Historia e krijimit të inkubatorit që shpëtoi jetën e mijërave bebeve

Speciale

Historia e krijimit të inkubatorit që shpëtoi jetën e mijërave bebeve

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 20:55

Në fillim të shekullit të 20, një mjek i Nju Jorkut përdorte metoda të pazakonta për të promovuar inkubatorët, me të cilët shpëtonte jetën e bebeve të lindura para kohe. Mjeku quhej Martin Couney. Shumë prej atyre bebeve - sot të rritur – i janë mirënjohës Doktor Couney-t që sot janë gjallë.

Në panairet e Nju Jorkut, Dr. Martin Couney ekspozonte një pavion me bebe të lindura para kohe. "Jeta fillon në Inkubatorin e Bebeve,” shkruhet këtu. Dhe inkubatorët ekspozoheshin përpara turmave në panairet botërore në Atlantic City dhe në Coney Island.

Mjeku ftonte prindërit e dëshpëruar të sillnin bebet e tyre të lindura para kohe dhe me 25 centët që paguante çdo vizior, ai siguronte kujdesin shëndetësor për të vegjëlit prapa xhamit.

Nga viti 1903 deri në 1943, Dr. Couney mbajti gjallë 7,500 nga të 8,500 bebet që kaluan nëpër pavionet e tij të ekspozimit.

Dr. Richard Schanler, është drejtor i shërbimeve neonatale në Qendrën Mjeksore Cohen të Nju Jorkut.

"Mund ta quash spektakël. Në fillim të shekullit të 20, ai demonstroi inkubatorët për fëmijët prematurë në panairet botërore, siç ishte parku i lojrave në Coney Island.”

Këta fëmijë, që sot janë në të nëntëdhjetat, nuk e harrojnë të mirën që u bëri Dr. Martin Couney. Sidomos sot kur bebet prematurë në shumicën e tyre lihen të luftojnë vetë për jetën. Ata nuk harrojnë se në atë kohë, inkubatorët ende nuk pranoheshin plotësisht nga spitalet.

95-vjeçarja Lucille Horn reflekton shpesh për jetën e saj të gjatë dhe mendon se ç’mund të kishte ndodhur po të mos ishte ky mjek i pazakontë që e vuri atë në ekspozitat e tij në Coney Island kur ajo kishte vetëm pak ditë që kishte lindur.

Ajo kishte lindur prematurë në vitin 1920. Motra e saj kishte vdekur dhe mjekët i thanë të atit se nuk kishte shpresë që bebja të jetonte.

"Ai tha: megjithatë ajo po jeton tani dhe ne duhet të bëjmë diçka. Babai më mbështolli me një peshqir dhe më çoi në inkubator tek Dr. Couney. Ndenja atje për një kohë të gjatë, gati 5 muaj.”

Dr. Couney ishte i njohur në atë kohë për faktin që i mbante bebet gjallë me inkubator.

Spitalet amerikane ishin të ngadalta në përdorimin e inkubatorëve. Një arsye ishte se besohej që bebet prematurë ishin të dobëta nga natyra dhe, nëse jetonin, do t’ua transmetonin këtë difekt pasardhësve të tyre.

Dr. Couney e hapi ekspozitën e parë me bebe në Parkun Luna të Nju Jorkut në vitin 1903.

Në vitet 1930, ai i ekspozoi inkubatorët nëpër panairet botërore të Nju Jorkut dhe Çikagos. Kjo punë vazhdoi deri në vitin 1943.

Beth Allen lindi në vitin 1941. Ajo tregon se e ëma në fillim refuzoi ta jepte beben për ekspozitë në inkubator, por më në fund pranoi.

"E gjithë kjo ishte diçka e mrekullueshme,” thotë zonja Allen, e cila sot jeton në Hackensack të Nju Xhersit. “Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësoj shansin që mu dha, faktin që sot jam gjallë për të folur me ju dhe të bëja jetën e mrekullueshme që kam bërë.”

Dr. Martin Couney vdiq në vitin 1950, pak kohë pasi inkubatorët u futën në përdorim të gjerë. Ata që mbetën gjallë dhe që ia detyrojnë jetën atij, duan që historitë e tyre të mos harrohen, të mos harrohet as historia e çuditshme e këtij mjeku, e cila me standardet e sotme do të ishte bërë shkak për zemërim dhe protesta.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat