Ukraina, rrugë e gjatë drejt një fillimi të ri

Speciale

Ukraina, rrugë e gjatë drejt një fillimi të ri

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 15:54

Ukraina është një vend normal. Ajo donte të ishte po aq normale sa ç’e duan edhe vetë banorët e saj, por ajo që do të donin edhe banorët në Skoci, Belgjikë, në ishujt Kanarie apo në Kamçatka (krahina në Lindjen ekstreme të Rusisë): një jetë pa frikë e dhunë, me shumë para, që do të mjaftonin për të ndërtuar një shtëpi apo të paktën për të ushqyer një familje; me një udhëheqje politike dhe një parlament, nga i cili ata të ndiheshin të përfaqësuar. Por kudo nga hedh sytë në këtë vend, mbizotërojnë frika dhe ankthi, pasiguria ekonomike dhe dështimet politike. Njerëzit në Lindje dëshirojnë më shumë se kurrë më parë të zmbrapsin separatistët, e me të edhe dhënien fund të fushatave të ushtrisë ukrainase. Edhe në pjesën tjetër të Ukrainës, lufta tashmë përbën një realitet të tejkaluar, paçka se për shumëkënd ajo ka lënë pas një shije të hidhur. Ndërkohë, miq dhe të afërm po vdesin në Donjeck apo Lugansk; vargje të gjata refugjatësh, që në asnjë rast nuk duan të shkojnë vetëm drejt Rusisë, por shpesh dhe shumë më tepër, drejt Perëndimit të Ukrainës, drejt Kievit, drejt Harkovit apo madje edhe Lvivit. Por prej kohësh, tashmë bëhet fjalë edhe për vetë Ukrainën, në thelbin e saj, çka ia bën Kievit detyrën edhe më të vështirë. Dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë sa më parë.

Parlamenti i vjetër, epokë e tejkaluar

Shpeshherë në historinë e Europës, fuqitë e mëdha në kontinent e kanë shkelur, shfrytëzuar e ndarë Ukrainën. Edhe tani, Ukraina ndodhet rrugës për t’u bërë gardhi i një konflikti mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Rusisë, Europës dhe SHBA-së. Të paktën në një pikë lidhen interesat e ndryshme të rajoneve, njerëzve e partive në Ukrainë: në dëshirën për një stabilitet të ri dhe sovranitet. Kaq e rrallë ngjan kjo – saqë Ukraina gjendet tanimë para një rruge të gjatë, ashtu sikurse edhe duhet të jetë në fakt. E fshehur mes garniturës së fjalëve të forta, Kryeministri ukrainas, Arsenij Jazenjuk, dha dorëheqjen të enjten e kaluar, e koalicioni i tij u shpërbë. Por gjithçka që po ndodh, e bën edhe më të lehtë rrugën për të sjellë një parlament të ri. Ky hap është i vonuar. Sidoqoftë, pas zgjedhjes së Petro Poroshenkos si President, një votim për një përfaqësi të re popullore, është etapa e dytë drejt rrugës për ta ridizajnuar këtë vend të trazuar nga e para. Parlamenti i deritanishëm nuk është vetëm i diskutueshëm, por edhe fotografia e një epoke që tashmë i ka kaluar koha, në të cilin ulen ata që ndoshta janë aty edhe nëpërmjet rastësisë, lidhjeve apo lojalitetit të djeshëm ndaj kreut të shtetit, – shumë kohë para se të ndodhnin protestat masive, kasaphana e Maidanit, aneksimi i Krimesë nga Rusia apo konflikti në pjesën lindore të vendit. Organet qendrore të pushtetit duhet të legjitimohen me shpejtësi; vendi ka nevojë për një ringjallje demokratike, një bazë që ripërcakton marrëdhëniet mes rajoneve ukrainase dhe pushtetit qendror në Kiev. Nëse u përmbahemi sondazheve, Partia nacionaliste Svoboda po humbet terren, por edhe komunistët, të parë sigurisht edhe si bashkëluftëtarë të ish-presidentit të rrëzuar, Viktor Janukoviç. Rezultati mund të ishte një përqendrim i ri drejt qendrës, në të cilin do të ketë më pak zhurmaxhinj dhe një qendër e dytë e legjitimuar e pushtetit, që do të lindë pranë shefit të shtetit.

Rajonet e forta, forcojnë konkurrencën

Presidenti i ri, Poroshenko, hyri në atë pozicion i sigurt e me poza prej të fuqishmi. Ai do t’u bëjë ballë të gjitha rreziqeve me një ofensivë kundër Donjeckut e të përzërë separatistët. Ai mendon se Ukraina duhet të vendosë sërish vetë mbi fatin e saj. Mirëpo ky mendim legjitimues dhe zell ushtarak, nuk mund të fshehë dot faktin se vendi është i pangopur me ide politike. Parlamenti që në vitet e shkuara ka qenë shpesh një vend i bojkoteve e bllokadave, inateve dhe luftës brutale e të paprinciptë politike të elitave, tashmë duhet të kthehet në një qendër të konkurrencës demokratike politike. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin ushtarak të Donjeckut apo të Luganskut. Kievi do të forcohej vetëm atëherë, nëse do të forconte rajonet, nëse delegon pushtet për ata që deri më tani kanë pasur një dozë të madhe mosbesimi ndaj pushtetit qendror. Shansi për këtë është më i madh sesa para disa muajve. Separatistët pro-rusë e kanë destabilizuar Lindjen e Ukrainës. Por një lëvizje mbarëpopullore për një bashkim me Rusinë, me gjithë përpjekjet e propagandës, nuk ka pasur as në Donjeck e as në Luhansk, madje as në Harkov e Dnjeprpetrovsk. Por edhe një autonomi qartësisht e fortë në Lindje, duhet të ketë kufij të qartë dhe nuk duhet të prekë politikën e jashtme apo të drejtat për veto, siç është për shembull, afrimi me Europën. Pikërisht sepse Ukraina është kaq e ndryshme në kufijtë e saj, ajo ka nevojë për një qendër të fortë. Së pari, e pengon rrënimin – dhe së dyti bashkon përfundimisht Ukrainën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat