Vasili: Qeveria, jo veprime arrogante, siç bëri me energjinë

Shqipëria

Vasili: Qeveria, jo veprime arrogante, siç bëri me energjinë

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 12:52

Në operacionin kundër informalitetit te bizneset, për aleaten kryesore në qeverisje, Lëvizjen Socialiste për Integrim, qeveria nuk duhet të përsërisë gabimet e aksioneve të mëparshme, si ai për energjinë, me prezantimin e saj para qytetarëve me arrogancën dhe sjelljen përtej kufijve të ligjit të nëpunësve të shtetit.

Deklarata vjen nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili në një intervistë për “Vizion Plus” deklaroi dje, se në parim aksioni është i mirëpritur, por, sipas tij, qeveria duhet të korrigjojë gabimet e eksperiencave te mëparshme. “Historia e zbatimit në terren të nismave të mëdha, të gjera në Shqipëri, ka rezultuar jo në pak raste, pra nuk kanë qenë sporadike, por kanë qenë të shpeshta ato ku ka pasur edhe qëndrime të ashpra, përtej atyre që janë në kufijtë e ligjit.

Nganjëherë ka pasur, pse jo, edhe arrogancë dhe këto në vend që ta ndihmojnë e dëmtojnë procesin. Kështu që këto eksperienca negative të së shkuarës, sigurisht, duhet të jenë një moment delikat, i cili duhet kontrolluar dhe monitoruar nga Ministria e Financave që normalisht e udhëheq aksionin, ku besoj që edhe një akt i vetëm sikur të verifikohet duhet të konsiderohej si ngjarje e madhe në mënyrë që biznesi në përgjithësi të ndihet i qetë”, tha Vasili.

Ndërkohë, i pyetur rreth akuzave të opozitës në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit në një nivel prej 160 milionë dollarësh, Vasili theksoi se situata ka nevojë për analizë. Sipas tij, ndryshimi i politikave fiskale nuk ka pse të jetë tabu, veçanërisht kur të ardhurat nuk mblidhen.

“Asnjëherë nuk mund të themi që politika financiare është më e mira, nëse rezultatet na mungojnë, sepse këto rezultate që mungojnë do të thotë sasi të rëndësishme parash, të cilat në radhë të parë do të ishin shumë jetike për t’iu dhënë përgjigje disa problemeve veçanërisht në fushën e çështjeve sociale”, tha nënkryetari i LSI-së.

Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, që nuk shkojnë në të njëjtën linjë me qeverinë, për Vasilin koalicioni PS–LSI funksionon pa asnjë problem. “Ka një përgjigje për funksionimin: u konstituuan të gjithë këshillat bashkiakë në mbarë vendin dhe ju e patë që koherenca e votës në të gjithë territorin ishte një koherencë që fliste vetë. Në rast se do të kishte një çështje LSI – PS, ja ku ishte prova”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat