Ambasadorët Lu dhe Vlahutin takim me Xhafajn

Shqipëria

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin takim me Xhafajn

Më: 3 maj 2016 Në ora: 11:29

-Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA-së, Donald Lu janë takuar paraditen e sotme me kryetarin e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Sipas burimeve zyrtare, takimi që po zhvillohet në kryesinë e Kuvendit, ka në fokus procesin e reformës në drejtësi, aktualisht i mbetur pezull.

E konsideruar nga ndërkombëtarët si një gur themeli për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, reforma në drejtësi ende nuk po përmbyllet nga palët politike në Shqipëri.

Për herë të fundit komisioni i posaçëm u mblodh më 25 prill, pa praninë e anëtarëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në kuadër të vendimit politik për të bojkotuar me dhjetë ditë punimet e Kuvendit.

Megjithatë, pas mbledhjes, e zhvilluar në prani të ekspertëve ndërkombëtarë, kryetari Fatmir Xhafaj deklaroi se projekti i kushtetues është gati për t’u votuar shumë shpejt në parlament, nëse ka dhe vullnetin e opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat