Henry Kissinger – një nxënës amerikan i Meternik-ut

Speciale

Henry Kissinger – një nxënës amerikan i Meternik-ut

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 17:13

Henry Kissinger është koka e madhe e politikës së jashtme amerikane – dhe këtë e ka bërë dhe e bën akoma me këshillat e tij, ndërsa tashmë i ka kaluar 90 vitet mbi shpatulla. Kissinger klasifikohet akoma në kategoritë e moçme të pushtetarëve. Por ecuria e kësaj bote, e shqetëson atë.

Askush nuk e di më mirë se sa ish-profesori i Harvardit, këshilltari për sigurinë, ministri i Jashtëm dhe udhërrëfyesi i politikbërjes botërore, se pse ajo është e tillë. Amerika dhe liderët e saj kanë mbetur shumë mbrapa, larg mundësive dhe interesave që ata realisht përfaqësojnë dhe europianëve nuk është se punët po u shkojnë më mirë.

Ai ia ka dalë tashmë; i biri i këshilltarit akademik nga Fyrti (Fürth) i Gjermanisë, që në vitin 1938 mori arratinë bashkë me prindërit për në SHBA. Tashmë ai duhet të shohë se si bota që ai u përpoq ta vinte në rregull, po rrëzohet e se si Amerika, e destinuar të udhëheqë, në të njëjtën kohë i largohet kësaj përgjegjësie. Kina, Rusia, europianët? Ata janë, në mënyra të ndryshme, të gjithë të paaftë për të sjellë e mbajtur rendin botëror. Shtetet e Bashkuara përkundrazi, lëkunden mes paralajmërimeve të themeluesit të shtetit, George Washington, për t’u mbajtur larg problemeve të një bote “të keqe”, dhe detyrës së shenjtë, për të ngritur apo kujdesur për një rend botëror të ri – të nisur qysh nga ish-presidenti Bush i vjetri, në luftën e Gjirit në vitin 1991: New World Order në përjetësi.

Talejrandi dhe Meterniku, mësuesit e Kissinger-it

Por qysh prej asaj kohe, perandoria e qendrës ka fituar sërish fuqi e nam; Rusia do të bëhet sërish superfuqi botërore dhe Europa e kombinon fuqinë e vet ekonomike, me dobësinë strategjike. Por Shtetet e Bashkuara po kërkojnë tërheqjen, ose po e shohin atë si alternativë, siç thuhet në zhargon tashmë “leading from behind”. Për një mendimtar të madh si ai i kalibrit të Kissingerit, kjo e gjitha nuk është gjithçka.

Kissinger hyri në politikën amerikane me një libër mbi Kongresin e Vjenës, që duhej të vuloste luftërat dhe betejat civile të Pasrevolucionit francez, duke siguruar një shekull paqe, dhe një të dytë, që fliste mbi politikën e armëve bërthamore. Kjo nuk ishte dhe aq kundërthënëse, sa ç’duket. Armët bërthamore të detyrojnë për vetëpërmbajtje dhe janë mësuesit më të pamëshirshëm.

Talejrand dhe Meternik janë ndihmësit e Kissinger-it drejt altarit të dijes. Ai mendon në nocione me orientim paqësor që i përkasin diplomacisë klasike, si: balanca, hegjemonia, kompensimi, legjitimimi i statuskuosë. Në fuqinë e Amerikës, ai sheh në të njëjtën kohë dobësinë e saj: “Bindjen se principet e brendshme të saj janë në mënyrë të vetëkuptueshme edhe universale, dhe se zbatimi i tyre shihet vazhdimisht si i bekuar”.

Por bota nuk është më jo vetëm bipolare, por është vënë edhe nën një presion në rritje të paradokseve e kontradiktave. A mos ka vallë ndonjë rikthim te balancat e bashkëpunimi? Pesimizmi heroik i Kissinger-it e ka bërë atë të dyshojë, se edhe një herë mund të ketë një rend botëror, që mund ta meritojë këtë emër. Ky, për Henry Kissinger, është misioni i pamundur i Amerikës.

Marrë nga “Die Welt”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat