, vlerëson lartë rolin e gazetës. “Bashkëpunimi im me këtë gazetë qysh në fillim ka qenë i frytshëm dhe e çmoj shumë kontributin e saj në informacion korrekt.

Bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyeshëm me gazetarin Kemajl Goca të cilin e vlerësoi si një ndër gazetarët me profesional të sportit në Kosovë”, tha Kuka. Haxhi Krasniqi, boksieri i mirënjohur shqiptar, që bokson në versionin WBO e WBA, tha: “‘Bota sot’ me ka respektuar gjithnjë, andaj i falënderoj shumë dhe iu uroj 20-vjetorin”. Këshilltari i Haxhiut, Luan Dreshaj, tha ‘Bota sot’ i jep shumë rëndësi boksit. “‘Bota sot’ i jep shumë rëndësi boksit, kjo më pëlqen jashtëzakonisht, duke e pasur parasysh se boksi profesionist është sporti më i suksesshëm shqiptar. Urime 20-vjetori, iu urojmë edhe shumë e shumë përvjetorë të tjerë!!!”.

Amir Rrahmani, mbrojtës i kombëtares së Shqipërisë dhe anëtar i klubit Spliti nga Kroacia, çmon lartë kontributin e gazetës, duke thënë: “Është gazetë me jetëgjatësi qe 20 vjet, informon për të rejat e fundit, edhe pse nuk është sportive, unë i lexoj të gjitha online, pasi jam në Kroaci”. Labinot Haliti, futbollist i skuadrës australiane, WS Wanderers, kampion i Champions League Asia për vitin e kaluar. Haliti tha: “‘Bota sot’ e përcjelli me vëmendje online dhe pasqyron aktivitetet tona më shumë korrektësi në Australi. Po bën një punë shumë të madhe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat