Topalli: Basha shiti zgjedhjet e 25 Qershorit

Shqipëria

Topalli: Basha shiti zgjedhjet e 25 Qershorit

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 22:51
Jozefina Topalli

Nëse mendoni se Jozefina Topalli i kishte thënë të gjitha gaboheni. Në një intervistë për Abc News ish nënkryetarja e PD-së ka përdorur një gjuhë më shumë se të drunjtë në adresë të kryetarit demokrat Lulzim Basha ku tha: “Lulzim Basha i ka shitur zgjedhjet e 25 Qershorit.

Politika është mision, nuk mjafton një dëshirë apo një urdhër e një familjari për të bërë një njeri deputet. Kjo nuk është lista e PD-së por e familjes Basha-Isufi. Një listë që nuk ka asnjë kriter politik nuk mund të funksionojë”.

Një tjetër akuzë e rëndë në adresë të PD-së prej zonjës Topalli, ishte edhe ai për bashkëpunim pa kushte me PS-në. E pyetur se a është problem fakti që PS ka tashmë 74 mandate për opozitën e PD-së, ish Kryetarja e Kuvendit e preu shkurt përgjigjen kur tha: “Janë të gjithë bashkë...”.

Një këshillë ajo e kishte edhe për pasardhësin e saj në krye të Kuvendit, Gramoz Ruçi: “Unë kam patur një parim për të respektuar rregulloren. Uroj që zoti Ruçi të respektoj rregulloren por të mos bëjë policin. Në çdo vend të botës bëhet paralajmërimi 2-3 minuta pastaj ndërpritet. Unë nuk ia kam ndërprerë fjalën zotit Ruçi”.

Po çfarë mendon Jozefina Topalli për kabinetin Rama 2? Ajo ka një version të saj kur flet se kush fshihet pas emërimit të ministrave: “Thuhet kur krijohet një qeveri e re që duhet 6 muaj kohë të bësh vlerësimin e parë. Zoti Rama i ka dhënë gjithë pushtetin vetëm 3 ministrave. Oligarkët, biznemen të fortë që blejnë ministra, deputetë dhe kryetar partish, ato kësaj rradhe kanë caktuar ministrat. Pa një opozitë Rama është i frikshëm. Ajo që ka ndodhur në Elbasan është e rëndë. Të guxosh të sulmosh makinën e policisë është e frikshme. Ajo nuk është një qeveri e vogël, ajo nuk është një qeveri as e majtë as e djathtë”.

Ndërkohë, ish numri 2 i PD-së Jozefina Topalli nuk pajtohet as me qëndrimin e Lulzim Bashës për Kodin Zgjedhor: “Nuk ka ligj që pengon shitjen dhe blerjen e votës. Faji nuk është i kodit. Kam dëgju që Lulzim Basha flet për një mandat mazhoritar, ky është fundi. Kjo sepse në kolegjin zgjedhor është paraja ajo që blen mandatet, prandaj e bëmë kodin zgjedhor proporcional. Por nëse në zgjedhjet e fundit janë shitur 20% vendeve të listave, në mazhoritar do të shiten 100% të vendeve”.

“A ka deputet të PD-së që kanë paguar për kandidimin”- ishte kjo një pyetje që Jozefina Topalli nuk e la pa përgjigje kur tha: “Ka zëra që flasin. Ku ka zë nuk është pa gjë”- përsëriti disa herë ajo.

Ndërkohë Topalli i ka mbyllur derën ftesës publike të Lulzim Bashë për pajtim kur e pyetur nëse kishte qenë në PD kohët e fundit ajo tha: “Ku të shkoj, aty ska njeri, aty nuk shkon më asnjë demokrat pasi zoti Basha i ka zëvendësuar njerëzit e PD me klientët e gruas dhe kunatit. Unë nuk marr telefonata nga drejtoresha e biznesit të kunatit dhe unë prandaj jam larguar nga Lulzim Basha”- një largim ky që mesa duket është pa kthim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat