Suarez, shpresë për reduktimin e dënimit

Sporti

Suarez, shpresë për reduktimin e dënimit

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 16:44

Ka përjetuar një periudhë vërtet të pazakontë pas atij kafshimi ndaj Giorgio Chiellinit në Botëror duke u bërë protagonist i polemikave.

Ka përjetuar një periudhë vërtet të pazakontë pas atij kafshimi ndaj Giorgio Chiellinit në Botëror duke u bërë protagonist i polemikave, batutave e ironisë therëse në rrjetet sociale e ndëshkimit që pasoi nga FIFA, por pas transferimit te Barcelona një lajm i mirë ose më saktë një shkëndijë shprese vjen për sulmuesin uruguajan dhe tifozët e skuadrës blaugrana.

Klubi katalanas mund të ketë në dispozicion Luis Suarez të cilin e bleu për 81 milionë Euro nga Liverpooli për fillimin e sezonit të ri, siç bën të ditur e përditshmja “El Mundo Deportivo”. Suarez u dënua me një pezullim prej 4 muajsh nga FIFA për gjestin e tij ndaj Chiellinit por siç bën të ditur e përditshmja katalanase ndëshkimi i tij mund të rishikohet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pasi është apeluar në instancën më të lartë ankimore për sa i përket sportit nga klubi i Barcelonës. Sipas “Mundo-s” mund të arrihet në një formulim të ri të ndëshkimit për Suarez, uruguajani do të mbetet i skualifikuar për ndeshjet me përfaqësuesin e vendit të tij, por mund të përdoret nga klubi që për momentin nuk ka mundur as ta prezantojë.

FIFA ishte e palëkundur në këtë drejtim duke i qëndruar vendimit fillestar se Suarez nuk mund të marrë pjesë në asnjë event që ka të bëjë me futbollin, por te Barcelona që natyrisht si një klub i madh ka një peshë goxha të madhe politike, shpresojnë që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ti ndryshojë në mënyrë radikale gjërat para fillimit të sezonit të ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat