Rrëfimet e shkrimtarit të oborrit: Kim Jong-Il qau para meje!

Speciale

Rrëfimet e shkrimtarit të oborrit: Kim Jong-Il qau para meje!

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 23:35

Jang Jin-Sung dikur ishte shkrimtar i oborrit të diktatorit koreanoverior, Kim Jong-Il. Si njëri ndër “renegatët” e rangut më të lartë, ai raporton tashmë mbi jetën private të klanit Kim: pas fasadës së atij që paraqitet si perëndi, gjërat janë shumë ndryshe. Ai thotë se madje është gjendur pranë kur diktatori ka shpërthyer në lot.


Koreja e Veriut është një vend nga i cili nuk depërton shumë jashtë vendit. Pushtetarët e dinastisë Kim e ruajnë me fanatizëm diktaturën e tyre nga ndikimet e jashtme. Edhe për regjimin dhe jetën private të klanit, pakçka dihet në publik – ato vërtiten nga disa anekdota komike e naive, e deri te disa tregime plot tmerr mbi Kim Jong-un.


Njëri, që flet si njohës i mirë i brendisë së klanit, është Jang Jin-Sung. Ai e ka përjetuar qysh herët klanin e Kimëve, dhe i ka njohur mirë, si Kim Il-Sung, ashtu dhe Kim Jong-Il; pra gjyshin dhe babain e pushtetmbajtësit aktual.


Kim Jong-Il ai e përshkruan si vulgar dhe të dëshpëruar, ndërsa Kim Jong-un, përkundrazi si një marionetë pa pushtet. Jang nuk lë asnjë fjalë të keqe pa thënë për regjimin e Koresë së Veriut – megjithëse ai edhe vetë i ka përkitur dikur atij.


“Unë isha pjesë e regjimit”


Nëse rastiste që të dilte jashtë vendit ndonjë informacion që lidhej me çështje të brendshme të regjimit, ai zakonisht bëhej prej “renegatëve”, që mundnin të arratiseshin nga diktatura. E njëri prej tyre është edhe Jang Jin-Sung. E jashtëzakonshmja tek ai është kur thotë se: “Unë isha pjesë e regjimit”, sikurse pohon ai për një redaksi perëndimore. E tashmë ai jeton në ekzil, në Kore të Jugut dhe flet hapur në shtyp për bëmat e klanit Kim.


Më shumë se 26.000 koreanoveriorë e kanë braktisur vetëm në 15 vitet e fundit vendin në drejtim të Koresë së Jugut. Shumë nga uria apo varfëria. Jang Jin-Sung përkundrazi, jetonte mirë në Kore të Veriut.


Shkrimtar oborri i preferuar për Kim Jong-Il


44-vjeçari ishte “shkrimtar i oborrit” në shërbim të shtetit, njëri ndër më të adhuruarit e – tashmë të vdekur – të dashuruarit pas lirikës, Kim Jong-Il, paraardhësit dhe babait të Kim Jong-Un. Jang bënte një jetë të privilegjuar në Phenian dhe kishte para në xhep.


“Edhe unë isha njëri prej atyre, që e mbanin më këmbë pushtetin e Kim Jong-Il dhe ushqenin kultin e tij”, pohon ai. Për plotfuqinë e diktatorit, ai thotë se kishte qenë tejet i bindur fillimisht.


Diktator pa mirësjellje


“Mirëpo kur e takova personalisht, kjo fasadë m’u shkërmoq para syve“, thotë ai. Papritur Jang po shihte se: “Kim Jong-Il nuk është një Perëndi. Ai është vetëm një njeri – i cili madje nuk është se posedon mirësjelljen – që ka mbledhur një fuqi jashtëzakonisht të madhe rreth vetes, duke u paraqitur si një Perëndi e duke u përpjekur të perceptohet si i tillë“.


Vitin e shkuar, Jang publikoi një libër. Versioni në anglisht mban titullin “Dear Leader“, si një lojëvënie për parullën e shumëpërdorur në atë vend për “udhëheqësin e dashur“ Kim Jong-Il. Në libër, Jang ndër të tjera përshkruan edhe takimin e tij me ish-pushtetmbajtësin absolut të Koresë së Veriut:


Diktatori qau para meje


Kim Jong-Il e kishte ftuar asokohe poetin e preferuar të oborrit në një audiencë, pasi njëra nga poezitë e tij e kishte prekur atë pa masë. Përveç dhuratave që mori, ai pati me të edhe një drekë të pasur. Mirëpo më pas, Kim ia nisi të qajë papritur, ndërsa po i këndohej një këngë popullore ruse. Të gjithë të ftuarit qanë bashkë me të. Një situatë e çuditshme. Papritur Kim Jong-Il, të cilin deri pak momente më parë, Jang e kishte perceptuar si Perëndi, dukej i dëshpëruar e madje edhe vulgar. Ishte fillimi i thyerjes së tij me regjimin.


Kohët e fundit, Jang punoi në sektorin e ribashkimit, i cili ishte përgjegjës për luftën psikologjike dhe spiunazhin ndërkorean. “Për këtë arsye, ne kishim akses në mediat koreanojugore, si dhe në letërsinë e saj”, thotë ai – diçka shumë e rrallë në Kore të Veriut.


Arrati nga frika për “tradhti të lartë”


“Njërin ndër këta libra, ia dhashë hua fshehtas një mikut tim“, tregon Jang. Ai e dinte se sa e ndaluar ishte dhe me sa rrezik, të nxirrje jashtë zyrës libra koreanojugorë e aq më tepër, t’ia jepje një njeriu tjetër.


Një ironi e fatit bëri që ky i fundit të arratisej. Miku në fjalë e humbi librin, ndërsa anëtarët e shërbimit të sigurisë shtetërore, e gjetën atë në tren dhe mundën të gjurmonin e të gjenin me saktësi se ai rridhte nga Jang. Tradhti e lartë. Kështu që në 2004 ai u desh të merrte arratinë nga vendi.


Kim Jong-Un, një marionetë pa pushtet


Vargjet e adhurimit për njërin ndër pjesëtarët e klanit Kim, ish-“shkrimtarit të oborrit” sot i duken jo të përshtatshme për t’i zënë më me gojë. Madje, ndodh realisht tërësisht e kundërta. Në librin e tij, Jang pretendon ndër të tjera se Kim Jong-Un s’është veçse një marionetë pa pushtet.


Pushtetin real në Kore të Veriut, përkundrazi e mbajnë vetëm një grusht i vogël njerëzish, që kishin siguruar qysh në kohën e Kim Jong-Il, pozicione me shumë ndikim. “Duket ashtu vetëm nga jashtë, sikur Kim Jong-Un posedon fuqi të plota“, thotë Jang.


Sot, një gazetar në Kore të Jugut


Sot, Jang Jin-Sung është një autor i njohur dhe gazetar në Kore të Jugut. Atje ka themeluar portalin e tij të lajmeve “New Focus International“, që trajton fenomene politike, ekonomike dhe shoqërore në Kore të Veriut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat