Dunga: Mjaft më me lotë

Sporti

Dunga: Mjaft më me lotë

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 00:13

Duhet ndryshuar kurs për të ndërruar faqe. Është kjo ajo që kërkon të bëjë trajneri i ri i Brazilit, Carlos Dunga, i thërritur për të pasuar Scolarin me misionin për ti rikthyer dinjitetin Selecaos pas epilogut të bujshëm të Botërorit të luajtur në shtëpi. Dhe në pritje të ndryshimeve në fushë trajneri i ri ndërron strategji dhe zgjedh për tju imponuar lojtarëve të tij linjën e ashpër.

“Mjaft me lotët, njerëzit e fortë nuk qajnë. Imazhet e lotëve pas ndeshjes kundër Kilit stonojnë me botën e futbollit”.

Dungës nuk i kanë pëlqyer imazhet e lojtarëve brazilianë si në lotë gëzimi pas fitores me 11 metërsha kundër Kilit në 1/8 si ato të trishtimit pas disfatës së bujshme 7-1 të pësuar nga Gjermania. Trajneri i ri nuk e kursen një shigjetë dhe për paraardhësin e tij Felipe Scolari mbi zgjedhjen për ti besuar një psikologu për futbollistët e tij gjatë Botërorit.

“Nuk e di nëse është zgjedhja e duhur. Nuk kam asgjë kundër, por vështirë që një futbollist të hapet në pesë minuta. Gjëja e parë që mendon është, po nëse psikologu i tregon gjithçka trajnerit?”

Dungës nuk i ka pëlqyer edhe se si u trajtua çështja Neymar pas dëmtimit të sulmuesit në sfidën kundër Kolumbisë.

“Mesazhi që u transmetua ishte: Humbëm një luftëtar. Por nëse shkojmë në luftë nuk mund të ndalemi dhe të qajmë humbjet. Duhet ti japim forcë ushtarit që hyn në vend të tij”

Dunga shfajson Thiago Silvën, pavarësisht se vendosi që të mos gjuante penalltinë kundër Kilit.

“Situata është shumë komplekse. Ai ka menduar nëse gaboj nuk mund të shkel më në Brazil. Por të paktën ishte i ndershëm dhe pati kurajon të thoshte se nuk ishte i pregatitur për atë gjë”.

Në fund Dunga i lejon vetes edhe disa batuta në lidhje me polemikat që kanë shoqëruar rikthimin e tij në stolin e Selecaos.

“Nëpër rrugë nuk shikoj ndaj meje gjithë këtë refuzim që shfaqet nëpër sondazhe. Në 10 të anketuar, 10 janë kundër meje. As Juda nuk kishte kaq shumë njerëz kundër. Thoshin se ishte radha e Tites, gjithmonë thonë se është radha e dikujt tjetër, por tani është radha ime”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat