Përse Polonia po e risheh strategjinë e saj në kufijtë lindorë?

Speciale

Përse Polonia po e risheh strategjinë e saj në kufijtë lindorë?

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 23:07

Polonia po përpiqet t’i zhvendosë një pjesë të trupave të saj nga perëndimi në lindje dhe ka reaguar kësisoj ndaj kërcënimeve që mund të shfaqen nga një ndërhyrje e mundshme ruse ndaj territorit të saj. Këtë e bëri të ditur së fundmi, ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, në një sërë intervistash. Përveç kësaj, ai theksoi se synimi i qeverisë është që buxheti për mbrojtjen, në të ardhmen e afërt, të shtohet ndjeshëm. Qysh gjatë vitit në vijim do të implementohen plane për modernizimin e sistemeve të armatimit.

Me zhvendosjen e trupave, që nuk janë në një numër të madh e që efektet tyre do t’i shfaqin vetëm pas vitit 2017, anëtari aktiv i NATO-s, Polonia, do të pësojë kësisoj një shndërrim e riorientim thelbësor të strategjive të tij ushtarake. Deri më tani, janë rreth 120 000 ushtarë polakë, sipas të dhënave të Ministrisë polake të Mbrojtjes, që më së shumti janë stacionuar në kufijtë perëndimorë të vendit – një relike paradoksale në fakt kjo, e mbetur nga kohët e Luftës së Ftohtë, kur Polonia u përkiste forcave të Traktatit të Varshavës dhe e shihte NATO-n si armik e agresor të mundshëm.

Ndërkohë, ka kaluar një çerekshekulli qëkurse u rrëzua sistemi i vjetër komunist dhe Traktati i Varshavës u shkri. Qysh prej 2004, Polonia është bërë edhe vetë tashmë anëtare e Aleancës Veriatlantike. Si kërcënuese, ajo tashmë vlerëson Rusinë, e frika më e fundit lidhet sigurisht me aksionin rus në Ukrainë dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë, në pranverë të këtij viti.

Helikopterë të rinj dhe mbrojtje ajrore moderne

Në reaksion ndaj këtij hapi, Polonia, sikurse edhe tri vendet baltike, kanë ndërmarrë prej muajsh një program modernizimi e përforcimi të sistemeve të tyre mbrojtëse. Buxheti i mbrojtjes deri në vitin 2016, me një vlerë prej rreth 190 milionë eurosh, do të pësojë një rritje prej dy përqindësh të GDP-së, siç e parasheh edhe një plan afatshkurtër i NATO-s.

Vetëm katër nga 28 vendet anëtare të NATO-s, e ndër ta edhe Estonia, i janë përmbajtur deri më tani këtij zotimi, e Polonia ndodhet në fakt pak pas Estonisë. Lituania dhe Letonia ndodhen, me rreth një për qind, më pas, por duan sidoqoftë, që ta arrijnë këtë objektiv sa më shpejt të jetë e mundur.

Në Poloni, para shtesë do të derdhen edhe për modernizimin e sistemeve të mbrojtjes raketore dhe blerjen e helikopterëve të rinj luftarakë, dhe gjithashtu është planifikuar që forcat ajrore të pajisen me prodhimet e reja amerikane të avionëve luftarakë të tipit F-16, që mbartin edhe raketa të reja ajër-tokë-ajër (raketat “Cruise”) të tipit AGM-158.

Një plan i miratuar qysh në vitin 2012, për modernizimin e mbrojtjes, do të përshpejtohet, e një version më i aktualizuar i tij, do të paraqitet për miratim muajin e ardhshëm në Varshavë.

Sipas deklaratave të ministrit polak të Mbrojtjes, do të hidhen shuma të mëdha edhe për përmirësimin e kushteve në kazermat ekzistuese e ndërtesat e tjera ushtarake në lindje të vendit, për t’i bërë ato më moderne. Infrastruktura e atjeshme, sipas tij, është tejet e vjetruar, ndërtesat e rrugët ndodhen në një gjendje shumë të keqe, pasi për vite me radhë, atje nuk është investuar asgjë, tha ministri Siemoniak të martën për televizionin publik polak.

“Ne kemi krizën më të madhe të sigurisë qysh prej Luftës së Ftohtë, dhe duhet të gjejmë çelësin për ta përballuar atë”, tha politikani liberal-konservator për agjencinë AP. Të paktën, tri pika ushtarake në lindje të Polonisë, siç është njësia e mbrojtjes kundërajrore në Siedlce, duhet të përforcohen. Atje, kapaciteti momentalisht shfrytëzohet në masën e vetëm 30 përqindëshit, e kjo përqindje duhet rritur me 90 për qind. Përveç kësaj, atje duhet shtuar më shumë prezenca e pajisjeve ushtarake, tha ai.

Dyshime nëse NATO do të ndërhynte

Një rol luan në të tilla strategji vazhdimisht edhe pyetja, se cili kërcënim ushtarak mund të vinte veçanërisht nga qarku rus i Kaliningradit. Ai përfshin një pjesë të madhe të Prusisë së dikurshme lindore, dhe ndodhet si një enklavë e izoluar ruse në veri të Polonisë e jugperëndim të Lituanisë. Qeveria ruse në atë territor mban të stacionuar një bazë ushtarake të fuqishme.

Qysh në fund të vitit 2013, mediat ruse e ato perëndimore kishin raportuar se atje ishin stacionuar fshehtazi, edhe raketa me mbushje bërthamore me rreze të shkurtër veprimi të tipit Iskander-M, që në kodin e NATO-s njihen si SS-26. Këto armë kanë një rreze veprimi që shkon deri në 500 km, por fluturojnë shpejt dhe për këtë arsye, janë të vështira të eliminohen.

Në Poloni, ashtu sikurse edhe në Baltik, ndërhyrja ruse në Ukrainë prej muajsh bëri që të kërkohej dislokimi i trupave të NATO-s në këto vende. Por këtë hap, e refuzuan ta ndërmerrnin vendet e mëdha të NATO-s, duke iu përmbajtur marrëveshjeve të mëparshme me Rusinë. Në vend të këtij hapi, sikurse u vendos edhe në Samitin e fundit të NATO-s në Uells, u formua një njësi trupash speciale të ndërhyrjes së shpejtë, e cila në rast rreziku do të duhej të dislokohej menjëherë drejt Lindjes.

Por, siç bënte të ditur para pak kohësh edhe një media e njohur perëndimore, ndër anëtarët e mëdhenj të NATO-s, ekzistojnë dyshime të mëdha nëse NATO do ta mbante vërtet premtimin e bërë, për të ndërhyrë në rast krize. Kështu që Polonisë me ç’duket, i duhet të punojë fort, për t’i bërë ballë çdo të papriture.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat