Beteja ligjore mes dy institucioneve sportive vijon prej 2 vitesh në KAS

Sporti

Beteja ligjore mes dy institucioneve sportive vijon prej 2 vitesh në KAS

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar vijojnë betejën e tyre ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.

Një përplasje që publikisht vjen nga pretendimet e FSHF-së për shkelje, duke nisur nga asambleja statutore, për të kaluar në asamblenë zgjedhore të 17 prillit 2021, asamble që shpalli president të KOKSH-it Fidel Yllin.

Për këto pretendime, institucioni i futbollit e ka çuar Komitetin Olimpik në KAS-in ndërkombëtar.

Ndërkohë gazeta “Panorama Sport” mëson se dje është zhvilluar seanca e radhës mes palëve në KAS-in e Lozanës.

Një seancë dëgjimore e mbajtur “online”, teksa provat e paraqitura më parë nga palët me shkrim, ditën e djeshme janë komunikuar edhe verbalisht. Bëhet fjalë për seanca të cilat vijojnë prej dy vitesh, ndërsa seanca tjetër pritet që të mbahet rreth fundit të nëntorit. Ndërkohë një vendim për këtë çështje pritet që të merret në fund të këtij viti.

KAS-i SHQIPTAR, “MOLLA E SHERRIT” – Ndonëse nuk është pranuar asnjëherë zyrtarisht, konflikti mes FSHF-së dhe KOKSH-it ka dalë në skenë disa vite më parë, menjëherë pas hapave të parë të ndërmarrë për ndërtimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportit (KAS) në Shqipëri. FSHF-ja, që për vite me radhë e kishte injoruar Komitetin Olimpik, nisi menjëherë të tregojë interes për këtë institucion. Federata e futbollit, krijimin e KAS-it shqiptar (tashmë i formuar), e lexon si shkopinj nën rrota, pasi për vendimet e komisioneve të apelit të FSHF-së, ankimimet nuk do të bëheshin në Lozanë me kosto të larta siç ka ndodhur për shumë vite, por do të shkonin direkt në KAS-in shqiptar. Kështu, duke mos njohur KOKSH-in, FSHF-ja rrjedhimisht nuk do të njihte as KAS-in shqiptar dhe vendimet e këtij institucioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat