25 vjet nga rrëzimi i Murit të Berlinit: Tullumbace në vend të plumbave

Speciale

25 vjet nga rrëzimi i Murit të Berlinit: Tullumbace në vend të plumbave

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 20:42

Kryeqyteti gjerman përkujton 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Nga veprat e artit deri tek teatri e akvititetet përkujtimore, Berlini ka shumë për të ofruar.

Në kulmin e aktiveteve zyrtare që kujtojnë rënien e Murit, në qendër të qytetit do të vendoset një zinxhir dritash, pikërisht aty ku dikur kalonte vija ndarëse e Murit të Berlinit. 8000 tullumbace të bardha, të ndriçuara nga brenda do të krijojnë vijën ndarëse. Kështu, për tri ditë, Berlini do të ndahet nga rruga "Bornholm" në veri, përmes parkut, në vazhdim në sheshin "Potsdam" deri në jug në urën Oberbaum, mes Friedrichshain dhe Kreuzberg. Një vepër arti 15 kilometra e gjatë!

Ideja dhe koncepti për këtë vijë të ndriçuar kufitare ka ardhur nga vëllezërit Marc dhe Christopher Bauder. Regjisori dhe artisti i artit të ndriçimit kërkuan një mundësi për të ritreguar edhe njëherë dimensionin e barrierës së dikurshme: "Me këtë duam të bëjmë të dukshme ndarjen, të cilën muri e la pas për një kohë të gjatë edhe pas rënies së RDGJ-së", thotë Christopher Bauder.

Pesë vite pas rënies së Murit të Berlinit, Bauder, në vitin 1994, u zhvendos nga Gjermania jugore në Berlin. Atëherë ndarja ishte ende e kudogjendur, ish-kryeqyteti i RDGJ-së dallonte dukshëm nga pjesa perëndimore. Ndërkohë gjurmët janë fshirë, këtë e vëren nga pyetjet e miqve, kur vijnë për vizitë: "Ku ka qenë muri?". Nganjëherë nuk jep përgjigje për këtë, thjesht nuk e ke më murin aq prezent."

Aktivitetet në kujtim të rënies së Murit të Berlinit duan ta risjellin edhe një njëherë pranë vizitorëve kohën kur qyteti ishte i ndarë. Nga data 7 deri më 9 nëntor vizitorët janë të ftuar të kalojnë përgjatë kufirit të dikurshëm, në gjashtë vendqëndrime ofrohen guida me informacione të zgjeruara.



Ripërjetim i jetës në RDGJ

Në fundjavën kur shënohet rënia e Murit të Berlinit, kryeqyteti gjerman pret 100.000 vizitorë. Hoteli Kempinski Bristol u ofron vizitorëve një udhëtim me automjetin tipik të RDGJ-së, i njohur si trabant. Sipas të dhënave të hotelit, interes më të madh kanë treguar vizitorët nga Gjermania perëndimore. Ndërsa hoteli Adina-Apartment në pikën kufitare të njohur "Checkpoint Charlie" në paketën ekstra që ofron me rastin e 25 vjetorit të rënies së murit, ofron edhe një menu nostalgjike, me gatime karakteristike të RDGJ-së. Soljanka, një supë me bazë kastravecash, pikante dhe e athët, origjina e së cilës gjendet në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa gjella kryesore janë qofte karakteristike të ziera me salcë. Në një kohë që në Gjermaninë perëndimore këto lloj qoftesh njihen si "Königsberger Klopse" në Lindje emri u ndërrua qëllimisht në "Qofte mishi" sepse qyteti Königsberg, që deri në vitin 1945 ishte pjesë e zonave lindore gjermane më vonë u shndërrua në Kaliningrad - kjo edhe pse emri i ri asnjëherë nuk zuri vend në popull.

Edhe skenat teatrore gjermane e trajtojnë rënien e murit, jo vetëm në 25-vjetorin e tij. "Teatri i vogël i Friedenuat" që nga viti 2010 ka nisur serinë "O, kur do të kthesh?"- një platformë humori e hiteve të muzikës së lehtë gjermane nga vitet 60-80-të. Muzetë e Berlinit dhe vendet përkujtimore kanë gjetur një rrugë reflektuese për përkujtimin e kësaj ngjarjeje. Në rrugën Bernauer, ku para 25 vitesh kalonte kufiri ndarës i murit sot është një monument përkujtimor. Përgjatë 2 kilometrave vizitorët kanë mundësi të shohin pjesë origjinale nga muri i Berlinit, copa të rikonstruktuara, si edhe një pjesë të gardhit me gjemba, postën kufitare.

Në këtë vend do të mbahet edhe ceremonia qendrore përkujtimore, ku krahas të ftuarve kryesorë, politikanë të nivelit, dëshmitarë, organizata aktivistësh, merr pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo do të inagurojë më 9 nëntor edhe arkivin e restauruar të kësaj qendre përkujtimore. Ditët dhe javët para jubileut të rënies së Murit të Berlini u ofrojnë vizitorëve mundësi nga më të ndryshmet për të njohur historinë më të re gjermane. Por euforinë e jashtëzakonshme të natës së 9 nëntorit 1989 turistët nuk do të mund të përjetojnë vërtet ashtu siç ishte. Vëllezërit Bauder përpiqen të sjellin magjinë e këtij momenti pranë vizitorëve me instalacionin e tyre të zinxhirit me drita. Më 9 nëntor në mbrëmje, rreth orës 19:00, kur mbushen edhe 25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, tullumbacet e ndiçuara do të ngjiten në qiellin e Berlinit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat