Tregu pranë spitalit nr 5, Avokati i Popullit jep rekomandimet për tatimorët/ Sekuestrimi mallrave, nuk zgjidh problemin

Shqipëria

Tregu pranë spitalit nr 5, Avokati i Popullit jep rekomandimet për tatimorët/ Sekuestrimi mallrave, nuk zgjidh problemin

Nga: Gjergj Koja Më: 3 tetor 2015 Në ora: 12:38

Avokati i Popullit i sugjeron Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës disa rekomandime në lidhje me tregëtarët e tregut pranë Spitalit nr 5 në Tiranë. Etilda Saiu, Komisionere pranë Avokatit të Popullit, theksoi se shqetësimet për 300 tregëtarët e këtij tregu janë të njëjta, pasi administrata tatimore pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, ka kryer kontrolle dhe për shkak të mungesës së rregjistrimit të aktivitetit të tyre tregtar në organet tatimore, ju kanë sekuestruar mallin.
“Nga takimi me këta persona, si dhe nga përmbajtja e ankesave të depozituara në Institucionin e Avokatit të Popullit rezulton se, ky treg përbën bazën e jetesës së familjeve që përfaqësojnë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë gra familjare dhe kryefamiljarë që nuk kanë asnjë mjet tjetër jetese prej 25 vjetësh, duke mbajtur barrën ekonomike dhe financiare të pjesës tjetër të familjes që aktualisht është e papunë dhe e shumtë numerikisht. Një grup i konsiderueshëm i tyre i përkasin komunitetit romë dhe egjyptian. Duhet të mbajmë në konsideratë faktin që ky komunitet është i njohur për ushtrimin e këtij lloj aktiviteti të tregtimit të veshjeve dhe mallrave të përdorur, ngarkesat e mëdha sociale që mbartin familjet e tyre, si dhe nivelin e dobët financiar dhe mjetet e pakta që ata disponojnë për të përballuar jetesën. Për sa më sipër, për këtë kategori “tregtarësh”, që zhvillon aktivitet tregtar ambulator në kushte kaq të vështira, mendojmë se duhet që të merren masa për rritjen e informacionit lidhur me procedurat e rregjistrimit, pakësimin e kostove për kryerjen e këtyre procedurave për të gjithë ata individë që nuk kanë mundësi financiare njësoj si njësitë e tjera tregtare”, theksoi ajo.
Sipas Avokatit të Popullit, këto subjekte duhet të gjejnë një karakterizim në ligj dhe aktet nënligjore për zbatim të tij, me qëllim që veprimtaria e tyre të jetë ligjore dhe e rregjistruar por njëkohësisht të përcaktohen detyrime tatimore për ta në proporcion me të ardhurat që krijojnë, duke i konsideruar si tregtar ambulant ose kategori tjetër.
“Ne jemi të mendimit se sekuestrimi i mallrave të këtyre tregtarëve ambulantë, dhe mbyllja e veprimtarisë së tyre, sjell njëkohësisht pasoja të rënda sociale dhe ekonomike për ta dhe familjet e tyre numerike. Mbyllja e tregut në mënyrë të menjëhershme, do të ulë nivelin e jetesës të këtyre familjeve, do të rrisë numrin e të papunëve, si dhe do të rrisë numrin e njerëzve që do të drejtohen për të përfituar drejt skemave të ndihmës ekonomike. Gjithashtu, Avokati i Popullit i ka drejtuar një kërkesë për informacion Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për masat ligjore dhe efektive që ky institucion do të ndërmarrë, lidhur me krijimin e kushteve normale për ushtrimin e aktivitetit dhe pasjen e një ambienti të formalizuar tregtimi për këtë komunitet”, tha Komisionerja Saliu.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit
1. Kategorizimin në ligj dhe akte nënligjore, të këtyre subjekteve tregare duke i përfshirë ato, në subjekte tregtare me karakter te perafert me ato ambulatore ose kategori tjetër me qëllim diferencimin e tyre nga subjektet e vogla tregtare me qarkullim deri ne 2.000.000 lekë në vit (Biznes i vogël)
2. Lejimin e ushtrimit të këtij aktiviteti pa ndërprerje deri në plotësimin e të gjitha detyrimeve ligjore duke krijuar kushte lehtësuese për komunitetin e tregtarëve të tregut pranë Spitalit nr.5, Tiranë.
3. Lehtësimin e procedurave të tërheqjes së artikujve të konfiskuar duke përcaktuar kritere të veçanta per rikthimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat