Policia ndalon biznesmenin Sait Fishta, akuzohet për ndërtim të paligjshëm

Shqipëria

Policia ndalon biznesmenin Sait Fishta, akuzohet për ndërtim të paligjshëm

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 22:09

Policia e Tiranës ndaloi gjatë orëve të mbrëmjes me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, biznesmenin Sait Fishta. Arrestimi i tij është bërë disa orë pasi prokuroria sekuestroi edhe pallatet e tij. Burimet nga policia thanë se, Fishta akuzohet për “ndërtim të paligjshëm”. Në zgjedhjet parlamentare të 2013, Fishta ishte një nga kandidatët e PS-së në listën shumëemërore për deputet në Qarkun e Shkodrës.

Prokuroria ka marrë lejen e gjykatës për këtë vendim, bazuar në faktin se lejet e ndërtimit janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Sipas saj, këto leje janë të paligjshme, pasi janë dhënë nga KRRT-ja e Komunës së Velipojës, kur që në bazë të ligjit, për shkak se bëhej fjalë për ndërtime në bregdet, leja mund të jepej vetëm nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit.

Hetimet kanë nisur fillimisht për shpërdorim detyre të anëtarëve të KRRT-së së Velipojës. Të 9 anëtarët, përfshirë ish-kryetarin e komunës, janë në gjykatë. Gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, Prokuroria e Shkodrës thotë se ka njoftuar zyrtarisht edhe administratorin e kompanisë “Fishta” shpk, shtetasin, Sait Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.

Por, pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë në lejet e ndërtimit, kompania ka vijuar punimet në këto godina. Për këtë arsye, Fishta është akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”. Prokuroria thotë se dy nga pallatet e sekuestruara jane 6 kate dhe të përfunduar, tre të tjerë në ndërtim në katin e katërt, tre në ndërtim në katin e tretë dhe një pallat ishte në ndërtim në katin e parë. Një objekt 5-katësh u bllokua në këtë kompleks edhe në shtator të vitit 2013, me nisjen e aksionit kundër ndërtimeve pa leje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat