Kampioni olimpik në vitin 1984, uron sportisten shqiptare: Këta qeveritarë pa dinjitet e pa fytyrë, dalin e presin

Sporti

Kampioni olimpik në vitin 1984, uron sportisten shqiptare: Këta qeveritarë pa dinjitet e pa fytyrë, dalin e presin

Nga: Kemajl Goca Më: 23 gusht 2022 Në ora: 13:13
Shaban Tërstena

 Atletja e Shqipërisë, Luiza Gega, është kampione e Evropës në disiplinën 3000 metra me pengesa. 

Ky sukses i Luizës ka mahnitur gjithë Kontinentin e Vjetër dhe shqiptarët për herë të parë në histori e kanë kampionen evropiane në atletikë.

Këtij suksesit të jashtëzakonshëm iu është gëzuar edhe sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, ish mundësi Shaban Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988.   

Image

Ilustrim

Tërstena përmes një shkrimi të gjatë në profilin e tij në facebook, i drejtohet kampiones së Evropës, Luiza Gegës.   

“Kur një sportist fiton, është më i motivuar për një fitore të radhës. 

Edhe luanesha jonë, atletja Luiza Gega ka vazhduar rrugën për një fitore tjetër.

Unë në moshën 15-vjeçare u bëra kampion i Ballkanit.

Në moshën 16-vjeçare u bëra kampion i shtetit.

Në moshën 17-vjeçare u bëra medalist në Kampionatin botëror.

Në moshën 18-vjeçare u bëra kampion i Mesdheut.

Në moshën 19-vjeçare u bëra kampion i Evropës.

Në moshën 19-vjeçare u bëra kampioni më i ri olimpik.

Në moshën 23 vjeçare përsëri isha në finale olimpike.

Fitoret dhe titujt vazhduan për 20 vite, ato u bënë angazhimi im në jetën time sportive, i mbushur me gëzim dhe krenari të madhe, veçanërisht kur e di që gjatë jetës sime kam arritur 757 fitore, nëpër arenat e sportit duke fituar edhe 19 medalje të tjera nga bota e sportit. Unë si një sportist shqiptar duhej të kaloja një rrugë të vështirë, me gjemba, një golgotë të vërtetë. Për mua si një djalosh i ri, në ato kohë të sistemit, ishte shumë e vështirë nuk u dorëzova, por ia dola me shumë sukses.

Të dashur njerëz të mirë, e gjithë kjo rrugë e vështirë ka kaluar dhe nuk është dorëzuar për as një moment luanesha jonë Luiza Gega, pavarësisht kushteve të vështira që i ka pasur në jetën e saj edhe shpirti i saj ia doli me shumë sukses.

Atletika e cila është "Mbretëresha e sporteve", shqiptarja  me zemër të madhe, Luiza Gega, para disa ditësh shkëlqeu në Qytetin e Munihut. 

Pas shumë vite e mundime pa as një fizioterapist, pa doktor apo masazhator, që janë shumë të rëndësishëm për një sportist por përsëri shpirti i saj arrin të fiton medaljen e artë për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, bëhet kampione e Evropës në vrapimi 3000 metra me pengesa.

Jo rastësisht që them çdo herë unë si një kampion, por edhe Luiza Gega nuk ka lindur si kampione, por është bërë kampione me shumë sakrifica në Ballkan, në Lojëra Mesdhetare dhe tani kampione e Evropës.

Çka të them tjetër, e gjithë kjo rrugë e vështirë që është arritur, vetëm i madhi Zot dhe shpirti i saj sportiv e dinë më së miri se sa shumë sakrifica, ka bërë për të arritur deri te suksesi.

Të gjitha këto medalje dhe fitore që i ka arritur, nuk kanë ndryshuar asgjë në jetën e sajë si kampione, që i ofron Shqipëria e saj, merr vetëm 7500 lekë në muaj dhe kaq. Ju them disa fjalë këtyre qeveritarëve që jeni pa dinjitet e pa fytyrë, tani të gjithë dalin e presin si çdo herë kur sportistët shqiptarë fitojnë medaljet e arta nëpër arenat e botës.

Megjithatë në shpirtin e Luizës ishte i pandryshuar, edhe pse kishte kushtet të vështira me vite të tëra, ka stërvitur e vrapuar në shtigje natyrore me muaj e me ditë, me mijëra kilometra janë vrapuar nëpër rrugë pa kufi, sa djersë është nxjerrë nga trupi i saj për të fituar medaljen e artë evropiane e shumë medalje tjera që i ka sjellur për Shqipërinë e saj. 

Luiza edhe pse ka 20 vjet si sportiste profesioniste, shteti nuk i derdh sigurime shoqërore, me të vërtet është një shqetësim  i madh për të ardhmen e saj, për fat të keq edhe unë kam kaluar me këtë shqetësim të madh si një sportist, 25 vite nuk kisha as një vit sigurime shëndetësore.

Deri më tash kjo kampione Evropës ka jetuar në një shtëpi me kushte të vështira me qira. Shpresoj pasi ke fituar medaljen e artë evropiane, ndoshta Qeveria dhe Shqipëria jote do të shpërblejnë me ndonjë shtëpi të re që të jeton në kushte të mira sikur të gjitha sportistet që jetojnë mirë në shtetet e tyre. 

Prandaj, le të jetë ky një motiv për të gjithë sportistët e rinj dhe për këdo që dëshiron të ketë sukses në jetë.

Për rezultate të shkëlqyera sportive, të gjithë duhet të jenë të disiplinuar, të jenë gati të bëjnë çmos për të kaluar nëpër shumë beteja, në të cilat do të keni fitore, humbje, gëzime dhe hidhërime, por e gjithë kjo duhet të kalohet për t’u bërë një kampione e madhe si Luiza Gega. Sekreti i gjithë këtij  suksesi është vullneti, puna, stërvitja dhe fundi përsëri stërvitje. Me shumë respekt nga kampioni olimpik dhe sportisti i shekullit 20”, ka shkruar Tërstena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat