Ch. League, plotësohet faza e grupeve

Sporti

Ch. League, plotësohet faza e grupeve

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 23:58

Uefa Champions League i ka tashmë 32 skuadrat e saj finaliste. Arsenali, Athletic Bilbao, Bajer Leverkusen, Malmo dhe Ludogorets ishin pesë ekipet e fundit që prenë biletën për në fazën e grupeve të kompeticionit të kampionëve. Athletic Bilbao zgjodhi mënyrën më spektakolare për të siguruar biletën e tij. Baskët nën një atmosferë të jashtëzakonshme në “San Mame” përfituan nga 15 minuta të frikshme të Napolit për të shënuar plot tre herë, pas një shpërbërje të plotë të mbrojtjes së italianëve duke fituar 3-1. Napoli që në pjesën e parë kishte vegjetuar në fushë, të dytën e nisi me objektivin e qartë për të shënuar dhe këtë e bëri në vetëm dy minuta me Marek Hamshik.

Napoli u duk se e kishte marrë me vrull drejt kualifikimit por harroi të mbrojë rezultatin duke i bërë brenda tetë minutave plot dy dhurata Adurizit. Në të 61-tën, sulmuesi me një lëvizje mashtruese liroi veten në rrugën drejt golit.

Në të 69-tën, një hara-kiri i mbrojtjes së Napolit i lejoi Adurizit lavdinë personale për herë të dytë.
Ndërkohë që në të 75-tën, ishte Aduriz që bëri dhuratën duke mos prekur topin në pozicion jashtë loje, për t’ja lënë atë Ibai Gomezit, që nuk u mendua dy herë për ta shtyrë në rrjetë duke çuar në Champions të tijtë. Arsenali vuajti, por nuk mungoi në takimin me kualifikimin. Arsen Ëenger kishte forcat e pakta në vijën e parë të sulmit ndaj Besiktasit, por Alexi Sanchez e bëri shumë shpejt të harrojë Olivier Giroud, teksa gjeti golin e epërsisë pak përpara pushimit duke bërë për dush të ftohtë lojtarët turq.

Arsenali gaboi se nuk e mbylli ndeshjen atëherë kur duhej, pasi Debuchy mendoi t’ja komplikonte kualifikimin “Topcinjve” pasi u ndëshkua me të kuq duke lënë me 10 vetë të tijtë. Një tjetër gafë e rëndë për lojtarët e Arsenalit, që duke qenë një ekip profesionist nuk mundet kurrsesi në dy ndeshje të këtij niveli të përfundojë takimin në inferioritet numerik. Bajer Leverkusen e ktheu në stërvitore ndeshjen e kthimit me Kopenhagenin, që edhe nëse kishte ndonjë shpresë për të përmbysur 2-3 të ndeshjes së parë, pa t’i zvenitej pas vetëm dy minutash, Son Heung Min zhbllokoi rezultatin, ndërsa pesë minuta më pas Calhanoglu shënoi dhe të dytin për “aspirinat”. Para pushimit nuk kishte si të mos I bashkohej festës së golave dhe Stefan Kiessling që shënoi nga pika e bardhë ndërsa në pjesën e dytë, sulmuesi realizoi dhe dygolëshin personal në të 66-tën. Në fazën e grupeve do të jetë dhe një suedeze, Malmo që nxorri jashtë austriakët e Red Bull Salzburg duke shënuar dy herë në 20 minutat e para të lojës, fillimisht me Rosenberg në minutën e 11-të me penallti e më pas me Erikkson në të 19-tën. Zyrtarizimi i kualifikimit për suedezët erdhi vetëm në pesë minutat e fundit kur Rosenberg shënoi dhe golin e 3-0 duke plotësuar përmbysjen e të tijve.

Sfida më e çmendur megjithatë u luajt në Sofje, në derbin ballkanas mes Ludogorets dhe Steauas së Bukureshtit, ku vendosi mbrojtësi Moti vetëm se jo në rolin e tij të vërtetë, por duke luajtur si portier. Skuadra bullgare arriti të çojë takimin në shtesë vetëm në minutën e 90-të falë një goli të jashtëzakonshëm të Wanderson që gjendej në fushë vetëm prej pak minutash. Në shtesë asnjëra prej skuadrave nuk arriti të shënojë por Ludogorets mbeti pa portier, me mbrojtësin Moti që u detyrua të veshë dorezat për t’u bërë heroi i të tijve duke pritur në mënyrë të pabesueshme dy 11-metërsh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat