E mërkura e Ch. League, Reali për konfirmim, Juve për kualifikim

Sporti

E mërkura e Ch. League, Reali për konfirmim, Juve për kualifikim

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 23:44

Faza e grupeve për edicionin aktual të Champions League po i afrohet ndjeshëm fundit dhe për rrjedhojë edhe numri i skuadrave të kualifikuara po shtohet gjithmonë e më shumë. Për shkak të rrethanave dhe llogarive që në këtë pjesë të sezonit janë të pashmangshme pritet që minimalisht edhe 4 klube të tjerë të prenotojnë biletën për në fazën pasardhëse të 1/8. Radhën për të zbritur në fushë e kanë skuadrat e përfshira në Grupet A, B, C dhe D, ku matematikisht të kualifikuara janë vetëm skuadrat e Realit dhe Borusias së Dortmundit. Llogaritë në Grupin A janë sa të thjeshta aq edhe të komplikuara, sepse në rast barazimi të Olimpiakosit në Vicente Calderon për më tepër në një grup ku nuk është regjistruar ende asnjë i tillë atëherë për klubin nga Pireu do të mjaftonte thjesht një fitore në “Stadiumin Karaiskakis” ndaj Malmoes në takimin përmbyllës për të djegur një nga dy skuadrat pretendente. Që të mos ndodhë kjo ekipi i Diego Simeones duhet të fitojë patjetër ndeshjen për të mos komplikuar së tepërmi kalimin e kësaj faze, përndryshe Atletico do të eliminohej në mënyrë të parakohshme në rast disfate në ndeshjen e fundit në Juventus Stadium. Ai që nuk merret aspak me llogari të tilla është trajneri Massimiliano Allegri, pasi situata është e qartë përvecse duhet të mundë patjetër Malmoen në Suedi “zonja e vjetër” në dy ndeshjet e mbetura duhet të grumbullojë më tepër pikë sesa klubi grek, që ka një bilanc më të mirë në përballjet direkte ndërmjet tyre.

Përsa i përket Grupit B kampionëve në fuqi iu mjafton vetëm një barazim për të garantuar edhe matematikisht vendin e parë, sidoqoftë diferencat janë shumë të mëdha dhe Reali i Ancelottit paraqitet në St. Jakob-Park me plot 14 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet. Triumfi ndaj Liverpulit tregon më së miri forcën e Bazelit në shtëpi, gjithsesi me shumë gjasa ekipi i dytë që do të kualifikohet nga ky grup do të përcaktohet në duelin e drejtpërdrejtë që kampionët e Zvicrës do të luajnë pas dy javësh në Anfield ndaj Liverpulit. Vetë ekipi i Brendan Rodgers që vjen nga plot katër humbje rresht në të gjithë aktivitetet duhet që të shmangë fillimisht surprizat në Bullgari me Ludogorets, skuadër që në shtator në ndeshjen e parë u dorëzua vetëm në 93’, edhe aty pas një gabimi të rëndë të portierit të tretë të ekipit që i dhuroi 11-metrësh vendasve pikërisht në sekondat e fundit të takimit.

Në Grupin C Bajeri i Leverkuzenit kontrollon situatën nga një pozicion tepër i favorshëm dhe ekipi i Roger Schmidt mund të kualifikohet në mënyrë të drejtprëdrejtë pa patur nevojë as të luajë. Që të përmbushet një skenar i tillë mjafton thjesht që Benfica të mos fitojë takimin hapës të këtij grupi në orën 18:00 në St. Petersburg ndaj Zenitit. Vetë klubi gjerman mund të kualifikohet edhe me një barazim ndaj Monacos, ndërsa nënkampionët e Rusisë duhet të fitojnë patjetër përballjen direkte ndaj Benfikës, dicka gjithsesi tepër e vështirë duke patur parasysh që ekipi i Andre Villas Boas nuk njeh akoma fitore në shtëpi. Pas katër raundeve të para Grupi G rezultoi ndër grupet më spektakolare me plot 30 gola të shënuar, megjithatë gjërat këtu duken pak a shumë të përfunduara. Borusia e Dortmundit është një skuadër e kualifikuar por nevojitet thjesht edhe konfirmimi i matematikës për t’i siguruar ekipit të Jurgen Klopp vendin e parë. Në krahun tjetër pavarësisht pretendimeve dhe ankesave të shumta të veteranit francez Arsenali i Wenger kënaq por nuk të ngop. Në Emirates Arsenali do të bëjë çmos të paktën për të vënë në vend krenarinë sidomos pas rezultateve shumë zhgënjyese të muajit nëntor, sidoqoftë pritet të jetë një duel tepër interesant edhe në aspektin taktik ndërmjet Arsene Wenger dhe Jurgen Klopp, me këtë të fundit që pa skuadrën e tij të dominojë gjithcka në Westfalen përpara dy muajsh, ndërkaq nuk mund të harrohet aspak edhe suksesi 2-1 i verdhezinjve 13 muaj më parë ndaj topcinjve brenda në Londër, po në fazën e grupeve. Në fund tepër emocionues pritet edhe takimi Anderleht – Galatasaray, një ndeshje direkte për të përcaktuar vendin e tretë, pozicion që gjithsesi duhet të ishte siguruar me kohë dhe që natyrisht i rri ngushtë klubit nga Brukseli, duke patur parasysh dominimin në Stamboll, ku një gol në kohën shtesë i Burak Yilmaz i hoqi 3 pikët skuadrës së Besnik Hasit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat