Antimafia "kyç" pasurinë e biznesmenit Dashamir Gjoka

Shqipëria

Antimafia "kyç" pasurinë e biznesmenit Dashamir Gjoka

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 08:37

Krimet e Rënda, rikthejnë edhe njëherë në vëmendje emrin e Dashamir Gjokës, biznesmenit të njohur shijakas. Emri i tij lakohet thuajse prej dy dekadave, herë si i akuzuar, e herë si mbështetës i forcave politike. Megjithatë, ditën e djeshme, është prokuroria që me anë të një reagimi zyrtar, bën me dije se janë vënë sërish nën sekuestro pasuritë e tij të shumta. Në mes të pasurive që janë shënuar në listën e prokurorisë si prona të dyshimta dhe që prokuroria pretendon se duhet te sekuestrohen është edhe kompleksi ‘Gjoka’, një prej komplekseve më të njohura në vend, e njëherësh më të përfolura nga drejtësia italiane dhe ajo shqiptare. E megjithatë, pavarësisht se disa herë është tentuar sekuestroja për atë ambient, asnjëherë nuk është vënë në dryn, ç`ka do të thotë se për këtë biznes nuk ka ekzistuar asnjëherë një urdhër i formës së prerë, ashtu siç ende nuk figuron as kësaj here. Dashamir Gjoka, i ka fituar të gjitha betejat e tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit; e fundit ka qenë një vit më parë, kur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka dhënë vendim kundër ekstradimit të tij në drejtim të Italisë.

Urdhri i Krimeve të Rënda

‘Në zbatim të ligjit “Antimafia”, Prokuroria ka vendosur sekuestro për mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, i hetuar për “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Fillimisht, Prokuroria ka marrë miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vendosjen e sekuestros preventive ndaj këtyre pasurive: Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29.11.2007 që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim.

Milionat që bankat i kanë dhënë Gjokës

Në kuadër të hetimit u sigurua informacion edhe nga bankat e nivelit të dytë. Konkretisht Banka... në vitin 2012 informoi se shtetasi Dashamir Liman Gjoka ishte klient pranë kësaj banke dhe dispononte kredi me pakicë në shumën prej 5.68 milionë lekëve. Në vitin 2007 kredi e tërhequr në shumën prej 1.34 milion lekë, përdorur për shlyerje kredie për Arben Gjokën. Banka... informoi se ‘Gjoka shpk’, me administrator A.Gjoka i ishte dhënë një kredi në vitin 2003 në shumën prej 400 mijë euro, për qëllim biznesi, për t`i përdorur për aktivitetin tregtar të importit të mallrave për një afat prej 90 ditësh. Me këtë shoqëri, kjo bankë që i kishte dhënë këtë shumë, kishte lidhur një marrëveshje për ndryshim kontrate. I ishte dhënë një rritje e linjës së kredisë në 500 mijë euro-sh. Në vitin 2009, Banka... i dha shoqërisë “Gjoka shpk”, shumën e kredisë prej 250 mijë euro-sh për financim të pjesshëm të kostos së investimit për kompleksin e tregtisë dhe të shërbimeve në Sallmone. Nga shuma e marrë kredi rezultoi e likuiduar deri në shtator të vitit 2012, shuma prej 98.212 euro.

Në vitin 2009, banka i dha shoqërisë ‘Gjoka shpk’ 250 mijë euro për mbylljen e linjës së kredisë me afat; pra të overdraftit të dhënë në vitin 2003. Prej saj deri në vitin 2012 ishte likuiduar vetëm shumë prej 35 580 euro. Një përmbledhje e marrëdhënieve të huasë me bankat... rezultoi se subjektit ‘Gjoka shpk’ iu akordua nga ish-banka...,linjë kredie me afat overdrafti në shumë e 500 mijë eurove për qëllim biznesi, shumë e cila ndodhej në llogarinë bankare të subjektit. Në lidhje me burimin e të ardhurave që shërbyen për të likuiduar shumat e kredive të marra nga subjekti Gjoka shpk nga viti 2003 deri në vitin 2012, u mor informacion i detajuar. Verifikimi i pasurive dhe i të ardhurave u krye në Shqipëri dhe në Itali. Në përgjigje të letër-porosisë drejtuar autoritet gjyqësor italian përcjellë në organin procedues me shkresën nr .2905-1 datë 21.08 2014 të Prokurorisë së Përgjithshme rezultoi se nuk kishte konfirmim të profilit financiar me inisiativë të shtetasit Dashamir Gjoka apo të familjarëve të tij. Nga të dhënat e ALUIZNI-t vlera e investimit të kompleksit ‘Gjoka’ rezultoi e barabartë me 172 802 500 lekë, ndërsa objektet që përfaqësonin atë ishin ndërtime të para vitit 2006. Nisur nga niveli i të ardhurave të llogaritura në shumën prej 7.457.002 lekë, dukshëm ato nuk mund të justifikonin ndërtimin e këtij kompleksi.

Si u gjykua Gjoka në dy gjykata

source: imgur.com

Arrestimi i Dashamir Gjokës u bë mesnatën e 6 qershorit 2013. U tha se ndaj tij ekzistonte një urdhër arresti nr.946/2009, datë 30.11.2009 të Gjykatës së Milanos, për veprën penale të “Bashkëpunimit kriminal me qëllim emigracionit klandestin” dhe ishte i dënuar nga ajo gjykatë me 7.6 vjet burg. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Durrësit më 08.06.2013 vendosi të caktojë si masë sigurimi ndaj shtetasit Dashamir Gjoka atë të “detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 14.00. Pas marrjes së masës së sigurimit, vendimi i është komunikuar Ministrisë së Drejtësisë, e cila brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit ka njoftuar gjykatën për mbajtjen e masës së sigurimit sipas ligjit. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar autoritetet italiane mbi zbatimin e masës së sigurimit me qëllim paraqitjen e kërkesës së tyre për ekstradim dhe aktet provuese në zbatim të Konventës “Për ekstradimin”. Ministria e Drejtësisë Italiane në datë 18.06.2013 ka përcjellë drejt vendit tonë edhe kërkesën për ekstradim, kërkesë që u rrëzua në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Klani i përfolur i Dash Gjokës

Për vite me radhë, emri i Dash Gjokës dhe i klanit të udhëhequr prej tij shërbenin si etiketim i një sundimi që nga Italia e deri në Durrës, ku padyshim Shijaku, shpesh herë dukej se identifikohej vetëm me ekzistencën e tij dhe të njerëzve që e rrethonin. U fol jo pak se historia e lidhjes së Dash Gjokës me krimin nis në vitin e largët 1996 ku thuhej se vrau një shkodran. Vrasja ndodhi në Itali dhe u tha se shkak ishte pikërisht përplasja për sundimin e trafikut të prostitucionit. Dy vite më vonë, në bashkëpunim me një emër të njohur të drejtësisë shqiptare u tha se kanë vrarë një vajzë dhe kanë plagosur një tjetër. Për të mbijetuarën u tha se Gjoka e kishte punësuar në kompleksin e tij, por që policia dhe as prokuroria kurrë nuk arritën të vërtetonin një akuzë të tillë. Në vitin 1999, grupi i Dash Gjokës qëllon mbi një djalë, emri i të cilit më vonë do të kthehej thuajse në proverbialitet për sa i përket mënyrës se si arriti të funksiononte, mbijetonte dhe të ekzekutonte jo pak njerëz deri te komisari i Shijakut, vrasje që tronditi vendin, 3 vite më parë.

Ilir Xhakja mundi të shpëtonte nga ajo pritë, ndërsa në mjetin e tij nga plumbat e grupit të Dash Gjokës u tha se humbi jetën Veli Rexha, djali nga Kukësi, që njihej më shumë prej vëllait të tij, Qamil Rexhës. Po pavarësisht gjithçkaje të thënë nga mediat e kohës, për vrasjen e Veli Rexhës nuk u arrestua asnjë person sot e asaj dite. U tha se Dash Gjoka bashkë me të vetët morën hak për vrasjen e nipit të tij, Gentit dhe të një miku të tij, Petritit. Ekzekutimet sipas të dhënave të kohës ishin kryer nga grupi i Ilir Xhakjes, ku përplasja mes palëve kishte nisur nga vrasja e kryer prej Ilirit dhe bandës së tij që me vrasjen e Qerim Malokut, ku konfliktet me këtë të fundit kishin nisur që në vitin ‘94. Ndërsa Ilir Xhakja pranon të dorëzohet në këmbim të lirisë së nipit e ndoshta edhe të jetës së tij, pas ekzekutimit në pabesit të shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri, media gjeti edhe njëherë mundësinë të rikthehej te grupet dhe klanet e fuqishme të krimit në zonën e Shijakut. Megjithatë, emri i Dash Gjokës, prej vitesh ka dalë nga vëmendja, përveç se në rastet kur kërkohet nga drejtësia italiane.

Ja si e shpëtoi Gjykata e Lartë Dashamir Gjokën nga ekstradimi

Dashamir Gjoka u arrestua më 7 qershor të vitit 2013 me qëllim ekstradimin në drejtim të Italisë pasi edhe urdhri i arrestit kishte ardhur pikërisht prej andej. Ndaj tij thuhej se ishin ngritur një sërë akuzash të rënda dhe prokuroria e Durrësit i kërkoi gjykatës së Shkallës së Parë të vendoste për ekstradimin e tij. Në fakt Gjykata vendosi kundër ekstradimit dhe beteja vijoi atë vit edhe në Apel, ku edhe kjo gjykatë do të kundërshtonte kërkesën e prokurorisë. Me 22 tetor të po këtij viti, Dashamir Gjoka, me vendim të Apelit fiton betejën me Prokurorinë dhe me drejtësinë italiane. Por është prokuroria që bën rekurs në Gjykatën e Lartë dhe një kolegj i kryesuar nga gjyqtari Edmond Islamaj, në fillimmajin e vitit të kaluar vendos të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit duke theksuar se rekursi i paraqitur nga ana e prokurorit nuk mund të pranohet me arsyetimin se: “Kërkesa rezulton e pambështetur në prova dhe ligj.

Mbrojtja paraqiti vendimin nr. 278, datë 18.09.2000 të Gjykatës së Lartë nga i cili rezulton se ky shtetas ka qenë i paraburgosur nga data 04.10.1999 deri më 18.09.2000, me masën e sigurimit “arrest në burg”, pasi dyshohej për kryerjen e një vepre penale dhe pas kësaj periudhe ka qëndruar me masën e sigurimit arrest në shtëpi. Nga vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Milanos, rezulton se faktet për të cilat është dënuar ky shtetas në Itali kanë ndodhur në periudhat Janar-Nëntor 2000, kohë kur sipas vendimit të gjykatës së Milanos ky person u jepte strehim grave në Shqipëri, në lokale të ndryshme që kishte në përdorim, organizonte futjen e tyre në Itali nga Durrësi dhe Vlora etj, ndërkohë, që sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ka qenë me masë sigurimi “arrest në burg”. Mbi bazën e këtyre fakteve, prej këtij të dënuari është kërkuar përpara Gjykatës së Milanos rishikimi i vendimit penal të formës së prerë, për sa më sipër, ekstradimi i shtetasit Dashamir Gjoka nuk mund të bëhet pasi në këtë rast parimi i përgjithshëm i akteve ndërkombëtare për ekstradimet “i të dhënave të rëndësishme të fajësisë, është cenuar. Cenimi i këtij parimi është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ku neni 1 i saj detyron shtetet kontraktuese që të sigurojnë për çdo njeri brenda juridiksionit të tyre, të drejtat dhe liritë e përkufizuara në Konventë.

Në kushtet e moslejimit të ekstradimit, çmohet se ka humbur fuqinë juridike dhe masa e sigurimit personal e vendosur me vendimin nr. 330, datë 08.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”. Arsyetimi i Kolegjit të Gjykatës së Lartë saktëson në vendimin e tij se: “Në bazë të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ekstradimi nuk lejohet kur vlerësohet se personi i kërkuar do t’u nënshtrohet persekutimeve apo diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose dënimeve apo trajtimeve të egra, çnjerëzore a poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore, apo kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit”.

Pasuritë e vëna në sekuestro

1.“Kompleks Shërbimesh “Gjoka”.

2.Pemishte+truall+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj.

3.Tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak.

4.Tokë arë me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak.

5.Tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2.

6.Ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, (në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2).

7.Tokë arë me sipërfaqe 3110 m2, e ndodhur ne Sallmone, Shijak.

8.Pasuria me sipërfaqe 928 m2, (brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2).

9.Tokë arë me sipërfaqe 3700 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.

10.Tokë arë me sipërfaqe 1980 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.

11.Shoqëria “Gjoka“ sh.p.k.,së bashku me të gjithë asetet e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat