Medalistja e artë rezulton me doping

Sporti

Medalistja e artë rezulton me doping

Më: 5 janar 2024 Në ora: 11:50
Enkileda Carja

Shumë herë testet e dopingut kanë rezultuar tronditëse për peshëngritjen shqiptare, e cila ka parë ti sfumohen medalje, me suksese që më pas janë kthyer në skandale.

Por fenomeni i dopingut mbetet global dhe sigurisht nuk përfshin vetëm vendin tonë. Madje së fundmi është Shqipëria që i gëzohet rritjes së rezultatit, për shkak se të tjerët kanë përdorur substanca të ndaluara.

Kështu Enkileda Carja, talenti më premtues i shtangës kuqezi te vajzat, sot ka marrë një lajm pozitiv.

Ajo është tashmë nënkampione e dyfishtë bote për moshat U-17, me medalje argjendi në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh. Ndërsa renditet e katërta në stilin e shtytjes.

Një rezultat fantastik, i përmirësuar me nga një vend, në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, pasi medalistja e artë, Medina Amanova nga Turkmenistani ka rezultuar pozitive në testimin antodoping. Kujtojmë që botërori për të rinj dhe të reja për herë të parë u mbajt në Shqipëri, event i zhvilluar në muajin mars në Durrës.

GARA – Carja kishte konkurruar nga Bateria B e peshave 59 kg. Në stilin e shkëputjes ajo regjistroi rezultatin 87 kg. Në shtytje ajo ngriti lart 100 kg, ndërsa e mbylli dygarëshin me 187 kg.

Ndonëse me e vogla në moshë Carja e përfundon aktivitetin me rezultat të jashtëzakonshëm si nënkampione e dyfishtë e botës. Kujtojmë se sportistja elbasanase, e zbuluar dhe formuar nga trajnerja Eglantina Kalemi, prej disa muajsh është bashkuar me skuadrën e Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat