Domosdoshmëria e aleancës vietnamezo-amerikane

Speciale

Domosdoshmëria e aleancës vietnamezo-amerikane

Nga: Nga TUONG LAIJULY* Më: 19 korrik 2014 Në ora: 21:48

Ky i yni është një vend i vogël. Ne vietnamezët nuk mundet dhe nuk duhet t’ia besojmë të ardhmen tonë askujt, por ne kemi nevojë urgjente për aleatë strategjikë në një moment kur prioriteti ynë është të mbrohemi nga armiku ynë aktual: Kina. Lëvizja e Kinës në maj, për të spostuar shelfin naftëmbajtës nga pronësia vietnameze, dhe qëndrimet e saj arrogante në qershor, në Samitin për Çështjet e Sigurisë në Azi, njohur nën emrin “Dialogu Shangri”, ekspozuan piraterinë detare të Kinës nëpër botë. Këto zhvillime duhet të alarmojnë këdo në Vietnam që akoma mbahet te miti i dashurisë vëllazërore mes kombit tonë dhe Kinës. Ne nuk mund të luftojmë përqasjen kineze të vetëm. Izolimi politik në një botë të globalizuar, nuk është i barasvlefshëm me kryerjen e një harakiri politik për Vietnamin. Dhe aleati ynë kryesor për Vietnamin sot janë Shtetet e Bashkuara — një aleancë që në mënyrë ironike, e kishte dashur gjithmonë edhe vetë lideri i Revolucionit Vietnamez, Ho Shi Min. Populli vietnamez ka luftuar për mijëra vjet për të mbajtur të gjallë kulturën dhe pavarësinë e vet, nën hijen e një fqinji gjigant.

Helmimi nga fqinji gjigant

Por duke vazhduar me verbërinë dhe marrëzinë e vet, ky fqinj ka helmuar breza të tërë liderësh vietnamezë, edhe kur “shokët” e tyre kinezë ia nisën një lufte të ashpër kufitare në vitin 1979, edhe kur pushtuan ishujt “Paracel” në vitin 1974, edhe ato “Spratly” në vitin 1988 — të cilat për shekuj i përkisnin të dyja Vietnamit. Pas revolucioneve në Europën Lindore në vitin 1989, liderët vietnamezë u përpoqën të mbronin komunizmin nga dështimi në Azinë Juglindore. Në një takim, tashmë famëkeq në Chengdu, në Kinë, në vitin 1990, liderët vietnamezë nënshkruan marrëveshje që e bënë vendin tonë edhe më të varur nga Kina — një tradhti për interesat tona kombëtare dhe një turp kombëtar. Për interesa personale, disa vietnamezë u bënë madje edhe tradhtarë, duke pasuar me verbëri linjën kineze. Ata janë reminishenca të mbretit vietnamez të shekullit të 18-të, Le Chieu Thong, i fundmit i dinastisë “Le”, i cili vdiq në ekzil në Kinë. Por kompleksi i frikës i liderëve vietnamezë, nuk ka qenë kurrë kaq i madh sa në 25 vitet e shkuara. Qeveria vietnameze ka vendosur një lloj të tillë lidhje të ashtuquajtur “komunisto-socialiste” me Kinën, para interesave kombëtare dhe atyre të mirëqenies së qytetarëve të vet. Liderët tanë i kanë shndërruar pushtuesit në miq.

Për shkak të lëvizjeve të fundmit territoriale kineze në det dhe mosrespektimit të plotë të ligjeve ndërkombëtare, ne tashmë jemi kthyer sërish në stadin nga u nisëm. Pa një rialokim madhor strategjik, territoret ishullore vietnameze, thjesht do të gëlltiten nga Kina. Vendi ynë duhet të shkëputet nga miti i miqësisë me Kinën dhe të kthehet në atë që Ho Shi Mini në mënyrë pasiononte e kishte avokuar pas Luftës së Dytë Botërore: një aleancë vietnamezo-amerikane në Azi.

Simpatitë e Ho-së ndaj SHBA-ve

Simpatitë e Ho-së ndaj Shteteve të Bashkuara dhe platformës së tyre të vetëvendosjes për të gjithë popujt, kishin shkuar shumë më larg sesa vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit pas Luftës së Parë Botërore. E nisur të aplikohet në Luftën e Dytë Botërore, amerikanët ishin e vetmja ushtri e huaj në krah të Ho-së kundër fashizmit në Indokinë; Zyra për Shërbimet Strategjike (paraardhësja e CIA-s) ndihmoi në trajnimin dhe vendosjen e njësive të para luftarake të përbashkëta vietnamezo-amerikane në fund të vitit 1944. Nuk ishte koincidencë fakti se fjalimi inaugurial i Ho-së në pushtet – kur ai deklaroi themelimin e Vietnamit të pavarur në shtator 1945 – i referohej pikërisht Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Ai pa në të, vlerat universale të demokracisë, lirisë, barazisë dhe drejtësisë, si dhe principet më të rëndësishme udhëheqëse për Vietnamin.

Letrat e Ho Shi Minit për SHBA

Në një seri prej tetë letrash dhe telegramesh për Presidentin Harry S. Truman, dhe tre për sekretarin e Shtetit, James F. Byrnes në vitet 1945-46, Ho denonconte kolonializmin francez dhe theksonte qartazi se “synimi ynë është pavarësi e plotë dhe bashkëpunim i plotë me SHBA-në” dhe shprehte admirimin e popullit vietnamez për “popullin amerikan, i cili mbron idealet fisnike të drejtësisë ndërkombëtare dhe humanizmit dhe që arritjet moderne teknike të të cilit i kanë mahnitur fort ata”. Me keqardhje, shumica e letrave të tij u injoruan. Historia është e lidhur me shumë shanse të këtilla, të humbura. Në këtë rast, janë vërejtur pasoja shkatërrimtare.

Vietnamezët luftuan me tanke ruse e kineze

Kur amerikanët e rinj drejtuan armët e tyre ndaj vietnamezëve në një vend të vogël në anën tjetër të Paqësorit, ata e bënë këtë me besimin se ishte detyra e tyre të ndalnin “valën e kuqe”. Nga ana e vietnamezëve, djem e vajza të reja sakrifikuan jetët e tyre pa u trembur në krah të Ho Shi Minit, me armë supeve dhe tanke të sjella nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina — nga të ashtuquajturit “vëllezërit tanë të dashur socialistë”. Por tragjeditë zakonisht nisin me ideologji çorientuese dhe iluzione për miqësi. Një traktat paqeje me Bashkimin Sovjetik, nënshkruar në vitin 1978, bëri shumë pak për të ndihmuar Vietnamin në luftën e tij ndërkufitare në vitin 1979 me Kinën.

Cili do jetë partneri strategjik?

Çështja fondamentale që sot Vietnami po përballon, është të zgjedhë partnerin e duhur strategjik. Japonia, dhe në një masë më të vogël mund të ishte edhe Koreja e Jugut, Tajvani, Singapori dhe ndonjëri nga popujt e tjerë të vegjël aziatikë, ofrojnë studimet që merren më këtë çështje. Bombat atomike amerikane shkatërruan Hiroshimën dhe Nagasakin, por Japonia e pasluftës, edhe pse e prekur direkt prej tyre, vendosi që të kishte pikërisht SHBA-në si partnerin e saj strategjik ekonomik dhe adoptoi vlerat më të mira amerikane si principet e saj udhëheqëse. Në terma ekonomikë dhe ato të zhvillimit social, zgjedhja mes modelit japonez, koreanojugor, tajvanez apo singaporez, dhe asaj që ofron Koreja e Veriut apo Kuba e Laosi, është shumë e qartë.

Hipokrizia e qeverisë kineze

Hipokrizia e qeverisë kineze dhe trajtimi me dy standarde, janë të mirënjohura e të mirëdokumentuara tashmë kur Kryeministri ynë, Nguyen Tan Dung, së fundmi theksoi me forcë se: “Vietnami ka dëshiruar gjithmonë paqe dhe miqësi me Kinën. Gjithsesi, ne nuk mund të shesim pavarësinë dhe sovranitetin tonë për një paqe bishtnuese, apo një lloj të veçantë pavarësie”. Fjalët e tij të forta, kanë skalitur një mënyrë të re të trajtimit të çështjeve me Kinën. Por përtej tyre, nevojitet edhe më shumë. Liderët vietnamezë kanë nevojë të lëvizin më me vendosmëri, duke i çuar pretendimet kundër Kinës në tribunalet ndërkombëtare dhe një herë e mirë të heqin dorë nga ideja e një lidhjeje ideologjike me Kinën, duke e hedhur atë në koshin e historisë. Vietnami duhet të implementojë plotësisht dhe të ndjekë frymën e vërtetë të Deklaratës së Pavarësisë së Ho-së, në vitin 1945. Dhe kjo do të thotë më në fund vendosjen e atyre lidhjeve ekonomike dhe ushtarake të ngushta me SHBA-të, të cilat Ho kishte dëshiruar pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është dhe e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga ekspansionizmi kinez, i shtyrë nga Presidenti i saj, Xi Jinping dhe që Vietnami të bashkohet me pjesën tjetër të botës së civilizuar, me idealet e saj të demokracisë, lirisë dhe drejtësisë për të gjithë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat