Studentët mes arsimimit dhe trajnimit për Olimpiket

Sporti

Studentët mes arsimimit dhe trajnimit për Olimpiket

Më: 24 korrik 2021 Në ora: 20:47
Megan Jastrab

Pas shtyrjes vitin e kaluar të Lojrave Olimpike në Japoni për shkak të pandemisë, disa studentëve amerikanë që merren me sport iu desh të balanconin shkollën dhe stërvitjen në prag të Lojërave Olimpike që po mbahen në Tokio.

Sportistëve studentë iu desh që të vinin në pauzë ëndrrat e tyre ndërsa ekuilibronin studimet me trajnimin pas shtyrjes së Lojrave Olimpike të Tokios në vitin 2020.

Një prej tyre është Megan Jastrab, e cila studion në Universitetin Milligan në Tenesi. Ajo do të përfaqësojë ekipin amerikan në çiklizëm në Olimpiket e Tokios. Pjesmarrësit në çiklizëm duhet të jenë të paktën 19 vjeç.

Por ajo ishte vetëm 18 vjeçe verën e kaluar gjatë kualifikimeve, dhe këtë janar mbushi 19 vjeç. Shtyrja si rezultat i pandemisë i mundësoi asaj kualifikimin për lojrat e Tokios.

“Shtyrja më mundësoi pjekurinë me një vit shtesë dhe më shumë kohë që të përshtatem për çiklizmin, duke më dhënë mundësi më të mëdha.”

Studentja Jastrab u vendos në Qendrën e Trajnimit Olimpik në Colorado Springs pas semestrit të parë në vitin 2019. Ajo u arsimua virtualisht ndërsa stërvitej për lojrat e Tokios - një orar i vështirë për të manovruar.

“Nëse vonohesh gjatë trajnimit, gjëja e fundit që dëshiron të bësh është hapja e kompjuterit pasi kthehesh në dhomë për të bërë detyrat. Pjesa më e vështirë është ruajtja e ekuilibrit mes shkollës dhe trajnimit sportiv. Për mua ishte e lehtë sepse jam e apasionuar pas të dyjave.”

Andrew Capobianco, një zhytës amerikan që ndjek Universitetin e Indiana-s, thotë se balancimi i shkollës dhe trajnimit e kanë ndihmuar atë të përgatitet për Tokion.

“Gjatë vitit të kaluar kam mësuar mjaft mirë ruajtjen e këtij ekuilibri. Kjo më ka ndihmuar që të kualifikohem këtë vit për Lojrat Olimpike.”

Notari bullgar Antani Ivanov, i cili studion në Virginia Tech (Instituti Politeknik i Virxhinias dhe Universiteti Shtetëror), thotë se pandemia i dha atij dhe sportistëve të tjerë më shumë kohë pushimi para lojërave.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse po shohim shumë rezultate më të mira në të gjitha disiplinat gjatë kësaj kohe, sepse njerëzit kishin një mendje më të qetë nga presioni dhe nga stresi i sportit.”

Rreth 11,000 sportistë do të garojnë në Lojërat Olimpike të Tokios. Medalisti i Olimpikeve të vitit 1992 Paul Wylie thotë se studentët sportistë të ekipit amerikan duhet të mbështeten tek përvoja dhe energjitë mendore që ata kanë kultivuar përmes orëve të panumërta duke balancuar shkollën dhe trajnimin.

“Këshilla ime do të ishte, mund keni bërë disa sakrifica për të qenë aty ku jeni. Mund të keni shpenzuar kohë larg studimeve ose larg sportit tuaj, por mbështetuni në trajnimin që keni bërë me trurin tuaj, sepse kjo ishte këshilla që m'u dha para Lojërave Olimpike”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat