Jubile në kohë të rrezikshme

Religjion

Jubile në kohë të rrezikshme

Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 11:46

Për kancelaren Merkel thonë se ka aftësinë që të mos nxitohet. Për dhjetë vjet me radhë kancelarja festoi suksese me këtë stil. Pikërisht në vitin jubilar vendoset e ardhmja e saj, mendon Volker Wagener.
Këtë vit gjithçka do të jetë ndryshe: politika e dorës së qetë, e toneve të ulëta dhe e vendimeve të vonta e Angela Merkelit i përket së kaluarës. Dhe kjo ndodh në jubileun e dhjetë të saj si kancelare. Në fakt, bilancet politike të dekadës së Merkelit qenë shkruar që në verë - të paktën në mendje. Ishin shkruar ose si himn nderimi, ose si pranim duke shtrënguar dhëmbët. Merkeli, që i vuri emrin e saj një epoke, ishte në qendër të pushtetit të saj, të prestigjit të saj, të autoritetit të saj. Jo vetëm grekët mund të ta shpjegonin këtë. Edhe SPD-ja socialdemokrate dhe të gjithë meshkujt që mund të prinin kopenë në partinë e saj.

Me kulturën e mirëseardhjes pushteti i saj lëkundet

Por papritur erdhën refugjatët. Qindra mijëra prej tyre e shpallin Gjermaninë që atëherë vend të bekuar. Dhe Merkeli thotë fjali si "Do t'ia dalim mbanë!" dhe "E drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm". Më e vonta që prej shtatorit, politika është bërë sërish konfrontuese. Një numër shumë i madh njerëzish të mirë jetojnë kulturën praktike të mikpritjes, por në barkun e shoqërisë dëgjohen zhurma gërryese. Ndërkohë, në partinë e Merkelit ka kryengritje jozyrtare.

Mungon vetëm prijësi i saj. Zot i Madh, si u kthye fleta! Merkeli presidenciale, e zgjedhur disa herë si gruaja më e fuqishme e botës, në këmbët e së cilës rrinin urtë madje edhe pjesë të opozitës, po përjeton aktualisht një erozion të pushtetit. A po merr fund këtu një përrallë politike?

Kjo në një kohë kur ngjitja e saj nuk ishte as spektakulare: vitet e para të Merkelit si kancelare ishin si vite nën narkozë. Pa armiq të natyrshëm ajo ndoqi në një koalicion të madh një politikë pa kundërshtime. Lavdia e saj nuk bazohej në atë që bënte, por në atë si e bënte:

asgjëbërje e gjatë, vendimmarrja vetëm atëherë, kur shumica për vendimin qe siguruar. CDU-së ajo i hoqi qoshet dhe e bëri aq të ngjashme me SPD-në, sa mund ta ngatërrosh me të. Ajo është kryetarja jozyrtare e shoqërisë gjermane të konsensusit. Shkurt: Politika nën Merkelin është e mërzitshme, por shumë qetësuese. Gati ledhatuese. Merkeli konsiderohet që mund t'i besosh - kështu mendojnë edhe te të Majtët dhe Alternativat. Ajo zotëron artin e formulimit jokonkret dhe të thjeshtë. Asgjë nuk e simbolizon më mirë stilin e politikës së Merkelit se sa krijimi me gishta i shenjës së thurrjes, që të duket gati si budiste: shikoni këtu, unë arrij të shoh brenda elementëve bazë të jetës. Kjo simetri me të, me partinë, me zgjedhësit, megjithatë humbi me politikën e dyerve të hapura.

Vjeshtë e patriarkes?

Aftësia e Merkelit për t'i ngrirë konfliktet rezulton e papërshtatshme në temën e refugjatëve. Deri tani, gabimet e të tjerëve ishin kapitali më i madh i saj, tani është ajo së cilës i rrëshkasin gabime. Strategjia e saj e mënjanimit të gabimeve si recetë politike dështoi. Tani asaj i duhet të prijë dhe jo vetëm të drejtojë me një krah. Që ajo është në gjendje ta bëjë këtë, e ka vërtetuar. Pa iu dridhur qerpiku e dalloi ajo momentin e përshtatshëm, kur monumenti Helmut Kohl u lëkund, si rrufeja ia dha ajo lamtumirën energjisë atomike pas Fukushimës. Por në të gjitha këto hapa ajo kishte si mbështetje sondazhet - pra vullnetin e popullit.

Kurse tani kërkohet që ajo të tundë skeptrin edhe në politikën e brendshme. Këtë fushë ajo deri tani ia ka lënë thuajse krejtësisht socialdemokratëve të luajnë. Skena e saj ishte politika e jashtme. Shpëtimi i euros dhe i klimës, tregimi i vendit Rusisë, disiplinimi i Greqisë. Ajo ia arriti që të konsiderohet e pazëvendësueshme në përballimin e krizave në të gjithë globin.

"Zvicerizim me efekt qetësues i Republikës Federale", kështu e quan këtë gazeta "Die Welt". Kjo tani mori fund. Merkelit i duhet të thotë se si do të vejë puna më tej në politikën e brendshme. Më shumë se një milion refugjatë të ardhur në pak muaj, kjo është më shumë se një fusnotë në biznesin e së përditshmes politike - as në plan afatgjatë. A ka ndonjë plan ajo? Nëse nuk ka, është gjithçka e mundur: dorëheqja, zgjedhje të reja. Kjo në një kohë kur ajo kishte vendosur prej kohësh të rikandidonte për postin e kancelares në vitin 2017. Por kjo ndodhi përpara se të gjithë të nisnin të flisnin për kulturën e mirëseardhjes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat