PD: Pushteti i vjedhur dhe i blerë nuk ka të ardhme

Shqipëria

PD: Pushteti i vjedhur dhe i blerë nuk ka të ardhme

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 12:06

Në një deklaratë për mediat Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike ka deklaruar se mazhoranca po e vë administratën nën presionin politik.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, tregoi një dokument, ku sipas tij ishte një dëshmi e presionit kriminal ndaj administratës publike, dhe shantazhimit të saj sistematik për ta detyruar të votojë kandidatët e qeverisë.

“Kemi këtu një dokument të bërë publik nga media, që Partia Socialiste e ka shpërndarë masivisht tek funksionarët publikë në institucione. Ky dokument, shërbente për të evidentuar në listë nëpunësit e administratës shtetërore, për të kontrolluar votën e tyre, dhe për t’u bërë atyre presion me largim nga puna në rast se nuk hidhnin votën për kandidatët e qeverisë, duke i gjurmuar ata deri tek qendra e votimit”, tha Kaso.

Më pas ai shtoi se këto shkelje dhe dhunime të zgjedhjeve të 21 qershorit detyruan institucionet ndërkombëtare të flasin njëzëri, dhe të dënojnë edhe në raportet paraprake; presionin politik ndaj administratës, zgjedhësve dhe institucioneve, blerjen masive të votës, dhe përfshirjen e kontigjentit kriminal, që minuan besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor.

Në fund Kaso tha: “Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë dhe bashkë me qytetarët do ta flakë zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pushteti i vjedhur dhe i blerë nuk ka të ardhme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat