Vrasja e tregtarit në Kamzë, flet i vëllai i Agim Bucit: Duam dënim maksimal për autorët

Shqipëria

Vrasja e tregtarit në Kamzë, flet i vëllai i Agim Bucit: Duam dënim maksimal për autorët

Më: 29 prill 2018 Në ora: 08:29
Rifat Buci

Familjarët e tregtarit Agim Buci, i cili u vra gjatë grabitjes në dyqanin e tij në Kamzë, kërkojnë dënim maksimal për autorët, në të kundërt paralajmërojnë vetëgjyqësi.

Vëllai i Agimit, Rifat Buci, përgëzon Policinë për arrestimin e autorëve në kohë rekord, por sipas tij kjo çështje nuk është mbyllur ende, pasi çështja i kalon Prokurorisë dhe Gjykatës. Dënimin e tyre e ka në dorë Gjykata dhe ai kërkon drejtësi. 

Rifat Buci shprehet për “panorama” se grabitësit mund të kishin vrarë edhe kunatën e tij, e cila për fat të mirë u plagos në këmbë. Por sipas tij, autorët mund ta kishin qëlluar edhe në zemër. 

Ndërsa shprehet se gjithçka ka ndodhur në sy të nipit të tij 6-vjeç, i cili edhe sot është i terrorizuar nga ajo çfarë ka parë.  

“Vëllai im ishte njeri punëtor, i ndershëm, shikonte punën e vet. I morën jetën pa i pasur njeriu asnjë borxh, pa i rënë askujt në qafë. Në shtëpinë e vet, në sy të djalit të vet, deshën të vrisnin edhe gruan. Çfarë meritojnë këta njerëz? Dënim kapital”, shprehet Rifat Buci.

Pas arrestimit të dy grabitësve, vëllai i viktimës thotë se tani janë më të lehtësuar, edhe pse dhimbja është e madhe dhe nuk ikën. Por kërkon që shteti të marrë masa e t’i parandalojë këto ngjarje, në të kundërt, populli do të armatoset për të mbrojtur veten, pasi nuk ka rrugë tjetër.

“Djali 6 vjeç ka përjetuar terror. Është i terrorizuar edhe sot. Çfarë faji kishte ai? Duhen marrë masa patjetër. Kjo që na ndodhi neve, mund t’i ndodhë kujtdo nesër. Mund t’u ndodhë edhe politikanëve. Ne sigurisht që urojmë të mos i ndodhë askujt. Por kjo është situata. Populli nuk ka mbrojtje dhe do gjejë një rrugë që të mbrojë veten, nëse shteti i vet nuk i mbron. Ose drejtësia të bëjë punën e vet, të shkojë në vend, ose populli do bëjë vetëmbrojtje, do bëjë vetëgjyqësi”, shton ai.

Dy ditë më parë, policia zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy autorët e dyshuar të krimit, Vladimir Kurtin dhe Rruzhdi Hodën. Gjithashtu, mësohet se të dy të rinjtë kanë pranuar krimin para policisë. 

Po sipas policisë si autor kryesor i ngjarjes është identifikuar shtetasi Vladimir Kurti, 28-vjeç, i cili rezulton me precedentë penalë, i dënuar për grabitje me dhunë. Ky i fundit rezulton se ka përdorur armën ndaj Agim Bucit, babait të katër fëmijëve. 

Kurti, që njihet edhe si konsumator i lëndëve narkotike, u shoqërua nga policia vetëm 20 minuta pas krimit. Ai ishte një prej 13 të shoqëruarve dhe pavarësisht se u lirua, ai u mbajt në mbikëqyrje pasi ishte i dyshuari kryesor.

Sapo doli nga policia, ai telefonoi shokun e tij duke i thënë “A i fshehe ato se mua me morën në pyetje”. Pas kësaj telefonate policia arriti synimin për të siguruar provën e pakontestueshme dhe njëkohësisht të zbulonte dhe autorin e dytë. Pas kësaj policia arrestoi Vladimir Kurtin dhe Ruzhdi Hodon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat