Walid bin Talal – princi saudit që po shkrin pasurinë për bamirësi

Speciale

Walid bin Talal – princi saudit që po shkrin pasurinë për bamirësi

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 19:11

Ai nuk është një shembull për t’u imituar ndoshta, por ai është simbol i luksit, pa doreza. “Warren Buffett i Arabisë” është një princ saudit. Ai i përket figurave më të njohura ndër 8000 pinjollët e gjakut mbretëror saudit. Princi Walid bin Talal ka lindur si nipi i mbretit Salman, megjithatë është më i pasur se xhaxhai i vet, sipas revistës “Forbes” – e madje arabi më i pasur ndër të gjithë.

Me një pasuri private që kap vlerën e 32 miliardë dollarëve, 60-vjeçari renditet në fakt në vendin e 34-t ndër më të pasurit e kësaj bote. Si ka mundësi që një njeri i vetëm të jetë kaq i pasur? Dhe me çfarë e ka arritur këtë pasuri? E para së gjithash: përse princi së fundmi ka bërë të ditur se do ta shpenzojë pasurinë e tij për qëllime bamirësie?

Princi Walid ka pasur me siguri një pozicion ideal për t’ia nisur në rrugën e pasurisë. Si nipi i themeluesit të shtetit, Abd al-Aziz Ibn Saud, ai rrjedh nga dera më e njohur arabe e kësisoj qysh në fëmijëri ka mundur t’ia nisë nga një kapital fillestar i konsiderueshëm dhe një vilë prej 1,5 milionë dollarësh.

Ka studiuar në Kolegjin Menlo në Kaliforni (ekonomi e menaxhim) dhe në Universitetin e Syracuse-s në shtetin federal amerikan të Nju Jorkut, dhe pas kthimit në atdhe, i mbushur me mësimet e menaxhimit të ekonomisë në stilin perëndimor, arriti të krijojë më pas një “perandori” të vërtetë.

Walid, një punëtor i pashembullt në fakt, themeloi si fillim “Kingdom Holding Company” me seli në Riad, një konglomerat prej disa degësh të ekonomisë dhe aksionesh. Qysh në vitin 1983, pra pesë vjet pas përfundimit të studimeve, ai posedonte tashmë 450 milionë dollarë. Në portofolin e holdingut të tij bëjnë pjesë biznesi imobiliar, firmat e ndërtimit, paketat aksionere të të ashtuquajturit Blue Chips, pra disa ndërmarrje shumë fitimprurëse.

Princi zhvilloi një nuhatje shumë të imët për investime të zgjuara: Disney, 21st Century Fox, News Corp, Apple, General Motors, Twitter dhe një sërë hotelesh me shumë emër, siç është edhe “New York Plaza Hotel”, apo “George V” në Paris, por dhe “Savoy” në London.

Ish-nëpunësit e manjatit arab pohuan së fundmi për gazetën saudite “Saudi Gazette”, se princi realisht ndjek një ritëm të vetin ditor të punës. Ai fle deri në orën njëmbëdhjetë, më pas punon me ndërprerje të vogla deri në gjashtë të mëngjesit. Ai jeton sipas një diete të fortë të varfër në kalori, vrapon apo shëtit me orë të tëra në ditë.

Ai kërkon nga rrethi i tij i ngushtë i bashkëpunëtorëve, të punojnë vetëm gjashtë orë në ditë, sidoqoftë, pa bërë asnjë minutë pushim, pasi mendon se kjo është më efektive.

Ai njihet si tejet i gjindshëm dhe zemërmadh ndaj punonjësve të tij që gjenden në vështirësi, por mund të bëhet edhe shumë i rreptë me ata të cilët jetojnë pa mirësi. Ai urren thashethemet dhe njerëzit që nuk i përmbushin detyrat e tyre, shkurt: mosprofesionalizmin.

Dy të tretat e nëpunësve i ka gra apo femra. Njëra ndër to i shërben madje si pilote – në një vend ku gratë nuk lejohen t’u japin madje as makinave. Princi Walid, dhe këtë madje e pohojnë edhe kundërshtarët e tij, është një njeri me vizion.

Pallati i tij në Riad përfshin 42.700 metër katrorë dhe numëron 371 dhoma. Bin Talal parapëlqen të udhëtojë me Boeing 747-400 – të konceptuar e ndërtuar sipas shijes së tij personale, me shënimin “Pallati fluturues” që në mes të tij brenda në bord ka edhe një sedilje në formë froni mbretëror të veshur me ar.

Si klienti i parë ai porositi në vitin 2007 një Airbus A380 – me hapësira që ia lejojnë edhe parkimin e Rolls-Royce-it të tij të shtrenjtë, një kinema, banjo turke si dhe sexhde për të kryer faljen.

Nëse një udhëtim është planifikuar për në ujë, super-jahti 85 metërsh “Kingdom 5 KR” nga bordi i të cilit mund të nisen edhe helikopterë, vallëzon në Detin e Kuq.

Bamirësi më i madh i të gjitha kohërave

Projekti madhor është sërish një plan superlativash: “Kingdom Tower” në Xhedah. Qiellgërvishtësi kur të mbarojë (sipas parashikimeve do të duhet të përfundojë në nëntor 2019) do të ketë 1007 metra lartësi e do të jetë e para vepër ndërtimore që do të kalojë lartësinë e më shumë se një kilometri.

Kostot e saj të ndërtimit përllogariten të kapin vlerën e 1,2 miliardë dollarëve. Plane të mëdha pra. Por çfarë do të bëhet më pas kur princi miliarder ta dhurojë pasurinë e tij? “Unë besoj se një njeri në lartësinë e arritjeve të mia, duhet të marrë vendime dramatike dhe drastike”, tha Walid në katin e 66-të të selisë së holdingut të tij në Riad, nën shoqërinë e dy fëmijëve të tij, princit Khaled dhe princeshës Reem, nga fytyrat e të cilëve nuk të lihet të kuptohet asnjë shenjë miratimi apo mohimi për vendimin e të atit.

“Filantropia është një përgjegjësi personale dhe një pjesë shumë e vetëkuptueshme në besimin islam”, vijoi ai më tej. Ai beson se “dhurata” e tij me këtë rast do të ndihmonte të ndërtoheshin ura dhe të investohej në mirëkuptimin ndërkulturor, në zhvillimin e shoqërive, të drejtave të grave dhe në ndërtimin e një bote me tolerante.

Motivet që e kanë çuar atë përpara janë shumë të respektuara. Por kritikët kanë nisur të pretendojnë se përtej tyre është edhe diçka tjetër që mund ta ketë çuar princin saudit ta ndërmarrë këtë veprim.

Dhe sigurisht se dëshira për të thyer edhe një tjetër rekord botëror. Themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, i dhuroi botës së të varfërve dikur 28 miliardë dollarë nga pasuria e tij, Warren Buffett nga ana tjetër dha 23 miliardë.

Të dy u bashkuan para pesë viteve në një iniciativë nën emrin “The Giving Pledge”, një thirrje ndaj miliarderëve të kësaj bote për të lënë të paktën gjysmën e pasurisë së tyre në emër të bamirësisë, pas vdekjes së tyre.

E thirrja e tyre duket se ka pasur veshë për t’u dëgjuar, pavarësisht pretendimeve nga kritikët, të cilët e përflasin këtë iniciativë dhe e lidhin me arsye që kanë të bëjnë me përfitime të shumanshme që vijnë nga mospagimi i taksave. Sidoqoftë, posedohet një plan i mirëdetajuar për dividentin e pasurisë së tij në vitet në vijim e që shkon edhe pas vdekjes së tij.

Princi në këtë mënyrë do të renditej tashmë në krye të donatorëve, shkruante dje gjermania “Die Welt”, ndërsa lajmi për princin saudit dhe iniciativën e tij ka ditë që po qarkullon nën komente në mediat perëndimore. Ai do të ishte pra bamirësi më i madh i botës dhe i të gjitha kohërave. Dhe do të kishte me siguri një vend nderi në historinë njerëzore./gazeta-shqip/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat