Kur lindnin vegimet e një Europe të Bashkuar

Speciale

Kur lindnin vegimet e një Europe të Bashkuar

Më: 5 mars 2015 Në ora: 00:38

Qoftë Greqia apo Ukraina – thuajse asnjë krizë sot në kontinent nuk mund të mos krahasohet me paralelet historike. Në rastin grek është Lufta e Dytë dhe periudha menjëherë pas saj: politikanët në Athinë i kujtojnë tollonat e racioneve të ushqimeve gjatë pushtimit gjerman dhe qeveria e re kërkon në të njëjtën kohë një plan “Marshall”, sipas shembullit të Pasluftës. Në rastin e Ukrainës, qysh prej vitit përkujtimor 2014, tashmë para së gjithash mund ngriheshin paralele me vitin e mbrapshtë 1914.

Por diskutimi i frytshëm që sidoqoftë ka nisur mbi të ardhmen e Bashkimit Europian nën drejtimin e Komisionit të tij të ri, duket se ka nisur jo njëqind, por dyqind vjet më parë. Pasi me Marrëveshjen e Paqes në Paris 1814, dhe një vit para saj, para se Napoleoni të mundej përfundimisht në Waterloo, nisi një debat mbi formën e ardhme të Europës, argumentet e mbështetësve të së cilës u ngjajnë fort atyre të sotmeve – e në një mënyrë apo një tjetër janë paradoksalisht shumë aktuale.

Vetëm me një bashkësi europiane mund të sigurohet paqja

Me zë të lartë thërriste asokohe Claude D. Conter argumentet e tij për një Europë të bashkuar e të fortë. Konservatori në “Centre national de littérature Mersch” në Luksemburg përshkruan se si në vitin 1814 mendimi i bashkësisë së popujve ishte më i fortë sesa më parë, duke synuar një union ku integrohen edhe modelet politike dhe sociale (shih: Konstruktivistët europianë dhe europianët klasikë. Forcat shtytëse të diskutimit të idesë europiane mes viteve 1815 dhe 1848, në: Bashkimi Europian në shekujt 19 dhe 20. Aktorët dhe forcat shtytëse. Botuar në Gjermani 2014, 171 faqe).

Kur qysh në vitin 1814 idetë mbi Europën nisën të krijonin një koniunkturë, ideja në fjalë e një Lidhje Europiane Kombesh, sipas analizës së Conter, ishte shumë interesante.

Kështu, ai argumentonte se këshilltari danez, Konrad Schmidt-Phiseldek, në një pamflet të tijin në atë kohë me titull “Lidhja Europiane”, fliste për një bashkësi me të drejta të barabarta kombesh e shtetesh të lira, që vetëm në këtë mënyrë do të siguronin paqen në Europë, kontinenti që shihej si pjesa më e përparuar dhe më e pasur e rruzullit që mbart gjithashtu edhe një domethënie historike më vete – një përshkrim thuajse i njëjtë ky me kërkesat e sotme për një Europë më të fortë e më konkurrente në aspektin ndërkombëtar, në një botë gjithnjë e më shumë të globalizuar me marrëdhënie shumë dinamike e të ndryshueshme.

Ideja e një monedhe të përbashkët është 200-vjeçare

Schmidt-Phiseldek nuk iu afrua vetëm argumentimit të sotëm. Ai skicoi qysh para dyqind vjetësh një model të Bashkimit Europian, që sot në pjesën më të madhe të argumentimit të tij, tashmë rezulton akoma një debat modern e ekzistent: pra me barazi ligjore të bazuara në një marrëveshje të tipit federalist të shteteve sovrane, me lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve, me një gjykatë europiane, një Parlament Europian, një Kushtetutë europiane, një sistem unik drejtësie, një ushtri të përbashkët – dhe së fundmi – edhe me një monedhë të përbashkët.

Reforma e monedhës europiane në këtë rast do të duhej të ishte një bazë e mirë për një sistem të përbashkët fiskal e tatimor që do të harmonizonte politikat e shteteve anëtare për buxhetet. Kritere për këtë do të ishin: kufizimi i borxheve të shteteve dhe qarkullimi i lirë i brendshëm.

Përvojat e 1814-s çuan në katastrofë

Sot, pikërisht të motivuara nëpërmjet krizave në Greqi e Ukrainë, shanset si pasojë e ngritjes së tensioneve të brendshme e të jashtme ndaj BE-së, nuk janë të këqija që Europa të bashkojë brenda saj edhe pjesët e munguara të një Unioni të tillë – dhe pse jo edhe si përgjigje ndaj sfidave që po na ofron një botë gjithnjë e më shumë e globalizuar dhe e dixhitalizuar e shekullit të 21-të.

Para dyqind vjetëve, një union i tillë i europianëve sidoqoftë mbeti vetëm një utopi: Europa pas fundit të Perandorisë së Napoleonit, shkoi në Kongresin e Vjenës në 1815, jo me një hap të përbashkët për të gjetur më shumë bashkim, por mbeti e kapluar edhe më fort nga ideja e mendimit dhe veprimit nacional.

Viti përkujtimor 2014 me krizat që po shfaq, të kujton krisjet plot pasoja të 1914 dhe 1939. Për më tepër, Europa duhej të kujtonte vitin 1814 – e madje meqë jemi në 2015, është rasti të kujtojmë 1945 e 1990.

Marrë nga “Sueddeutsche Zeitung”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat