Erolld Belegu: Besim Hasani pretendon vazhdimin e mandatit si delegat i sportit joekzistues në Kosovë

Sporti

Erolld Belegu: Besim Hasani pretendon vazhdimin e mandatit si delegat i sportit joekzistues në Kosovë

Nga: K.G. Më: 16 mars 2021 Në ora: 20:51
Erolld Belegu

Ish presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, kërkon me këmbëngulje që të luftohen federatat fantome në Kosovë. 

Belegu përmes një letre të hapur, ia numëron të gjitha Besim Hasanit, president që 24 vite i Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Belegu jep edhe disa detaje interesante të shpenzimeve në KOK brenda vitit 2020.  

“Tre kandidatë, por vetëm një opsion legjitim! KOK-u tash e 25 vjet udhëhiqet nga Besim Hasani! Asnjë zhvillim, asnjë organizim i brendshëm i mirëfilltë dhe mbi 45 % e buxhetit shpenzohet për "funksionarët" e KOK-ut ! Psh në vit pandemie mbi 250 mijë euro!

Besim Hasani pretendon vazhdimin e mandatit si delegat i sportit joekzistues në Kosovë - kërllingut! 

Paramendoni kjo "federatë" fantome do të ketë numër të njejtë të delegatëve ne Kuvend sikurse futbolli, basketbolli, hendbolli, volejbolli, xhudo... Por ky avaz nuk është risi për Kryetarin e përhershëm! Ai ka edhe disa federata që udhëhiqen nga familjarë të ngushtë që atij i japin fitore ndër vite! 

Tash do të provojë të kontrabandojë edhe dy sporte për të siguruar "votat e mjaftueshme" për edhe një mandat! Vlen të përmendet që Hasani në të kaluarën ka qenë i deleguar edhe nga peshëngritja (djali i tij Kryetar) e Karateja (sport jo olimpik), etj. Kombinime të pafundme për te mbajtur pozitën.

Por, këtë herë konkurrenti i vjen në formën e ish-mikut dhe kolegut të tij nga Federata e Karatesë, Kryetari i saj Ismet Krasniqi, që në Kuvendin e kaluar ishte përkrahës i Hasanit. Duke punuar me të, ky i fundit me gjasë është dëshpëruar dhe tani ka vendosur ta sfidojë. Por, qysh në fillim, Ismeti i cili udhëheq një federatë jo olimpike, e që rrjedhimisht nuk ka të drejtë të kandidojë fare, sfidën me Besimin po e zhvillon me të njëjtat metoda!

Ai në Kuvendin Zgjedhor të KOK do të paraqitet si kandidat për Kryetar i deleguar nga Federata e Atletikës së Kosovës!!! I njëjti, kuptohet që nuk ka asnjë aktivitet në këtë federatë e as nuk është zgjedhur në Kuvendin e së njëjtës, por është emëruar nga Kryetari i Federatës së Atletikës sa për të plotësuar kushtin ligjor për kandidim!!! Por, ndoshta Besimi ndryshe nuk mund të mposhtet!

Ndryshe mendon vetëm kandidatja e tretë, Linda Shala, që vjen si kandidate nga pozita e Nënkryetares në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Pos që vjen nga njëra nga Federatat më serioze dhe më të organizuara në Kosovë, Linda është donatore e sportit që 20 vjet, Kryetarja e parë femër në një klub basketbolli (KB Trepça), anëtare e  Bordit në FBK me vite të tëra dhe njëra ndër gratë më të spikatura në biznes e menaxhim e dekoruar shumëherë për të gjitha këto veprimtari.
Nga kjo që u theksua më lartë, do duhej të ishte e qartë se zgjedhja e Kryetares së KOK-ut do të duhej të ishte thjeshtë formalitet.

Jam i sigurt që shumica e delegatëve të Asamblesë Zgjedhore janë ngopur me metodat e shfrytëzuara ndër vite nga z. Hasani dhe miqtë e tij, siç jam i sigurt ndryshimi në KOK nuk mund të arrihet me metodat e tij, por me sinqeritet, punë, përkushtim dhe vizion, që sot mishërohen vetëm në formë të Kryetares së ardhshme të KOK, znj. Linda Shala!”, shkruan Belegu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat