Kur çmimi i naftës të prekë fundin

Speciale

Kur çmimi i naftës të prekë fundin

Më: 30 mars 2015 Në ora: 08:18

Çmimi i naftës bruto në Shtetet e Bashkuara u ul përsëri në nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit, pasi qeveria raportoi se prodhimi i naftës vazhdon të rritet, duke tejngopur inventaret tregtare dhe magazinat. Kjo rënie e mëtejshme do të rrisë akoma më shumë presionin mbi prodhuesit amerikanë të naftës që prej kohësh tashmë luftojnë që të fitojnë para nga nafta e lirë. Por, lajmi i mirë është që ekonomia globale pritet të përfitojë nga rritja ekonomike dhe ulja e inflacionit që mendohet se do të shkaktojë ulja e vazhdueshme e çmimit të naftës. Çmimi i publikuar “West Texas Intermediate”, një lloj nafte bruto e Shteteve të Bashkuara, u reduktua akoma më shumë ditën e mërkurë, më 18 mars, duke arritur në 42 dollarë për fuçi, pasi qeveria raportoi se magazinat amerikane janë të mbingopura në nivelet më të larta të 80 viteve të fundit. Administrata e Informacionit të Energjisë, një institucion ndihmës i Departamentit amerikan të Energjisë, tha se rezervat e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara janë rritur me më shumë se 9,6 milionë fuçi gjatë javës së kaluar, një sasi shumë herë më e lartë nga sa ishte parashikuar nga ekspertët dhe analistët e energjisë.
Kjo është një shenjë e qartë se, prodhuesit e naftës në Amerikanë nuk janë duke mbizotëruar tregun e eksportit pavarësisht uljes së çmimit të naftës me më shumë se 50 për qind që nga vera e kaluar. Pas një analize të publikuar të martën e kaluar, ku parashikohej të rriteshin tejmase sasitë stok, tregtarët filluan të nxirrnin kthetrat e tyre, por raporti i paraqitur këtë javë nga qeveria amerikane e shtoi edhe më shumë tensionin ndërmjet tyre.
“Inventari i naftës bruto të Shteteve të Bashkuara është në nivelin më të lartë të 80 viteve të fundit”, raportoi Administrata e Informacionit të Energjisë. Me një mbingopje kaq të madhe të tregut, duket qartë se çmimi do të vazhdojë të jetë i ulët për një kohë shumë të gjatë, pavarësisht një rritje të vogël që pësoi në fund të vitit të kaluar.
Ndërkohë që, ky është një lajm tepër i keq për vendet prodhuese të Amerikës, dhe veçanërisht për Teksasin, mund të sjellë avantazhe të mëdha për pjesën tjetër të botës. Çmimi i benzinës kudo është më i lirë në krahasim me vitin e kaluar, duke lënë kështu më shumë para në xhepat e konsumatorëve të botës.
Banka Botërore arriti në konkluzionin se kolapsi i çmimit të naftës pritet të rrisë GDP-në globale me të paktën 0,7 ose 0,8 për qind në periudhën afatmesme. Për vendet që importojnë naftë, faturat më të ulëta do të përkthehen në aktivitet më të fuqishëm korporativ, raportoi Banka Botërore. Ndërkohë, për vendet më të varfëra të botës, çmimi i ulët i naftës pritet të sjellë lajme akoma më të mira. Rënia prej 45 për qind e çmimit duhet të sjellë të paktën një rënie prej 10 për qind të çmimit të produkteve agrikulturore, gjë që do të thotë se çmimet e ushqimeve kryesore duhet të ulen ndjeshëm për vendet më të prekura nga varfëria.
Megjithatë, këto lajme të mira vështirë se mund të sjellin ngushëllim për prodhuesit e naftës në Shtetet e Bashkuara. Për të pasur fitim, ata që prodhojnë naftë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së lartë hidraulike, kanë nevojë për çmime më të larta karahasur me prodhuesit që nxjerrin naftë nga puset tradicionale. Industria ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit për të shtrydhur me eficencë puset e naftës dhe për reduktuar ndjeshëm koston e prodhimit, gjë që e ka ndihmuar të mbijetojë edhe gjatë kolapsit të çmimeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat