Ndryshimet në qeveri: Zbutet LSI, nuk kërkon më impulse

Shqipëria

Ndryshimet në qeveri: Zbutet LSI, nuk kërkon më impulse

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 10:00

Dy aleatët e Ramës, Meta dhe Idrizi, kanë drekuar dje, në prani edhe të deputetit Aqif Rakipi dhe ministrit Nasip Naço. Ky është takimi i dytë brenda një jave. Takimi, pas kërkesës së LSI-së për ndryshime në qeveri

Takimet e dy ditëve më parë Rama-Meta duket se kanë dhënë efektet e duhura sa i përket qetësimit të situatës së marrëdhënieve mes dy forcave kryesore të koalicionit, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Këtë ka lënë të kuptohet dje kreu i grupit të deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili, i cili në një intervistë për mediat dje pas mbarimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ka qenë shumë më i përmbajtur sesa deklaratat e ditëve të fundit të atij vetë personalisht dhe të krerëve të tjerë më të lartë të kësaj force politike.

Ai në asnjë moment nuk e ka përmendur dje çështjen e impulseve të reja që duhet të fitojë qeverisja, ndërsa ka siguruar se ajo do t’i ketë votat dhe mbështetjen e LSI-së në çdo moment.

“Kemi thënë dhe insistojmë që e rëndësishme dhe parësore është një performancë gjithnjë e më e suksesshme dhe mbajtja e një rezultati reformash me ritmin e duhur. Çështja e ndryshimeve dhe personalizimi i ndryshimeve me persona apo emra nuk është qasja jonë. Kryeministri është drejtuesi dhe monitoruesi i qeverisë, kurdo që ai kërkon mbështetjen tonë për aksione të tija, qofshin parlamentare, qofshin të çdolloj forme tjetër, do ta ketë atë”, – tha Vasili.

Ai ka theksuar se është në kompetencë dhe në gjykim të Kryeministrit ndryshimi ose jo i qeverisë. Kjo pasi sipas Vasilit, është ai që ndjek nga afër punën e çdo sektori dhe që mund të vlerësojë nëse duhet të ketë ndërhyrje apo jo.

“Ne mbështesim plotësisht të gjithë punën dhe veprimtarinë e qeverisë dhe kryeministri shqiptar është ai që ka tagrin të bëjë vlerësimet e duhura. Dhe kurdo që atij do ta gjykojë që do të ketë nevojë për ndryshime, do të ketë mbështetjen tonë. Prioritare për ne nuk është personalizimi, prioritare për ne është që reformat, në mënyrë të veçantë ato në fushën ekonomike, të ecin me ritmin e duhur për të përmbushur gjithmonë e më mirë ato pritshmëri, për të cilat shqiptarët na kanë votuar dhe vazhdojnë të na votojnë masivisht”, – tha Vasili.

Jo vetëm kaq, por Vasili ka lënë të kuptohet me deklaratat e veta se qeveria mund edhe të mos ndryshojë, ku ka theksuar se ajo ka dhënë prova se mund të përballet me sfida dhe reforma të mëdha.

“Sigurisht që qeveria ka dhënë prova të qarta që ajo nuk është stepur përpara reformave shumë të vështira dhe të munguara prej më se 20 vitesh. Dhe po kjo kurajë që e ka shoqëruar në këto dy vjet do ta shoqërojë deri në përfundimin e mandatit, për të demonstruar se nuk ka tabu në fushat e qeverisjes. Edhe ato që kanë qenë pika të paprekshme, si çështja e energjisë elektrike, lufta kundër informalitetit, lufta ndaj lëndëve narkotike, kjo qeveri është përballur me to pa pasur asnjë lloj kompleksi se janë beteja që nuk mund të fitohen. Ka pasur bindjen që mund të fitohen dhe demonstrimet e shumta e kanë treguar këtë gjë”, – deklaroi Vasili.

Ndërkohë që nga ana tjetër ai ka mohuar që mungesa e deputetëve të LSI-së në mbledhjet e komisioneve parlamentare dy ditë më parë të ketë qenë të qëllimshme. Lidhur me dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, ai ka theksuar se ato duhet të kalojnë me konsensus. Madje ka bërë të ditur se palët janë shumë afër këtij konsensusi, të paktën sa i përket dekriminalizimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat