Klubi i shahut Expik mbrojti titullin

Sporti

Klubi i shahut Expik mbrojti titullin

Nga: K.G. Më: 26 maj 2015 Në ora: 14:32

Këtë fundjavë përfundoi Liga e parë e Kosovës në shah e cila u mbajt në Hotelin Amazon në Milloshevë. Pjesëmarrëse ishin 8 ekipet më të mira të Kosovës të cilat luajtën sipas sistemit berger (secili me secilin) në gjashtë tabela. Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet kampionati ishte më intresant pasi që shorti ishte i dirigjuar dhe klubet pretendente për titull u takuan në xhirot e fundit.

Kampionati filloi me befasi të papritura. Lesna nga Prishtina dhe Zeqë Hasaj nga Deçani me fitore ndaj favoritëve kryesorë, Expikut dhe Istogut e bënë kampionatin më interesant dhe i detyruan ata që gjer në xhiron e fundit të mos bëjnë ma lëshime.

Në xhiron e fundit u takuan kampioni aktual Expiku nga Prishtina dhe Istogu. Të dyjat gjer në këtë xhiro i kishin tubuar nga 5 fitore por pikët tabelare ishin në favor të Istogut dhe kampionit i nevojitej gjithsesi fitorja.
Në tabelën e parë kapiteni i ekipit dhe njëkohësisht selektori i kombëtares së Kosovës Fidemjeshtri Afrim Fejzullahu remizoi kundër shahistit të mirënjohur që luan në Francë Sami Salihut. Në tabelën e dytë po ashtu Fidemjeshtri Murtez Hondozi dhe kampioni i shtatëfishtë i Kosovës Naim Sahitaj luajtën baras.

Fitore bindëse shënuan shahistët në tabelën 3 dhe 6, Kryemjeshtri bullgar Aleksander Delchev dhe kampioni i trefisht i Kosovës Përparim Makolli ndaj Mjeshtërve ndërkombëtar Ilir Seitaj nga Shqipëria dhe Bedri Sadikut. Rezultatin në 3:2 e zvogëloi Fatmir Haskaj në një ndeshje mjaft interesante kundër Fidemjeshtrit nga Gjakova Avni Ermenit.

Në tabelën e katërt Kampioni aktual dhe i dyfisht i Kosovës Nderim Saraçi kishte të bëjë me Mjeshtrin ndërkombëtarë nga Sllovenia Bogdan Podlesnik. Slloveni ishte nën presion të madh pasi që klubit të tij i nevojitej fitorja për ta fituar titullin. Pas një ndeshje maratonike 6 orëshe, kampioni i Kosovës i cili gjer në meslojë qëndroi më dobët se kundërshtari, arriti që ta konsolidojë pozitën dh eta mbajë lojën barazim gjer në finish.

Me këtë fitore Klubi i shahut Expik nga Prishtina u stolis për herë të pestë me titullin e më të mirit në këto 6 vitet e fundit dhe këtë sivjet e arriti duke iu falënderuar kontributit të Kompanisë së Sigurimeve SIGKOS të cilët e përkrahën materialisht.

Befasi e këtij kampionati ishte Klubi i shahut Zeqë Hasaj nga Deçani të cilët vjet hynë në Ligën e Parë dhe qysh në edicionin e parë të Ligës së Prë të Kosovës u bënë nënkampion.
Nga liga u larguan Lesna nga Prishtina dhe Hyzri Talla nga Podujeva.

TABELA
1. Expiku Prishtinë 18
2. Zeqë Hasaj Deçan 16
3. Istogu Istog 15
4. Shqiponja Stanoc 8
5. Nilos Theranda Suharekë 7
6. Trepça Mitrovicë 7
7. Lesna Prishtinë 7
8. Hyzri Talla Podujevë 3

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat