Facebook: Jo politikës përpara presidencialeve 2016 në SHBA!

Speciale

Facebook: Jo politikës përpara presidencialeve 2016 në SHBA!

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 17:23

Fushata e rizgjedhjes së Barack Obama-s u bë pioniere e një mënyre të re fushatash politike që i takuan zgjedhësit përmes Facebook-ut, kur ky nxori një aplikacion që ndihmonte mbështetësit t’u çonin miqve të tyre materiale të lidhura me Obama-n.

Por, teksa fushata e zgjedhjeve presidenciale 2016 afrohet, Facebook po bën një ndryshim për të parandaluar kandidatët e ardhshëm të bëjnë të njëjtën gjë. Kështu, rrjeti social i mbyll një derë politikës që arriti formën e saj më të sofistikuar përmes Facebook-ut.

“Është një ndryshim i drejtë”, – thotë Teddy Godd, i cili ishte drejtori dixhital i Obama-s në vitin 2012 dhe që mbikëqyri përpjekjen që e ndihmoi fushatën e Obama-s të fitonte 45 milionë mbështetës në Facebook atë vit.

Skuadra e Goff e përdori Facebook-un dhe mjetet e tjera për të regjistruar më shumë se një milion votues online dhe për të mbledhur 690 milionë dollarë online, në vitin 2011 dhe 2012.

“Ajo që bëmë dhe që do të ndikohet më shumë, ose më saktë, që do bëhet e pamundur nga ndryshimet që ata do të bëjnë, është shënjestrimi i mjetit shpërndarës”, tha Goff.

Më shumë se 1 milion mbështetës të Obama-s në 2012, instaluan aplikacionin e Facebook-ut për fushatën. Këtyre mbështetësve iu dha mundësia të ndanin listën e miqve me fushatën e Obamës. Goff tha se shumica e përdoruesve të aplikacionit e bënë këtë gjë.

Dhe kur ata vepruan kështu, skuadra e Goff më pas i përdori listat e miqve dhe ofroi sugjerime se me cilët miq mund të ndaheshin materialet e fushatës.

Kjo ishte një formë e re dhe e fuqishme për të mbërritur te votuesit. Fushata e Obama-s përfshiu aq shumë votues, veçanërisht të rinj amerikanë që nuk u besonin reklamave televizive apo formave të zakonshme të fushatave elektorale. Por ata ishin ende të hapur ndaj mesazheve që u vinin prej miqve dhe të njohurve.

Çelësi për të pasur përfaqësim sa më bindës te votuesit skeptikë, ishte rekomandimi nga miqtë e tyre, të cilët ata i njihnin dhe kishin besim.

“Është shumë e fuqishme për një fushatë të jetë në gjendje që t’i thotë një përdoruesi: ‘këtu janë miqtë tuaj që mund të binden. Ndaje këtë video direkt me ata’”, – tha Goff.

Fushata e Romney-t filloi ta bënte këtë, por vetëm në tetor, një muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.

Më pas, në pranverën e 2014-s, Facebook, duke iu përgjigjur shqetësimeve në rritje për privatësinë, e kufizoi shpërndarjen e informacionit të përdoruesit për palët e treta, kur të parët instalonin një aplikacion.

“Ne kemi dëgjuar nga njerëzit se ata janë shpesh të befasuar kur një mik i tyre ndan informacionin e vet me një aplikacion”, shkruan menaxheri i inxhinierisë së Facebook-ut, Jeffrey Spehar, në një postim në blog. “Ndaj ne kemi përditësuar përdorimin e Facebook-ut në mënyrë që çdo person të vendosë se çfarë informacioni do të ndajë me të tjerët, përfshirë listën e miqve”.

Sot, kur përdoruesit e Facebook-ut vendosin të ndajnë listën e miqve me një aplikacion, vetëm miqtë që e përdorin këtë aplikacion, bëhen të dukshëm, thotë zëdhënësja e Facebook-ut, Tera Randall.

Ndryshimet hynë në fuqi për aplikacionet e reja nga 30 prilli dhe për ato ekzistuese, u la një vit kohë përpara se të bëheshin ndryshimet.

Nga 30 prilli i vitit 2015, ndryshimet e bëra nga rrjeti social do të hynë në fuqi për këdo. Kjo e bën fushatën pak më të vështirë dhe më konkurruese, por republikanët nuk shprehen aspak të keqardhur për ndryshimet e Facebook-ut, pasi janë shprehur se do të përqendrohen më shumë te të drejtat themelore, sesa te sofistikimi kibernetik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat