​Në vitin 2025 synohet organizimi i Evropianit të Bilardos në Kosovë

Sporti

​Në vitin 2025 synohet organizimi i Evropianit të Bilardos në Kosovë

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 10:07
Veton Dyla

Megjithëse jo shumë i popullarizuar në Kosovë si sport, drejtuesit e Federatës së Bilardos në Kosovë kanë synime të mëdha.

Organizimi i Kampionatit Evropian në Kosovë në vitin 2025 është synimi madhor i tyre.

Kryetari i kësaj federate, Veton Dyla ka thënë për KP se përtej kampionatit shtetëror që mbahet çdo vit në bilardo, shumë shpejtë do të krijohen edhe dy liga të tjera.

Dyla: Së shpejti do t’i krijojmë edhe dy liga të tjera në sportin e bilardos

“Tani e 10 vite është duke u mbajtur kampionati shtetëror në të cilin në shtatë ose tetë gara, mbahen garat me poena në të cilën përcaktohen lojtarët pas përfundimit të vitit, përmbyllet viti dhe caktohen lojtarët më të mirë të cilët kanë qenë prej seniorëve, kemi edhe junior. Së shpejto do ta kemi edhe ligën e femrave dhe gjithashtu do ta kemi edhe ligën e veteranëve të cilët janë 45 plus dhe 55 plus.”, tha fillimisht Dyla.

Dyla shton se interesimi për t’u marrë me këtë sport po rritet nga viti në vit, por pjesëmarrja e garuesve kosovarë në kampionate jashtë vendit po del të jetë e vështirë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Dyla: Garuesit e bilardos nuk kanë mbështetje të mjaftueshme financiare

“Interesimi është duke u rritur secilin vit shumë e më shumë. Por, është një problem që lojtarët kanë nevojë për përkrahje, automatikisht përkrahja vjen prej klubit, klubi e ndërlidh me federatën, kurse federata e ndërlidhë me Ministrinë e Sportit dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës. Fatkeqësisht bilardo si sport nuk është i renditur si sport olimpik për ata edhe është duke humbur shumë poena për ta pasur një buxhet pak më falënderues me të cilat mund t’i mbulojmë shpenzimet e garuesve që janë më me nam për të na përfaqësuar në garat ballkanike dhe ato ndërkombëtare, por me shpresë që do të ndryshojnë disa gjëra dhe siç po shihet ka sinjale se do të ndryshojnë disa gjëra.”, theksoi tutje Dyla.

Me lojërat e treguara deri më tani, Dyla theksoi se garuesit kosovar tashmë janë bërë faktorë të rëndësishëm në garat ndërkombëtare, e sidomos pas vitit 2020.

Dyla: Garuesit tanë janë faktorë në garat ndërkombëtare të bilardos

“Kur kemi filluar të marrim pjesë në garat, jo të luajmë, por të marrim pjesë në gara më intenzivisht prej vitit 2008-10 kemi qenë në nivel fillestarë. Për një kohë shumë të shkurtër, që për mua për t’u marr me një sport është minimum 10 vite për të ardhur deri në një nivel. Tek ne, për pesë vite ka filluar të dallohen disa prej djemve. Rajoni ka qenë 30 deri 40 përqind më lartë se ne. Rreth viteve 2018/19 ne jemi barazuar me ta...Në anën tjetër, prej vitit 2020 pas periudhës fatale të covidit kemi një ngritje shumë të madhe të kualitetit që mund të themi se jemi faktor i madh sa i përket rajonit me garues dhe lojtarëve.”, theksoi ai.

Në vitin 2025, Dyla zbulon se kjo federatë synon që ta fitojë të drejtën për ta organizuar Kampionatin Evropian të Bilardos në Kosovë.

Dyla: Në vitin 2025 synojmë ta organizojmë evropianin e bilardos në Kosovë

“Fatmirësisht ne jemi edhe të regjistruar në Federatën Evropiane të Bilardos. Shanset teorike janë që në vitin 2025 të organizohet një kampionat i cili është masiv me rreth 315 lojtarë nga gjithë Evropa dhe më gjerë. Do të ishte një eveniment shumë interesant, por atë nuk mund ta realizojmë pa pasur ndihmë nga instancat e qeverisë, KOK-u, ministria, çfarë do që të jetë. Në ana tjetër në duhet të gjejmë promotera të ndryshëm të cilët do të na mundësojnë për të ardhur deri tek ky event. Ata kanë një sistem shumë të mirëfilltë, ne duhet të merremi vetëm me një pagesë e cila kërkohet nga ata edhe është vendi.”, ka thënë Dyla.

Për organizimin e garave ndërkombëtare dhe vendore në nivele më të larta, ai thotë se kanë nevojë për ndërtimin e një salle të madhe për t’i zhvilluar stërvitjet dhe aktivitetet e tyre.

Dyla: Na duhet një sallë prej 400m2

“Kërkesat për këtë sport janë pak të mëdha në fillim. Do të thotë na duhet një vend që ka së paku 400 m2 i cili nuk ka shtylla sepse është si parakusht për shkak të tavolinave dhe na duhet t’i kemi minimum 10 tavolina. Tavolinat janë të kushtueshme, mirëmbajtja e tavolinave është e kushtueshme sepse bezat duhet të ndërrohen minimum njëherë në vit edhe pse preferohet çdo gjashtë muaj.”, tha Dyla.

Ndryshe, në kampionatit ballkanik të bilardos, Kosova zuri një vend të tretë me Faton Bajgorën, një të pestë me Bedri Sijarinën dhe vendin e gjashtë me Valon Gashin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat