Zbulimi arkeologjik: Trukimi i ndeshjeve, e bënin edhe në lashtësi!

Speciale

Zbulimi arkeologjik: Trukimi i ndeshjeve, e bënin edhe në lashtësi!

Më: 19 prill 2014 Në ora: 12:41

Mundja profesionale e ditëve të sotme përmban disa elementë teatralë dhe të parashikuar dhe kjo nuk është e papritur. Ndonëse kostumet plot shkëlqim dhe tërheqëse për syrin janë gjëra të reja, ekzistojnë tashmë prova që mundësit e lashtë bënin ndeshje të sajuara.

Historianët kanë shkoduar një papirus delikat grek që datonte që prej viti 267 pas erës sonë, që tregon se rezultatet e ndeshjeve të mundjes midis dy adoleshentëve ishin të paracaktuara.

Ky papirus ishte prova e parë e zbuluar ndonjëherë mbi trukimin e ndeshjeve. Kontrata u bë midis babait të mundësit të quajtur Nicantinous dhe trajnerëve të Demetrius. Dy djemtë e përmendur do të ndesheshin në finale për titullin e 138 të “Antinoeia të Madh”, që ishte një seri lojërash e mbajtur gjatë një festivali fetar në Egjipt.

Kontrata thoshte se Demetrius duhej që gjatë konkurrimit të mundësve meshkuj të rrëzohej tri herë dhe të dorëzohej. Në këmbim ai do të shpërblehej me 3800 drakma prej argjendi në monedha të vjetra.

Ryshfeti i lashtë gjithashtu përmban një pikë ku thuhet se Demetrius do t’i merrte paratë edhe nëse gjyqtarët do të kuptonin se ndeshja ishte e sajuar dhe do të refuzonin të shpallnin fitoren e Nicantinous.

Që ta kishte fitoren të sigurt, babai i Nicantinous përcaktoi në kontratë se nëse Demetrius tërhiqej nga marrëveshja dhe fitonte, trajnerët e tij do t’i paguanin një shumë më të madhe parash djalit të tij.

Dominic Rathbone, një profesor në King’s College London që përktheu papirusin, tha për Live Science se 3800 drakma, kostoja origjinale e trukimit, nuk ishte një sasi e madhe parash dhe me to mund të blije një gomar.

Në një ndeshje të drejtë, mundësit luftonin për të hedhur njëri-tjetrin në tokë tri herë, duke përdorur një numër shtrëngimesh dhe hedhjesh, disa prej të cilave aplikohen akoma edhe sot në mundjen profesionale.

Kontrata u zbulua në Oksirnikus, në Egjipt, rreth 160 kilometra në jugperëndim të Kajros, më shumë se një shekull më parë, por u përkthye vetëm së fundmi. Dokumenti ndodhet në bibliotekën Sackler në Universitetin e Oksfordit.

Profesor Rathbone shpjegoi se njerëzit e lashtë i bënin të tilla trukime që të pakësonin humbjet e tyre, për shkak se stërvitja e atletëve ishte shumë e shtrenjtë dhe nuk kishte çmime për ata që dilnin të dytët.

“Nëse do të ishin të sigurt se fitonin, normalisht që atletët do të pranonin fitoren. Por nëse kundërshtarët në garë nuk ishin të sigurt për fitoren, ata e pakësonin rrezikun duke menduar ‘të paktën mora diçka nga ryshfeti”, shpjegon profesor Rathbone.

Nuk ishte e pazakontë për fitimtarët të merrnin sasi të mëdha parash apo pensione të përjetshme. Megjithatë, ekspertët janë të çuditur nga arsyeja e shkrimit të kontratës, për shkak se do të ishte shumë e vështirë që një çështje e tillë të mbështetej nga gjykata, nëse ndonjëra prej palëve tërhiqej.

Ndaj ekspertët besojnë se kontrata nuk është hartuar nga dikush që kishte njohuri mbi çështjet ligjore. Duke qenë se nuk mund të lidhet asnjë kontratë, pavarësisht vullnetit të palëve, që të dalë kundër ligjit.

Teksa papirusi është i vetmi dokument që tregon për ndeshjet e trukuara në kohët e lashta, mendohet se ky zakon ishte relativisht i përhapur edhe në Perandorinë Romake.

Rëndësia e Oksirnikus

Oksirnikus shtrihet në jugperëndim të Kajros dhe konsiderohet një nga pjesët më të rëndësishme arkeologjike në Egjipt. Në të janë gjetur një numër i madh tekstesh papiruse nga periudha ptolemaike dhe romake të historisë egjiptiane dhe mes tyre janë fragmente të dramave dhe është dokumenti i krishterë ‘Gospeli i Tomasit’.

Qyteti është i ndërtuar rreth një sistemi kanalesh dhe banorët i hidhnin mbeturinat në kodrat e rërës aty pranë, përfshirë shumë materiale të shkruara, teksa qyteti qeverisej prej grekëve apo romakëve burokratikë.

Arkeologët kanë zbuluar deklarata tatimore, materiale censusi, receta, letra rreth fesë, politikës, aksioneve ushtarake dhe ditarë, duke ofruar kështu një panoramë të plotë të jetës së përditshme.

Në vitin 1896, dy zbulues të rinj, Bernard Grenfell dhe Artur Hunt, nga Universiteti i Oksfordit, filluan gërmimet në vend dhe hasën mbeturinat.

Ndonëse ata ishin të përqendruar te gjetja e veprave të letërsisë, kuptuan me kalimin e kohës rëndësinë e materialeve të përditshme që zbulonin. Rreth 500 mijë copëza papirusi mbahen në librarinë Sackler të universitetit, mes tyre edhe papirusi i trukimit të ndeshjeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat