Roma fitore rekordesh në Firence

Sporti

Roma fitore rekordesh në Firence

Më: 19 prill 2014 Në ora: 23:38

Ashtu si një vit më parë, por në pozita shumë më të ndryshme në renditje, Roma arrin të fitojë sërish në Firence. Këtë herë nuk realizon në fund por e bën që në mesin e pjesës së parë me Naingolan, që është autor i një goli mjaft të bukur, i cili i jep fitoren verdhekuqve duke i mbajtur ende, të paktën matematikisht, në garë për titullin kampion sepse në realitet Juventus duket i pakapshëm. E të mendosh, që suksesi në Firence është ai rekordeve për verdhekuqtë, që regjistrojnë sezonin me më shumë fitore në total në histori, me më shumë fitore në transfertë dhe barazojnë rekordin e pikëve të Romës së Spalletit, me ndryshimin e vetëm se 82 pikë kjo skuadër ka shansin ende t’i përmirësojë duke qenë se kampionati ka ende dhe katër javë deri në përfundim.

Skuadra e Garcias e nisi me stofin e një skuadre të madhe këtë ndeshje, teksa në fillim Gervinho, që nuk para shquhet për saktësi përpara portës gaboi i vetëm përballë portës. Gjithsesi gabimi i tij u korrigjua nga ana e Naingolan. Më pas Fiorentina baraspeshoi ritmin por pavarësisht se e kërkoi barazimin deri në fund nuk e gjeti dot atë, me Romën që mori tre pikët duke siguruar dhe matematikisht vendin e dytë në renditje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat