Rama sërisht në zyrën e Metës, i prerë për të mos ndryshuar Qeverinë

Shqipëria

Rama sërisht në zyrën e Metës, i prerë për të mos ndryshuar Qeverinë

Nga: Gjergj Koja Më: 7 tetor 2015 Në ora: 13:13

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një tjetër takim me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, në zyrën e këtij të fundit në Kryesinë e Parlamentit shqiptar. Ky është takimi i dytë që Rama dhe Meta zhvillojnë mes tyre brenda 4 ditësh, ndërsa për 60 minuta Kreu i Qeverisë dhe Kryeparlamentari kanë diskutuar mbi zhvillimet më të fundit politike në vend. Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se takimi është kërkuar nga Kreu i Qeverisë, i cili ka qëndruar me Metën për mbi 60 minuta. Mësohet se në qendër të takimeve kanë qenë ndryshimet në Qeveri, ku dy drejtuesit e koalicionit kanë qëndrime të kundërta. Nga njëra anë Ilir Meta kërkon impulse të reja në Qeverisje, ndërsa në anën tjetër Kryeministri i cilëson si sajesa deklarimet lajmet mbi ndryshimet në Qeveri. Takimi vjen në një kohë kur nga drejtues të LSI po kërkohen me ngulm ndryshimet në qeveri nën moton e impulsive të reja, ndërsa në anën tjetër Taulant Balla, Nënkryetar i Grupit Parlamentar socialist, ka deklaruar se nuk është koha për ndryshime në qeveri. Mësohet se këtë qëndrim ka ripërsëritur edhe Kryeministri Rama në takimin me Kryeparlamentarin. Gjithashtu mes Kreut të Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit është diskutuar edhe mbi reformën në drejtësi dhe ndryshimet në Kushtetutën e vendit, për të cilat LSI ka shprehur rezerva për disa nga pikat e propozuara nga socialistët. Në këtë kuadër mendohet se të dy drejtuesit e mazhorancës kanë diskutuar për unifikimin e qëndrimeve për cështje të tilla, përpara se të synohet arritja e një konsensusi me opozitën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat