Albana Vokshi: Në qeverisjen e Edi Ramës kanë humbur jetën 26 minatorë

Shqipëria

Albana Vokshi: Në qeverisjen e Edi Ramës kanë humbur jetën 26 minatorë

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 15:12

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e tij si përgjegjës për humbjen e jetës së minatorëve në minierat në vend. Ndërsa shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës së qytetarëve Miftar Losha dhe Albert Losha, në minierën e Selishtës, deputetja demokrate Albana Vokshi theksoi se sot është rasti të denoncojmë qeverinë për neglizhencën vrastare ndaj minierave e kushteve në to, që po marrin çdo javë jetë njerëzish.

“Prej ardhjes së rilindjes, 26 qytetarë, familjarë që ushqejnë fëmijët me sakrificën e tyre, kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës. Ky është bilanci më tragjik i 25 viteve të fundit, dhe kryeministri, Edi Rama, ashtu si edhe në të gjithë rastet e tjera që prej ardhjes në pushtet, nuk gjen 1 minutë kohë as për ngushëllime. Kur ishte në opozitë, Edi Rama shfrytëzonte çdo ngjarje në minierë për të përfituar politikisht.

Ai premtoi se do të ofronte siguri e kushte të mira pune, por mashtroi. Mashtroi dhe braktisi premtimet dhe minatorët.

Edhe sot një ditë pas tragjedisë ku humbën jetën dy familjarë në minierën e Selishtës, edhe pse foli një orë para medias, nuk gjeti asnjë moment për të shprehur ngushëllimet.

Sot çdo shqiptar e sheh Edi Ramën si përgjegjës për humbjen e jetës së bashkqytetarëve tanë në miniera, për shkak të papërgjegjshmërisë, pandjeshmërisë dhe moskrijimit të kushteve të duhura të sigurisë”, tha Vokshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat