"Ramës i duhet burrëri"

Shqipëria

"Ramës i duhet burrëri"

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 18:16
Paskal Milo

Duhet burrëri. Këtë fjalë përdor ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo duke ju referuar debatit për çështjen më të nxehtë aktuale, siç është nisja e bisedimeve mes Greqisë dhe Shqipërisë për të arritur një marrëveshje për ndarjen e kufirit detar.

Dhe burrërinë, sipas tij, duhet ta tregojë kryeministri Edi Rama duke u takuar me presidentin Ilir Meta. Cështja ka ngjallur përplasje së fundi, për faktin se bisedimet mes ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias, nisën në kohën kur qeveria shqiptare nuk kishte marrë ende plotfuqishmërinë nga institucioni i presidencës, madje një kërkesë të tillë as nuk e kishte bërë. Sot kreu i shtetit Ilir Meta tha se qeveria nuk është e qartë sa i përket edhe negociatorëve, se kush do të ketë ekskluzivitetin për t’i bërë ato.

“Duhet burrëri, Edi Rama duhet të takohet me Ilir Metën. Rama dhe Meta takoheshin për gjëra që nuk kishin këtë peshë çdo të mërkurë kur ishin aleatë politikë, e jo më për çështje si marrëveshjet me Greqinë. Do të shmangnin keqkuptimet, keqinterpretimet. Komunikimi i drejtpërdrejtë i dy njerëzve të pushtetshëm, të fuqishëm në Shqipëri, mund të shmangë keqkuptimet. Mendoj se një komunikim i tyre direkt do ta zgjidhte”– u shpreh Milo i ftuar sot në emisionin "45 minuta" në Report TV.

Historiani saktësoi se plotfuqia e presidentit duhet para negocimit të çdo marrëveshje ndërkombëtare.

I pyetur se si zgjidhet ky ngërç politik, Milo shprehet: “Më shqetëson atmosfera, që nuk ka arsye pse të ndodhë, duke qenë se të dy institucionet duket se kërkojnë një protagonizmi politik që deri diku edhe mund të jetë i pranueshëm. Por Meta në pozitat e kreut të shtetit, nuk besoj së kërkon edhe aq protagonizëm, por respektim të institucionit, duke iu referuar Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese por rolin që ka”.

Por a mundet që institucionet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse nuk gjejnë zgjidhje?

“Është e tepërt, që dy institucione të shtetit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Me pak fjalë, unë këmbëngul që në raste të tilla është shumë e nevojshme, që kryeministri dhe ministri i Jashtëm të shkojnë te Presidenti. Të ulen si zotërinj, si partnerë dhe ta zgjidhin problemin”.  

I pyetur nëse edhe në këtë rast, mund të duhet ndihmë nga SHBA dhe BE, ish-ministri i Jashtëm, thotë se kjo nuk do të ishte dinjitoze.

“S’mund të drejtohemi për çdo gjë te arbitrat ndërkombëtarë, të cilët kanë ndërhyrë në shumë raste për pajtimin e politikanëve shqiptarë” – tha Milo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat