Presidenti i ri rumun: Njeriu “me duar të pastra” e rrënjë gjermane

Speciale

Presidenti i ri rumun: Njeriu “me duar të pastra” e rrënjë gjermane

Më: 18 nëntor 2014 Në ora: 17:51

Për herë të parë një politikan me rrënjë etnike gjermane, bëhet President i Rumanisë. Klaus Johannis ka qenë prej 14 vitesh kryebashkiaku i qytetit të Sibiut ose siç njihet në gjermanisht ndryshe edhe si “Hermannstadt”.

Të dielën, ai fitoi papritur në raundin e balotazhit kundër socialdemokratit që mbante edhe frenat e qeverisë, Viktor Ponta. Politikani konservator, Johannis, i përket pakicës gjermane në Rumani që jeton kryesisht në rajonin e Zibenbyrgenit (origjinal gjermanisht: “Siebenbürgen”) banorët e të cilit në fakt janë saksonë nga origjina, të vendosur atje prej shekujsh.

Mësues fizike, kryebashkiak e President: Kush është Klaus Johannis?

Karriera e Klaus Johannis, sigurisht që nuk është tipike për një politikan të nivelit të lartë. I sapozgjedhuri nga populli rumun si President, është një fenomen politik, shumë i suksesshëm. 55-vjeçari i sotëm ka studiuar fizikë dhe ia nisi më pas të punonte si mësues gjimnazi e ndërtoi një karrierë si i tillë, edhe pas rrëzimit të diktaturës së Çausheskut.

Më pas, prindërit e tij shkuan së bashku me të motrën në Gjermani, e sot ata jetojnë pranë Vyrcburgut (Ëürzburg). Ndërsa Klaus Johannis vendosi asokohe të qëndronte në vendlindje.

Meritat e tij politike, rumuni me rrënjë gjermane e që është martuar me një rumune, i fitoi në rrafshin e politikës lokale. Kështu, në vitin 2000, ai u bë kandidat i Forumit Demokratik të Gjermanëve në Rumani (DFDR), të cilit ai i përket qysh në vitin 1990, duke u zgjedhur si kryebashkiak i qytetit të tij të lindjes, Sibiu.

Johannis arriti ta shndërronte qytetin e tij të lindjes, një qytet i vjetër, me arkitekturë të bukur, plotësisht me fasada të reja e të kujdesej që në vitin 2007 madje ai të shpallej edhe si “Kryeqyteti europian i kulturës”.

Ai rinovoi infrastrukturën e qytetit, ngriti më këmbë një administratë moderne e eficiente dhe tërhoqi në qytet investime gjermane e austriake. Tri herë me radhë, Johannis u zgjodh si kryebashkiak nga banorët e qytetit që e zgjodhën atë me një shumicë votash e konsensus për t’u admiruar.

Me imazhin e tij solid e pikësëpari të pastër, saksoni nga Zibenbyrgeni arriti më pas të katapultohet në rrafshin e politikës së madhe. Në vitin 2013, ai u anëtarësua në Partinë Nacional-Liberale për herë të parë si kryetar i bashkisë së qytetit ku drejtonte, e në 2014-n ai u bë edhe kryetar i partisë.

Me sloganin “Një vegël e mirë në duart tuaja”, Johannis ia hyri pa humbur kohë edhe garës për president. Edhe pse një fushatë elektorale e ashpër, me të cilën shanset e një protestanti me rrënjë gjermane nga krahina e Sibenbyrgenit mund të ishin shumë të paragjykuara.

E tashmë ai duhet të dëshmojë – sikurse më parë, një politikan vendor – e të bindë edhe në rrafshin nacional e ndërkombëtar, me aftësitë e tij.

Si u arrit fitorja e Johannis?

Në raundin e parë zgjedhor më 2 nëntor, Kryeministri Viktor Ponta shihej akoma si një fitues potencial, pasi ai doli fitues. Socialisti arriti të merrte, me një pjesëmarrje prej 53,2 përqindësh, një shifër prej 40,4 përqindësh të votuesve, shumë mbresëlënëse në fakt.

Klaus Johannis garonte për Aleancën Kristian-Liberale (ACL), së cilës i përket në fakt edhe partia e tij, PNL. Ai mori vetëm 30,4 për qind në raundin e parë, por ia doli mbanë të shkonte në balotazh.

Në votimet e së dielës së fundit, më 16 nëntor, ai ia doli të merrte në mënyrë fare surprizuese 55 të votave. Në suksesin e tij, sigurisht se ndikoi në krahasim me raundin e parë, mobilizimi i zgjedhësve, kështu, pjesëmarrja në raundin e dytë kapi shifrën e 62 përqindëshit.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, të dielën shkuan drejt kutive të votimit rreth 379 000 rumunë që jetojnë jashtë vendit ose më shumë se dyfishi i atyre që votuan në raundin e parë.

Prej 160 000 rumunëve që jetojnë jashtë vendit, qysh në raundin e parë kishin votuar vetëm 16 për qind për Viktor Pontan. Nëse ky grup nuk do ta kishte ndryshuar mënyrën radikale të sjelljes së vet zgjedhore, ajo do të kishte ndikuar në masë për fitoren e Johannis.

Përse papritur kaq shumë rumunë të diasporës në zgjedhje?

Ndër motivet që luajtën rol, duhet të ketë qenë edhe “inati” i shumë rumunëve. Qeveria e Pontas ua kishte vështirësuar pjesëmarrjen në zgjedhje rumunëve jashtë vendit. Një proces zgjedhor elektronik ishte po aq pak i pamundur, sikurse edhe vota me letër postare. Thuajse 294 lokale zgjedhore u ishin vënë në dispozicion më shumë se dy milionë rumunëve jashtë vendit, pesë prej të cilëve ndodheshin në Gjermani.

Zgjedhësit kësisoj duhej të ndërmerrnin shpesh një udhëtim të gjatë brenda Gjermanisë e t’i bënin hesapet mirë me radhët e gjata gjatë votimeve. Në një stacion zgjedhor erdhën hap pas hapi në votim rreth 7000 zgjedhës me të drejtë vote. Nëse bëjmë një krahasim: për zgjedhjet e Bundestagut në vitin 2013, në dispozicion të 2,5 milionë zgjedhësve me të drejtë vote, qëndronin në Berlin rreth 1700 lokale zgjedhore, e këto janë mesatarisht më pak se 1500 zgjedhës për lokal zgjedhor.

Mirëpo, me të gjitha radhët e gjata të pritjes për të votuar, shumë rumunë, gjatë raundit të dytë që u zhvillua më 2 nëntor, nuk mundën ta jepnin dot votën e tyre, e kështu që edhe në këtë raund, u hasën plot probleme të kësaj natyre.

Ponta, me gjithë një rekomandim të Komisionit Qendror Zgjedhor, kishte refuzuar të hapte më shumë lokale zgjedhore. Në shumë qytete pati madje edhe përplasje e protesta. Në Paris, të shtunën në mbrëmje u verifikuan përplasje e thirrje para ambasadës rumune.

Policia u desh të ndërhynte me gaz lotsjellës kundër rumunëve protestues, që nuk kishin mundur dot të jepnin votën e tyre, sepse ambasada ua kishte mbyllur dyert.

Në Mynih, zgjedhësit rumunë në diasporë u panë të mbanin në duar edhe pasta dhëmbësh, për të dëshmuar në mënyrë demonstrative, kështu që ishin të gatshëm të rrinin aty edhe me orë të tëra.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat