Tirana “përmbys” Elbasanin

Sporti

Tirana “përmbys” Elbasanin

Më: 18 prill 2015 Në ora: 17:01

Tirana “përmbysi” sërish rezultatin, për të dytën javë radhazi, për të qëndruar në vallen e titullit. Bardheblutë mundën 3-1 Elbasanin pas një ndeshje aspak të lehtë, me skuadrën e Dostit që dhe një herë i bëri kryeqytetasit të “djersinë” jo pak përballë tyre. Golat e Hyshmerit, Busic dhe Bakajt i dhanë një tre pikësh me peshë formacionit të Maganit, që i gëzohet fitores së katërt radhazi. Në Pogradec, ndeshja nisi ashtu si ndaj Vllaznisë, në ngjitje për Tiranën, që e pa veten në disavantazh pas një finalizimi të jashtëzakonshëm të Jaupajt, që shënoi ndoshta një prej golave më të bukur të këtij sezoni.

Tiranës ju deshën plot 26 minuta për të rimarrë veten me Takun që në 28-tën kreu një gjest të lartë teknik, me një goditje stil gërshërë që përfundoi për pak jashtë. Nga ky moment në fushë ishin bardheblutë, që rrezikuan sërish pak sekonda më pas me Ndikumanën, i cili u ndal në mënyrë fantastike nga Ruci. Fati i kësaj sfide mund të kishte qenë i ndryshëm nëse në të 37-tën, Toci do të kishte gjetur rrjetën dhe jo traversën, pasi dy minuta më pas Hyshmeri me një aksion personal lëshoi një predhë drejt portës që nuk i la shumë mundësi reagimit Rucit.

1-1 në pjesën e parë ishte rezultati i duhur për Tiranën për të kërkuar përmbysjen në të dytën. Në minutën e 51-të, Bakaj shpërdoroi një mundësi të artë nga vetëm dy metra, ndërsa në të 57-tën Taku u ndal nga Ruci. Në të 64-trën, golin e kërkoi dhe Bulku por nuk e gjeti për cështje centimetrash. Ndërsa të njëjtin fat pati dhe Taku 10 minuta më pas. Epërsia e Tiranës u konkretizua në të 75-tën, me Busic që nga një pozicion i thjeshtë mposhti pa shumë probleme portierin e Elbasanit.

Vulën ndeshjes megjithatë ja vuri Bakaj në të 83-tën, që vetëm këtë javë u rikthye si titullar, pas dëmtimit të gjatë. 3-1 ishte rezultati përfundimtar, me Tiranën që fitoi një tjetër finale për të në këtë kampionat duke qëndruar në garën për titullin e duke ngritur dhe moralin në prag të ndeshjes në Kupë me Lacin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat