Baltikët nisin zborin – për të ruajtur nderin, krenarinë dhe lirinë

Speciale

Baltikët nisin zborin – për të ruajtur nderin, krenarinë dhe lirinë

Nga: Marrë nga Revista “Focus” Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 16:52

Kujdes, po vijnë rusët. Mbrojtja civile në Estoni, Letoni dhe Lituani po njeh përmasa të mëdha qëkurse ia nisi dhe kriza në Ukrainë. Ata duan të mbrojnë me sa munden vendet e tyre ndaj një agresioni të huaj, duke përdorur armët që posedojnë vetë.

Sulmi duhet të ndodhë nga dy anë – nga deti e toka. Në vend të tyre, rusët dërgojnë një anije të vogël në portin e Veere-s në veriperëndim të Estonisë. Si një manovër mashtruese për kundërshtarin. Prej atje ata hapin zjarr, ndërsa trupat kryesore këmbësore afrohen përgjatë brigjeve. Thuajse asnjë estonez nuk i mbijeton sulmit, një zjarr mitralozash e automatikësh mbysin edhe shenjat e fundit të rezistencës. Rusët kanë pushtuar territorin baltik. Të kuqtë fitojnë.

Është praktikisht fundi i një seance stërvitore në ishullin estonez të Saaremaa-s. Dhe megjithatë, baltikëve, d.m.th. estonezëve, letonezëve dhe lituanezëve, ëndrra e tmerrshme u duket shumë realiste. Frika është sërish aty, pasi sikurse Stalini në 1940, edhe presidenti rus, Vladimir Putin, mund t’i gllabëronte sërish tri republikat e vogla baltike. Frika, në fakt, nuk është larguar kurrë prej kokave të tyre, me gjithë anëtarësimin e tyre në NATO. Qëkurse shpërtheu kriza në Ukrainë, për ta tashmë ajo është bërë edhe më e mprehtë.

“Këtë radhë po luftojmë”, thotë Meelis Kiili, gjeneral dhe komandant i njësisë mbrojtëse estoneze “Kaitseliit”, me një vështrim të zymtë. Ndër shtetet baltike ka shpërthyer një valë patriotizmi. Mbrojtjet popullore e tradicionale si në rastin e “Kaitseliit”, apo të Gardës Kombëtare Letoneze “Zemessardze” dhe të njësive të bashkuara mbrojtëse lituaneze, tashmë janë shumë të lakuara. Arkitektë, specialistë IT-je, studentë, sipërmarrës – shumë prej tyre duan të mbrojnë me çdo mënyrë atdheun e tyre, nëse puna do të vijë të përballen dhëmbë për dhëmbë me armikun. Sigurisht se NATO, në rast të një sulmi, do të nxitonte të jepte ndihmën e vet. “Një për të gjithë, të gjithë për një”, citojnë disa prej pjesëmarrësve në stërvitje shprehjen e famshme të musketierëve. Dhe megjithatë, dyshimet mbesin e pikëpyetjet ngrenë kokë.

Edhe këto të fundit janë të arsyetuara në historinë botërore. Deri në vitet ’50, partizanët baltikas luftonin kundër pushtuesve sovjetikë. Në ndihmë, atyre asokohe nuk u erdhi askush.

“Asnjëherë nuk i dihet”, thotë Marii Koost nga njësia estoneze “Kaitseliit”. “Unë ndihem më mirë, nëse u besoj të tjerëve”. 21-vjeçarja u përket 1340 vullnetarëve e vullnetareve që marrin pjesë në stërvitjen në ishullin Saaremaa. Kjo është stërvitja më e madhe që trupat estoneze, letoneze e ato lituaneze kanë zhvilluar ndonjëherë së bashku. Në ishullin e mrekullueshëm të Baltikut, ku në verë vijnë plot turistë rusë, baltikët po stërviten, se si t’i mbajnë larg brigjeve të veta, rusët.

“Nëse do të jetë e nevojshme, atëherë do ta mbroj vetë familjen time”, thotë Koost e vendosur dhe shtrëngon automatikun e saj të prodhimit suedez “AK4”. Nga një pikë e lartë në kodër, fshehur mes shkurreve, ajo sheh e tendosur në drejtim të portit. Shirita të bardhë në afërsi shënjojnë një zonë të minuar. Papritur mbi të qëllohet me zjarr mitralozash e automatikësh e tymi ngjitet lart. Komandanti i trupave të Koost-it, me shiritin blu të mbrojtësit, flet paksa i acaruar në radio. Mos po afrohet armiku?

“Gjithçka duhet të duket sa më realiste dhe efektive të mundet”, thotë komandanti i Kaitseliit, Kiili. Gjenerali vetë është një profesionist sikurse edhe rreth 300 oficerë të tjerë, që duhet të stërvisin e t’i përgatisin për të qenë të gatshëm luftëtarët estonezë të lirisë edhe për rastin më të keq – me paratë e qeverisë.

Kiili, dikur një ushtarak i Ushtrisë së Kuqe, ndodhet në shtëpinë e kulturës së fshatit Lümanda. Salla e shfaqjeve shërben në këtë rast si një qendër operacionale. Një kosh basketbolli kalon pa dashje mbi kokat e pjesëmarrësve dhe në skenë ndodhen rekuizitat e inskenimit të fundit. Në fakt Kiili, një sulm konvencional të Rusisë, nuk e mban si shumë të mundshëm. “Më shumë na duhet të llogarisim se do të kemi të bëjmë me një kombinacion të sulmeve kibernetike, presioneve ekonomike dhe manipulimit të ‘diasporës ruse’, apo më shkoqur, të minoritetit rus në republikat baltike”, thotë ai. “Rusia i ka nisur në mënyra të ndryshme secilin nga këto konflikte – atë në Gjeorgji, Krime e Ukrainën Lindore. Ata i kanë analizuar shumë mirë dobësitë e kundërshtarëve të tyre”. A do të kishin baltikët ndonjë shans pra për fitore? “Dëshira mbrojtëse e estonezëve duket se është shumë e madhe. Por morali është tri herë më i rëndësishëm se sa shifrat”.

Rreth 15 kilometra larg selisë qendrore të Shtabit të Përgjithshëm, në Jaagarahu, gjendet edhe rreshteri amerikan, Anthony Richardson, që kujdeset për gatishmërinë luftarake të ushtarëve në fundjavë. Për herë të parë në një stërvitje të tillë kanë marrë pjesë edhe 60 amerikanë. Janë ushtarë të brigadës së 173 amerikane të parashutistëve nga Grafenëöhr-i. Ata duhet të thyejnë një barrikadë të estonezëve në një largësi prej 300 metrash. Këtë radhë, amerikanët luajnë rusët që sulmojnë estonezët. “Kjo është e re për ne, – buzëqesh Richardson, – e për herë të parë e morëm vesh këtu”.

Kaq shumë mbrojtje profesionale nga jashtë, Unioni i Mbrojtësve lituanezë nuk është se merr zakonisht. Por edhe atje luftëtarët vullnetarë, në të ardhmen, duhet të lidhen më fort me mbrojtjen e atdheut. “Ne na duhet të mbrojmë vlerat tona”, arsyeton Kristijonas Vizbaras, 30-vjeçar, themelues i një sipërmarrjeje të teknologjisë së lartë, se pse ai gjendet në një stërvitje që ushtron mbijetesën dhe luftën në rrugë.

Bashkë me të, në njësinë në fjalë janë anëtarësuar edhe motra, dy vëllezërit dhe babai. “Unë nuk dua thjesht të pres rusët si viktimë e në fund të braktis vendin. Unë jam krenar për atë që ne kemi ndërtuar”, thotë Vizbaras. Në një sallë në afërsi të kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, ai qëllon bashkë me tetë vullnetarë të tjerë mbi disa fleta letre ngjyrë të gjelbër që shërbejnë si objektiva, në fillim shtrirë e pastaj më këmbë. Me një municion të pasur, 100 goditje për person në çdo mbrëmje. Dy trajnues të forcave speciale të policisë lituaneze, mundohen t’i korrigjojnë. Ata, sikurse edhe municionet dhe armët gjysmautomatike, financohen nga vetë grupi.

Thuajse çdo “pushkatar” në këtë mbrëmje, tregon në Vilnius, se familja e tyre ka humbur të afërm gjatë pushtimit të vendit nga ish-Bashkimi Sovjetik. Stërgjyshërit e Vizbaras për shembull, vdiqën në Vorkuta, në Siberi, kushërinjtë e gjyshes ranë dëshmorë në luftën partizane.

Disa herë në vit, forcat mbrojtëse baltike, testojnë aftësinë e tyre në reagimin e shpejtë. Në rast lufte, ata duhet të mbrojnë urat, lidhjet elektrike dhe ato të komunikacionit. Nëse në telefonin celular vjen ndonjë sinjal, estonezët për shembull duhet të jenë gati për luftë, brenda dy deri në katër orë. Kush angazhohet me mbrojtjen territoriale, ka njërën ndër punët më të vështira.

Në kohë paqeje, mbrojtësit civilë duhet të ndihmojnë të shmangen trazirat sociale. Që pa u vënë re, ushtarët rusë mund të depërtojnë në atdheun e tyre, ata e përjashtojnë si mundësi. “Ne kemi anëtarët tanë në çdo fshat. Asgjë nuk mbetet jashtë vëmendjes sonë”, thekson shefi i batalionit estonez “Kaitseliit”, gjenerali Kiili. Në shkolla, mbrojtësit civilë përveç kësaj, po kujdesen edhe për edukimin ushtarak të fëmijëve e të rinjve. Në organizatën letoneze “Vigjilenti i ri”, mijëra fëmijë, duke ia nisur qysh nga mosha 10-vjeçare, po mësojnë se si të sillen me armën. “Edhe kur ata nuk i bashkëngjiten dot ushtrisë apo njësive të forcave mbrojtëse vullnetare, ata gjithsesi prej kësaj bëhen më patriotë”, mendon Rolands Molnik, komandant i batalionit të 27 të këmbësorisë të Gardës Kombëtare Lituaneze.

Është mëngjes herët mbi Saaremaa, e njerëzit e Molnikut kanë kaluar natën mbi makinat e rënda vikinge në mes të fushës e tashmë është ora të çohen. Ata duhet t’i vijnë në ndihmë një njësie estoneze të rrethuar nga rusët. Kur ata kthehen nga misioni në mesditë, të gjithë duken të gëzuar. Këtë radhë ata i mundën blutë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat