Qyteza e fundit: Vendi në Meksikë, në shtegun e emigrantëve

Speciale

Qyteza e fundit: Vendi në Meksikë, në shtegun e emigrantëve

Nga: Will Grant, BBC Më: 16 prill 2014 Në ora: 19:17

Në një qytezë kufitare meksikane, dyqanet janë të mbushura me një set mallrash mbi të tjerat – pajisje për emigrantët që duhet të përshkojnë pjesën e fundit dhe më të rrezikshme të udhëtimit të tyre drejt tokës së premtuar.

Që herët në mëngjes, njerëzit fillojnë të mblidhen në sheshin kryesor të qytezës Altar. Nën një qiell gri, dielli nuk është ende mjaftueshëm lart për të ngrohur kurrizin e tyre, grupe burrash dhe grash mblidhen për të ndarë një kafe, një kesadilla apo një cigare.

Në pamje të parë ata duken si të gjithë punëtorët e tjerë ruralë të Meksikës së Veriut. Burrat kanë xhaketa dhe xhinse si dhe çizme që duket se janë të shumëpërdorura.

Gratë janë veshur si burra. Por Altar është ndryshe nga çdo vend tjetër në Meksikë. Mes shikimeve kalimtare dhe bisedave me nënkuptime, këta njerëz janë në lëvizje, po planifikojnë rrugën e tyre drejt veriut.

Ata kanë mbërritur këtu duke kapërcyer Meksikën dhe Amerikën Qendrore, shpesh duke vuajtur vështirësi të mëdha për të mbërritur deri këtu.

Tashmë ata qëndrojnë të grumbulluar në grupe të vogla, vetëm 100 kilometra nga destinacioni i tyre i fundit – kufiri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata po kërkojnë për një kojotë, një udhërrëfyes që do t’i drejtojë në pjesën më të rrezikshme të udhëtimit përmes shkretëtirës. Fillimisht fola me një burrë që dukej i habitur – disa ditë më parë qe përzënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku pati jetuar për 20 vjet, pasi qe kapur duke i dhënë makinës pa leje drejtimi.

Brenda kishës në qendër të sheshit, gjendet një “lutje për Vëllezërit Emigrantë” e varur në mur.

“Jezus, ki mëshirë për ta dhe mbroji ata”, shkruhet aty, “ndërsa ata keqtrajtohen dhe poshtërohen në rrugëtimin e tyre”.

Një djalë i ri dhe motra e tij janë në gjunjë përballë këtyre fjalëve, duke recituar disa lutje për Virgjëreshën e Guadalupes, shenjtorja mbrojtëse e Meksikës.

Emigrantët shpesh marrin pamjen e saj për t’i mbrojtur përmes Shkretëtirës Sonoran.

“Altar është bërë pika e referencës për emigrantët kalimtarë. Ne nuk mund të qëndrojmë me krahë të lidhur përballë vuajtjeve të tilla”, thotë Padre Prishiliano (Prisciliano) Peraza, prifti vendës.

Ai mban kapele dhe çizme kaubojsi më shumë sesa veshjen e priftit dhe nuk duket shumë si meksikani i zakonshëm.

Një avokat i njohur për të drejtat e emigrantëve, ai në një rast e kapërceu shkretëtirën vetë në solidaritet me grigjën e tij pa dokumente.

“Ne duhet t’i falënderojmë emigrantët, duhet t’i mbrojmë ata”, thotë prifti ndërsa drejton gishtin në ajër. “Ne duhet t’i përqafojmë dhe të festojmë me ta, sepse 90 për qind e ekonomisë sonë varet nga ajo që vëllezërit tanë emigrantë shpenzojnë këtu”, shton ai.

Një shëtitje e shkurtër nëpër qytet mjafton për të parë se çfarë nënkupton ai me këtë.

Dyqanet janë rresht përgjatë sheshit duke shitur çdo gjë që emigrantët e paligjshëm kanë nevojë.

Ka bluza, pulovra, xhupa me mëngë të gjata dhe me kapuça, të gjitha të dizenjuara si kamuflazh për shkretëtirë në përpjekje për të shmangur patrullat e kufirit.

Ka çanta shpine, gjithashtu të kamufluara, në të cilat ata mund të mbajnë një dyshek të hollë e të lehtë dhe ushqime të pakta të konservuara.

Ka shishe uji, të lyera me ngjyrë të zezë në mënyrë që të mos reflektojnë diellin kur rojet e patrullave kufitare shikojnë duke përdorur dylbitë e tyre.

Dhe, shumë çuditshëm, ka edhe pantofla të sheshta. Pronari i dyqanit, Viktori, më demonstron se si këto pantofla elastike vendosen poshtë këpucëve të emigrantit në mënyrë që të mos mbeten gjurmë pas në rërë.

Këto nuk janë ekzaktësisht këpucët më të përshtatshme për ecjen pesëditore përmes shkretëtirës, por ky udhëtim është më shumë në përpjekje për të qenë i fshehtë sesa për të qenë komfort.

“Çantat e shpinës dhe pantoflat e gomës janë mallrat që unë shes më shumë”, thotë Viktori.

Mëngjesin tjetër, ndërsa jashtë është ende errësirë, prifti na dërgon ne drejt gardhit të kufirit.

Është një udhëtim treorësh përgjatë një rruge të pashtruar dhe territori kontrollohet – siç informohemi bollshëm nga shkarravinat mbi një kasolle të djegur – nga karteli i drogës Sinaloa.

“Imagjinoni ta bëjnë këtë udhëtim me ato furgonët”, thotë prifti duke bërtitur që të dëgjojmë përmes poteres së kamionçinës së tij, ndërsa i referohet një numri të stërmadh furgonësh që kemi parë në Altar. Sediljet e tyre janë hequr dhe zëvendësuar me stola metalikë në mënyrë që aty të hyjnë më shumë emigrantë.

Ne kaluam një numër pikash kontrolli të fshehta. Ata drejtohen nga njerëz të armatosur. Një pjesë janë nga banda e drogës – një pjesë janë trafikantë dhe një pjesë, përzierje e të dyjave.

Për fat të mirë, fama e priftit në këto anë nënkupton që ne jemi të sigurt dhe lejohemi të kalojmë pa na bërë pyetje.

Kur mbërrijmë në kufi, hipim mbi një kodrinë të vogël dhe atje gjejmë emigrantë që presin të kalojnë.

Ata pushojnë në streha të sajuara me plastikë dhe kaktus për të mbrojtur veten nga i nxehti trullosur dhe erërat e egra të shkretëtirës. Janë po të njëjtët burra dhe gra që ne pamë në sheshin kryesor të Altarit, por tashmë janë nga koka te këmbët të veshur me kamuflazh.

“Ti mund të shohësh Jezu Krishtin që ecën mes nesh”, thotë prifti para se të citojë vargun 35 të Mateut. “Unë isha i uritur dhe ti më dhe diçka për të ngrënë, unë isha i etur dhe ti më dhe diçka për të pirë”.

Secili prej tyre ka një histori të ngjashme – jeta qe tepër e ashpër në Guatemala apo Honduras apo në fshatrat e Meksikës për të plotësuar nevojat e tyre. Ose ata qenë duke u përpjekur të ribashkoheshin me familjet e tyre në SHBA, pasi janë deportuar.

Një grua kishte edhe fëmijën e vet trevjeçar në krahë. Një tjetër kishte një foshnjë.

Ne qëndruam aty duke parë nga Shtetet e Bashkuara, toka e mundësive, e lodhshme dhe pranë. Emigrantët sakaq qenë të etur, të pistë dhe të rraskapitur.

Duke parë nga shkretëtira e egër para tyre, ata e dinin se pjesa më e vështirë e udhëtimit të tyre nuk kishte nisur ende.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat