Vrasës në emër të Titos

Speciale

Vrasës në emër të Titos

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 17:50

Përse qeveria në Bon i toleroi eliminimet e disidentëve ish-jugosllavë në tokën gjermane?

Më 17 janar 1982, ishin pikërisht ata që me një atentat të mirorganizuar, kryer në Untergrupenbach të Gjermanisë, vranë edhe aktivistët e shquar kosovarë, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Autoritetet shtetërore gjermane bënë me dije në atë kohë se “vrasës të panjohur kanë vrarë tre shtetas jugosllavë”, ndërsa mediat pohonin se ky akt nuk ishte tashmë veçse pika më kulmore në luftën e fshehtë, në të cilën ishin angazhuar agjentë të sigurimit të fshehtë jugosllav (SDB) ose e shqipëruar nën emrin famëkeq UDB, dhe kundërshtarë të pushtetit titist në ekzil. Shqiptarët e Kosovës shiheshin megjithatë vetëm si një vektor i një beteje të gjatë që Beogradi u kishte shpallur që në vitet 1960, disidentëve antitistë në ekzil, që në shumicën e tyre ishin të nacionalitetit kroat. Kësisoj, këto komando vrastare ish-jugosllave, arritën të eliminonin gjatë viteve të Luftës së Ftohtë në territorin e RFGJ-së (d.m.th. të ish-Gjermanisë Perëndimore) të paktën 29 azilantë politikë kroatë, që angazhoheshin në atë kohë kundër diktatorit Josip Broz Tito. Është bërë tashmë njëra ndër seritë më të gjata të pashpjeguara të vrasjeve në historinë gjermane të Pasluftës. Tashmë, për herë të parë, ish-anëtarë të qeverisë federale gjermane shpjegojnë në një emision televiziv se Boni zyrtar, kishte pasur dijeni të plotë për ato skuadra të mirëfillta vdekjeje në aktivitetet e tyre. Dokumentari më i ri në Gjermani është një bashkëpunim mes redaksisë së emisionit “Kontrovers” së TV bavarez dhe “Deutsche Welle”-s, dhe pritet të transmetohet këtë të mërkurë (sot, më 1 tetor) në orën 00:20 në kanalin e parë publik gjerman, ARD.

* *

Të paktën 29 njerëz u vranë në vitet 1970 – 1989 nga komandot shtetërore ish-jugosllave në Republikën Federale Gjermane. Viktimat: kroatë të arratisur, që nga territori gjerman angazhoheshin kundër politikave të diktatorit Josip Broz Tito e pasuesve të tij edhe pas vdekjes së tij, falë trashëgimisë politike e shtetërore që ai la pas në atdheun e tyre. Mediat gjermane tashmë po i rikthehen një fenomeni që ka zgjuar papritur interesimin publik. Revista Focus, shkruante dje duke cituar pjesë nga dokumentari në fjalë se: Vrasje të shumta u kryen në Bavari. Kryeqyteti i landit, Mynihu, renditej ndër “kështjellat” ku gjenin strehë në atë kohë azilantët kroatë antititistë në Gjermani. Ja tre shembuj emblematikë.

Vendi i krimit 1: Mynih, Rruga Paul-Heyse. Më 26 tetor 1968, jo larg stacionit qendror të qytetit, në mes të ditës, u qëlluan për vdekje tre disidentë, e ndër ta edhe Presidenti i Lidhjes së Bashkuar Kroate, Mile Rukavina, si dhe kryeredaktori i Gazetës Kroate të Lirisë, Kresimir Tolj.

Vendi i krimit 2: Mynih. Kopshti i fazanëve. Njerëzit që po bënin shëtitje më 27 mars 1983 atje, gjetën në tokë trupin e pajetë të Djuro Zagajskit. Anëtari i organizatës së fshehtë Lëvizja Revolucionare Kroate, ishte goditur fort në kokë e ishte dëmtuar shumë në kafkë. “Nuk i dallohej më dot as fytyra”, kujton i biri, në atë kohë një 17-vjeçar, Roberti.

Vendi i krimit 3: Wolfratshausen, Rruga Sauerlach. Në një garazh, ish-menaxheri i koncernit shtetëror kroat INA, Stjepan Durekovic, vritet në mënyrë shtazarake më 28 korrik 1983 – me pesë plumba dhe disa goditje sëpate mbi kokë. Në dokumentarin e kanalit të parë publik TV gjerman ARD me titull “Vrasje në emër të Titos – komandot e fshehta të vdekjes në Gjermani” tentohet të sqarohet për herë të parë nga ana e anëtarëve të qeverisë së atëhershme gjermanoperëndimore, nën udhëheqjen e ish-kancelarit Willy Brandt, se Boni kishte tashmë dijeni të plotë mbi skuadrat e vdekjes – dhe të hidhet dritë mbi faktin se pse, megjithatë, ai kishte zgjedhur të ndiqte një rrugë tolerance kundrejt këtyre akteve të krimit shtetëror ish-jugosllav, që për më tepër kryheshin në një tokë të huaj?.

“Një politikë e duarve të pista”

Pjesë nga dokumentari në fjalë, për të cilin fatkeqësisht mediat gjermane nuk citojnë në asnjë rast edhe prezencën e viktimave të nacionalitetit shqiptar nga ish-krahina autonome jugosllave e Kosovës, të cilët siç dihet, përndiqeshin e vriteshin për akuza të ngjashme, na sugjerojnë se një arsye e qenësishme për këtë ishte për shembull fakti se: “Mund ta kritikoje ish-Jugosllavinë si një shtet autoritar sikurse mund të bëje edhe me ish-RDGJ-në apo Poloninë, ose me ish-republikat sovjetike për shembull. Por në rastin e saj, kishte një vetëpërmbajtje, një tërheqje. Jugosllavia ruhej, nuk prekej, sepse ajo hynte në punë, duhej”, tregon ish-ministri i Brendshëm Federal, Gerhart Baum (i Partisë Liberale, në atë kohë parti në koalicion qeverisës me socialdemokratët gjermanë), duke mbajtur parasysh këtu pozicionin që zinte Jugosllavia në aspektin strategjik përgjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Synimi i deklaruar ishte: “Ta afroje Federatën e shteteve të moderuara socialiste, sa më shumë me Perëndimin”. “Interesi ynë mbizotërues në atë kohë ishte të gjenim një rrugë që të arrihej shtensionimi i situatës në Europë në marrëdhënie me ish-Bashkimin Sovjetik”, arsyeton edhe ish-sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Klaus von Dohnanyi (i socialdemokratëve), që asokohe praktikohej nën të ashtuquajturën “politikë e duarve të pista”. “Terrori shtetëror kundër kundërshtarëve të regjimit jugosllav, i aplikuar e kryer në tokë të huaj, nuk kthehej në një temë diskutimi, e lihej në hije për të mos bezdisur qeverinë titiste në Beograd”, thotë ai.

“Ka gjëra në politikë që janë ashtu siç janë”

Por ka edhe më keq akoma: sipas dokumentarit, duke pasur plotësisht dijeni se Tito hidhte në veprim agjentët e tij të fshehtë në një “luftë speciale”, në tokë të huaj, me këmbënguljen e propozimin e kancelarit Brandt, atij iu dha nga ana e ish-presidentit federal, Gustav Heinemann, gjatë një vizite shtetërore në RFGJ në vitin 1974, edhe urdhri më i lartë gjerman: Niveli Special i Kryqit të Madh të Meritave. Po vuajtja e familjeve të viktimave? Ajo sipas ish-ministrit merrej parasysh, por tolerohej, nuk vlerësohej. “Njerëzit kanë të drejtë me dhimbjen e tyre. Mirëpo ka gjëra në politikë, që janë ashtu siç janë”, pohon ndërkohë ish-këshilltari më i afërt i Brandtit në atë kohë, Von Dohnanyi, në mënyrë cinike. Për një kohë të gjatë, njerëzit në sfond të brigadave vrastare ndiheshin të sigurt. Mirëpo kjo ndryshoi me hyrjen në BE të Kroacisë. Që prej asaj kohe, tashmë Prokuroria Federale gjermane është vënë në ndjekje të vrasësve të dikurshëm. Në këtë mënyrë, mediat njoftojnë se më 17 tetor, në Mynih fillon procesi kundër ish-gjeneralit të Shërbimit të Fshehtë kroat, Zdravko Mustac. Sot, në moshën 72-vjeçare, ai deri në vitin 1985 kishte qenë shef i ish-Shërbimit të Fshehtë jugosllav, UDB. Së bashku me homologun e vet gjeneralin, Josip Perkoviç, Mustac në korrik të vitit 1983 akuzohet se ka vrarë ish-menaxherin disident, Durekoviç. Durekoviç planifikonte në atë kohë të botonte një libër me zbulime rastesh korruptive në aparatin shtetëror jugosllav. Për procesin në fjalë janë parashikuar 50 ditë procedurash ligjore, mbledhje dëshmish e dëgjesash deri në prill 2015./gazeta shqip

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat