Camara: Ndeshja me Kosovën, si finale e Botërorit

Sporti

Camara: Ndeshja me Kosovën, si finale e Botërorit

Më: 20 prill 2014 Në ora: 09:06

Pas polemikave nga Senegali për miqësoren me Kosovën, ka reaguar sulmuesi i Panetolikosit në Greqi, Henry Camara, i cili thotë se miqësorja me Kosovën, duhet respektuar. Veterani i Kombëtares së Senegalit, thotë se kundërshtarin e 25 majit duhet respektuar. Madje, ai ka shkuar aq lart sa që ka theksuar se ndeshjen me Kosovën duhet ta vlerësojnë si finale të Kampionatit Botëror.
Javë më parë, ish-lojtari i Senegalit, Diomansy Camara, kishte thënë se kjo ndeshje është një shaka e madhe për vendin e tij. Madje, ai kishte kërkuar anulimin e saj. Krejt tjetër mendim ka ish-lojtari i Wiganit, West Hamit, Stoke Cityt e Sheffieldit.

“Ju e dini, kjo është vetëm një ndeshje miqësore. I kam ndjekur kritikat nga distanca dhe mund të them se këtu nuk ka vend për polemika. Kjo nuk është një ndeshje zyrtare. Për mendimin tim, ne duhet të respektojmë Kosovën dhe të luajmë këtë lojë sikur ajo të ishte finale e Kampionatit Botëror, sepse kjo është e dobishme për Senegalin”, thotë Camara, në një intervistë për mediat e Senegalit. Ai është njëri nga lojtarët e pakët të Senegalit, që ka marrë pjesë në Botërorin 2002, kur Senegali shkoi deri në çerekfinale. Madje, pikërisht goli i artë i Camaras, çoi në tetëshe Kombëtaren e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat