Shaban Tërstena me një porosi të veçantë për sportistët

Sporti

Shaban Tërstena me një porosi të veçantë për sportistët

Nga: K. Goca Më: 1 janar 2024 Në ora: 00:30
Shaban Tërstena

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, ish mundësi i mirënjohur, Shaban Tërstena, ka uruar Vitin e Ri 2024 duke iu dëshiruar një vit të mbarë e me suksese.

Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, ka një porosi të veçantë për sportistët. 

“I uroj të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe kolegët e miqësinë e gjerë në veçanti ata të sportit dhe sportistët e rinj për Vitin e Ri 2024.

Dua t'ju kujtoj vetëm se hyjmë edhe në vitin e Lojërave Olimpike në Paris - Francë, të cilat do të mbahen nga 26 korrik deri më 11 gusht 2024.

Mos mendoni se do t'ju sjellin fat apo mrekulli, Viti i Ri, ose premtimet nga i ashtuquajturi “Baba Dimri”, ose shenjat e horoskopit, nuk ka asgjë nga këto. 

Vetëm me punë e stërvitje arrihet suksesi, secili prej jush duhet të bëjë më të mirën dhe të përpiqet të realizojë ëndrrat tuaja për arritjen e suksesit të madh dhe normën olimpike për vitin 2024. 

Ai që dëshiron të arrijë majat duhet të bëjë atë që kam bërë dikur si sportist i ri, me luftime të mëdha deri në fanatizëm, sakrifica, dhe shumë djersë.

Keni edhe 224 ditë për të shkruar dhe lexuar emrin tuaj në historinë e olimpizmit. Deri atëherë, në emrin tim, ju uroj shëndet, lumturi dhe realizimin e ëndrrave tuaja për arritjen e suksesit në vitin 2024. Zoti e bekoftë kombin tonë dhe mbarë botën. 

Urime dhe përshëndetje nga kampioni olimpik”, ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat