Përse fitorja është kaq e rëndësishme për njeriun?

Speciale

Përse fitorja është kaq e rëndësishme për njeriun?

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 08:52

Zhvillimi i historisë njerëzore ka një dinamikë të tillë që të bën të pyesësh: A është fitorja kaq e rëndësishme? Pavarësisht opinioneve të ndryshme për nga ana subjektive, të qenët fitimtarë mund të jetë synimi i vetëm i dikujt në jetë dhe ka rëndësi në mënyra të ndryshme.

Një pjesë e mirë e fitores është çelësi i një jete me pasione, me qëllime, produktivitet dhe prosperitet. Dhe, bëhet më pak e vlerësuar kur i themi lamtumirë një humbjeje katastrofike të talentit njerëzor dhe kur nuk jemi në gjendje të përjetojmë më të mirën e dikujt.

Çfarë është fitorja në të vërtetë? Fitorja është arritja e një qëllimi të paramenduar. Në fjalë të tjera, të fitosh nënkupton të arrish suksesin dhe e anasjella.

Përse është fitorja kaq e rëndësishme?

Së pari, ne kemi lindur për të fituar. Kemi një instinkt primitiv që na nxit të arrijmë diçka. Ky qëllim fshihet pas çdo mendimi dhe veprimi. Është ajo çka ngacmon çdo çast të jetës sonë. Kjo është e dukshme edhe në bisedat më të zakonshme. Keni parë dikë që pret me padurim të zgjohet të nesërmen dhe të dështojë? Njerëzit janë të lodhur nga të qenët më pak nga ç’mund të jenë dhe sesa shumë duan të arrijnë suksesin dhe përmbushjen.

Secili nga ne ka një qëllim apo po konkurron për diçka që kërkon ta realizojë me sukses. Ne jemi të lindur të ndjekim dhe të arrijmë synimet tona, në këtë mënyrë jemi projektuar nga natyra.

Dhe nëse heqim dorë nga ndjekja e qëllimeve dhe ambicies sonë, kjo është e barasvlershme me kthimin e shpinës ndaj talentit të lindur dhe jetës së privilegjuar. Për më tepër, një nga detyrat tona më të larta dhe më të nderuara është të jemi fitimtarë.

Ka një arsye përse na është dhënë truri dhe trupi, dhe kjo arsye është që t’i kombinojmë në mënyrë të tillë që të manifestojnë jetën e suksesshme. Truri kupton planin dhe krijon pasionin mendor për të arritur qëllimin, ndërsa trupi me kontrollin e mendjes ndërmerr veprimet e duhura për të arritur në një përfundim.

Nëse trupi dhe mendja nuk përdoren sipas qëllimit të duhur dhe nuk u jepen objektiva të rregullta, ato devijojnë nga funksioni për të cilin janë projektuar dhe humbasin destinacionin.

Fitorja luan gjithashtu një rol jetësor dhe të rëndësishëm në qenien tonë, në manifestimin e individualitetit tonë. Një tjetër arsye përse njerëzit pëlqejnë të jenë fitimtarë, është “vrima e zezë”. Bëhet fjalë për një boshllëk që gjendet te secili prej nesh dhe që kërkon të mbushet. Në mënyrë që të ndihemi të plotësuar, na duhet të arrijmë qëllimet që i kemi vënë vetes dhe ato që na ka vënë natyra.

Fitorja është edhe një lloj trashëgimie e jetës sonë. Një jetë e mbushur me fitore është një jetë e vlefshme, sipas mendimit të përgjithshëm.

Ndoshta aspekti më i rëndësishëm i të qenët fitimtarë është dhënia e mësimit të të tjerëve. Ata që janë të dhënë pas fitores, duan të përçojnë mesazhin dhe nxitjen që të tjerët të luftojnë gjithashtu dhe të arrijnë fitoren.

Fitorja dhe lumturia

Një nga mësimet më të rëndësishme të fitores është karakteristika që kanë të përbashkët fitimtarët: ata kuptojnë se jeta është një privilegj, ku talenti duhet shfrytëzuar për të arritur suksesin. Në kohët e lashta, mirënjohja ndaj bekimit të talentit shprehej nëpërmjet ritualeve, por kjo nuk ndodh sot.

Kur fitojmë, kjo na ndihmon të respektojmë trupat tanë. Pa një trup që të jetë në gjendje të bëjë veprimet e duhura, fitorja nuk është e mundur. Jemi po aq produktivë, sa na e lejojnë trupat. Për më tepër, jetën e përjetojmë nëpërmjet trupit. Kur dikush fiton, në trurin e tij çlirohen substanca që provokojnë ndjenjën e lumturisë dhe krenarisë. Për këtë arsye njerëzit preferojnë të jenë fitimtarë, që të mund ta përdorin trupin për të arritur lumturinë. Një rrugë e gjatë, për një qëllim modest. Megjithatë, filozofia dhe psikologjia kanë gjetur rrugë më pak konkurruese për të arritur lumturinë pa kaluar nga fitorja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat