Aguero apo ‘bombarduesi’ në kohën e duhur!

Sporti

Aguero apo ‘bombarduesi’ në kohën e duhur!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 10:50

Manchester City pothuajse e kishte trenin e fundit në ndeshjen me Bayernin e Munihut, o fitore o gjërat do t’i vështirësoheshin edhe më shumë. City pas një loje dramatike e kthesë sensacionale në rezultat, e mundi me 3:2 Bayernin e Munihut. E gjitha erdhi falë lojës mjeshtërore të sulmuesit Sergio Aguero, i cili realizoi het-trik. Ai u tregua i shkathët në momentet vendimtare apo një ‘bombardues’ në kohën e duhur. Trajneri i Cityt, Manuel Pellegrini, pa dyshim se është i ngazëllyer me fitore dhe me lojën e Agueros. Ai vëmendjen e ka në ndeshjen e fundit në stadiumin ‘Olimpico’ me Romën, e cila luhet me 10 dhjetor. Aty shihet se kush do të shkojë përpara e kush do të mënjanohet. Manchester City është i dyti në grupin E me 5 pikë, sa ka edhe Roma e treta dhe CSKA e fundit. Pellegrini ka thënë: “Unë jam shumë krenar, sepse mendoj se ishte një lojë shumë e vështirë për ne, pasi Bayerni shënoi dy gola, ndërsa ne nuk gjenim hapësirën e duhur për të rrezikuar! Ekipi ka punuar vazhdimisht për tërë ndeshjen, ka pasur besim dhe kjo ishte një nga faktorët kryesorë që fituam”. Pellegrini gjithashtu mendon se Aguero është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë. "E pra unë gjithmonë them se Sergio është një prej pesë lojtarëve më të mirë në botë”, tha Pellegrini, duke shpresuar në fitore në ndeshjen e fundit në Romë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat