Skandali në Shtëpinë e Foshnjes, Avokati i Popullit e ka paralajmëruar një vit më parë - Bota Sot
Skandali në Shtëpinë e Foshnjes, Avokati i Popullit e ka paralajmëruar një vit më parë

Sociale

E hënë, 18 qershor 2018

Skandali në Shtëpinë e Foshnjes, Avokati i Popullit e ka paralajmëruar një vit më parë

Më: 2 maj 2018 Në ora: 23:16
Pamje nga video

Pas transmetimit të pamjeve të dhunës verbale e fizike në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë në emisionin “Stop”, pesë punonjëset që janë shfaqur në video janë shkarkuar nga puna nga Bashkia e Vlorës, me motivacionin dhunë verbale dhe veprim e mosveprim për aktet e dhunës.

Lidhur me këtë skandal, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur grupin e kontrollit, të përbërë nga punonjës të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, Shërbimit Social Shtetëror dhe të kësaj Ministrie për vlerësimin dhe trajtimin e fëmijëve, mbi të cilët është ushtruar dhunë, si dhe vlerësimin e situatës psikologjike të të gjithë fëmijëve të kësaj qendre të përkujdesit social.

Ky grup gjithashtu do të bëjë vlerësimin e kushteve të ofrimit të kujdesit social për fëmijët, si dhe të punës së të gjithë punonjësve të qendrës, me qëllim marrjen e masave.

Por nga ana tjetër, disa shkresa të siguruara nga institucioni i Avokatit të Popullit tregojnë se situata ka qenë e njohur dhe e paralajmëruar prej tyre rreth një vit më parë.

Më datë 09.06.2017, komisioneri Ermir Kapedani iu drejtua Bashkisë Vlorë dhe Shërbimit Social Shtetëror me një shkresë, ku thuhet: “Marrjen e masave të menjëhershme për tërheqjen e vëmendjes së stafit që punon direkt me fëmijët, për një komunikim sa më etik dhe profesional me fëmijët e këtyre grupmoshave, si dhe trajnimin e stafit mbi etikën e komunikimit në punë, si dhe për parandalimin e çdo forme dhune ndaj fëmijëve”.

Por Bashkia e Vlorës nuk ka kthyer kurrë përgjigje, ndërsa Shërbimi Social Shtetëror, pasi ka realizuar monitorimin në Shtëpinë e Foshnjes, më 21.06.2017 është shprehur se nuk ishin evidentuar probleme të sjelljes së stafit ndaj fëmijëve.

Avokati i Popullit ka konstatuar gjithashtu se në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë asokohe nuk ka patur psikolog, roje, mjek dhe infermier. Gjithashtu u vërejt se godina kishte lagështirë të theksuar dhe shumë të dëmshme për shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.

Moderatorët e emisionit “Stop” theksuan se këto institucione duhet ta kishin “vënë ujin në zjarr” një vit më parë, kur situata alarmante është konstatuar nga Avokati i Popullit, në mënyrë që të mbronin shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve jetimë.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test